Parandalimi i infektimit me CoVid-19 imiton luftën kundër zakoneve prapanike

Postuar në 14 Maj, 2020 19:44
Shaptilografisti

 

Një lajm i ri shumë optimist vjen nga ShBA për luftën ndaj CoVid-19. Shkencëtarët kanë zbuluar se po të lash gojën me listerinë parandalon infektimin nga virusi. Aryseja është se listerina ka 20% alkool. Në mediat shqip ky lajm është një përkthim nga burimi i preferuar i saj, Daily Mail. Nëse lexon lajmin origjinal kupton se zbulimin e madh e ka bërë “një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh”, sipas të cilëve madje është urgjente që të testohet lidhja larje goje-parandalim ndaj CoVid-19. 

Më tej shtohet se OBSh e ka skualifikuar këtë si argument, po sa pare bën një gjë e tillë? Ky mund të jetë fare mirë një lajm i sponsorizuar për të rritur shitjet e listerinës e cila deri para disa kohësh tregëtohej në disa variante me çmim të rritur meqenëse “nuk ka alkool”. Është e qartë se tallja ka arritur maja me këtë situatë. Sektorë të shkencës janë shndërruar në instrumente marketingu dhe përditë njoftojnë se kanë një zbulim. Kanë zbuluar proteinën, se cfarë i bën virusi qelizës, se çfarë sulmon ai, se qysh e tek, por vetëm kurën nuk zbulojnë dot. 

Kjo e alkoolit dhe listerinës është e fundit në serialin: Bashkoi o shokë kundër koronës! 
Të vjen gjithësesi mirë kur sheh sa mbrapa janë të huajt. Vallë nuk ishim ne shqiptarët që shpallëm se rakia dhe hudhra të kuron dhe të ruan nga virusi? Pse vallë alkooli e bën këtë dhe rakia jo? 

Nuk dimë çfarë  të themi për zbulimin kinez se virusi konstatohet edhe në feçe. Do të ishte e sikletshme të bëhej thirrje që njerëzit të lajnë bythën, pasi kjo ngjan pak si invazive. Por ne konkuzione mund të nxjerrim vetë e mos t’ia marrim me jangllëç shkencës. P.sh me nisjen e krizës, thuajse i vetmi vend që pati mungesë letre higjenike ishte ShBA, çka shtyn të mendosh se ata preferojnë fshirjen ndaj larjes. Ndaj ky apel duhet përcjellë anglisht dhe të nisin edhe amerikanët të përjetojnë kënaqësi të paprovuara më parë. 

Virusi përcillet edhe nga sytë, madje aty qëndron më gjatë aty sesa në hundë apo fyt. Po syve çfarë t’u bëjmë? Ato i lan kushdo në mëngjes e në drekë, ato lotojnë dhe kanë tendencë ta nxjerrin jashtë virusin. Ja të presim se për këtë shkencëtarët nuk kanë ndonjë propozim konkret. 

Ideja më gjeniale për parandalimin e virusit – edhe këto për parandalimin ishin – vjen nga profesorë britanikë: dielli dhe ajri i pastër parandalojnë. Mesa duket në intuitën e tyre virusi është një mikroorganizëm që preferon mjedise të qelbura. Kjo preferencë perverse ngjan të jetë pika e dobët e tij, sikundër janë edhe alibia e gjoja shkencëtarëve që në vend se të mos thonë gjë kur nuk ka se çfarë të thuhet, dalin e këpusin mrrokulla gjithfarëshe. Alibi sepse të kapur në dështim spektakolar për gjetjen e një kure, shkencëtarët po zhvendosin vëmendjen te parandalimi i infektimit me masa mesjetare. 

Por kjo është punë e botës. Sa për ne shqiptarët këto këshilla janë të tejkaluara. Larja, e gojës dhe bythës, higjena e të tjera si këto janë njohuri të marra me fushatën kundër zakoneve prapanike që shkallmuan llagëmet e mesjetës për të sjellë modernizmën. Duam s’duam ne, ajo luftë themeloi jetën kolektive dhe detyrimisht hodhi bazat e higjenës publike. Ndaj jemi fanar në këtë botë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.