Situata po normalizohet, por askush nuk po flet për fundin e epidemisë
Epidemia e koronavirusit po shkon drejt fundit, por askush nuk po njofton fundin e saj. Ndonëse në nivel të përgjithshëm numri i rasteve të reja, shtrimeve dhe vdekjeve po vjen duke u ulur, asnjë mjek nuk ka deklaruar se kjo që kaluam ishte një grip i zakonshëm.
Në Gjermani dhe në Kinë ka një riaktivizim të virusit pas lehtësimit të masave, riaktivizim i cili nuk dihet sesi do ta ketë ecurinë.
Edhe Serbia, një nga vendet më të goditura në Ballkan, ndonëse ka njoftuar lehtësim masash, ka paraljmëruar se kjo epidemi nuk mbyllet me muajin maj.
Kjo histori nuk mbyllet në maj dhe ne do të kemi pacientë edhe gjatë qershorit, e ndoshta edhe më pas
është shprehur kreu i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Serbi, Goran Stevanovic. Sipas tij epidemia po “qetësonet” por nuk ka përdunduar.
Në ShBA kurba vazhdon të jetë agresive dhe deri më tani kanë vdekur 80 mijë njerëz. Italia, vendi që u godit më rëndë në muajin mars, ka miratuar protokolle strikte dhe vazhdon të raportojë mbi 150 të vdekur në ditë. Fitorja e vetme konkrete e Italisë është ulja e numrit të pacientëve në terapi intensive, që është edhe aspekti më kritik i epidemisë.
Në këto kushte ne në Shqipëri duhet ta konsiderojmë veten me fat që u prekëm pak nga kjo epidemi, edhe pse 31 njerëz nuk kthehen më në këtë botë.
Në këtë kuptim është e udhës të shihet se çfarë po bëjnë vendet e tjera, çfarë po planifikojnë për të interpretuar si duhet masat që duhen marrë. Juridikisht Shqipëria është në gjendje të jashëtzakonshme deri më 23 qershor, por sjellja e përgjithshme është sikur epidemia ishte një grip për të cilin u ekzagjerua.
E mira e përgjithshme e do që masat e marra të lehtësohen, por politikat për menaxhimin epidemik, spitalet, shtretërit, respiratorët, barnat e përdorura, por edhe trajnimi i personelit në këtë periudhë qetësie relative të mbahen në fuqi.
Është e kollajtë të qeshësh sot me karantinën dhe kalimin qetë të epidemisë, por askush në botë nuk e di sot se çfarë na pret nesër me afrimin e vjeshtës dhe dimrit. Në këtë kuptim do të ishte tragjike që të hiqej dorë nga vëmendja dhe ajo që quhet survejancë epidemiologjike për hir të kritikave që vijnë nga politika.
Dhe do të ishte me të vërtetë ndihmë e madhe që shumëkush t’i thërrasë rradakes që në një valë të dytë eventuale të shihnim në respirator disa prej këtyre që sot injorojnë rrezikun real të virusit, në mënyrë që kur të rikuperonin të ftillohen dhe të dalin e kundrojnë nga dritarja natyrën duke medituar për papërgjegjshmërinë me të cilin flasin sot.
Nuk do uruar asnjëherë, por nuk do të ishte keq që ky pësim të kthehej në mësim, nëse në këtë vend mëson kush diçka nga jeta dhe përvoja.
Add new comment