Njeriu brenda Makinës

Postuar në 11 Maj, 2020 22:32
Tom Standage

 

Në vitin 1770, një lloj roboti që luante shah, i ndërtuar nga një shpikës hungarez, u kthye në sensacion në të gjithë Evropën. Ai kishte pamjen e një njeriu në përmasa reale dhe ishte prej druri. Roboti mbante një veshje turke dhe qëndronte ulur pas një kabineti, mbi të cilin qëndronte një fushë shahu. Krahu i tij mund të lëvizte gurët në fushë. Turku mekanik ishte i aftë të mposhtte edhe lojtarët më të mirë në shah. I ndërtuar për të zbavitur perandoreshën Maria Tereza, fama e tij u përhap shumë përtej Vjenës dhe ata që vizitonin oborrin e saj këmbëngulnin ta shihnin.

Turku mekanik bëri një turne në Evropë në vitet 1780, duke nxitur shumë spekulime për mënyrën se si funksiononte, dhe nëse një makinë mund të mendonte: Revolucioni Industrial ishte në fillesat e tij dhe shumë njerëz nisën të pyesnin se deri në çfarë mase makinat mund t’i zëvendësonin njerëzit. Askush nuk do ta merrte me mend ndonjëherë sekretin e Turkut. Por përfundimisht u bë e qartë se kishte një shahist njeri, që qëndronte i fshehur mirë brenda tij. Makineria në dukje inteligjente drejtohej nga një person i fshehur brenda saj.

 

Rezulton se diçka shumë e ngjashme po ndodh sot. Ashtu si Turku, sistemet moderne të inteligjencës artificiale (AI) mbështeten në ndihmën e njerëzve që nuk duken. Trajnimi i një sistemi të "mësimit të thellë" përfshin njohjen e tij me miliona shembuj informacioni (siç janë fotografitë e kafshëve) dhe t'i tregosh asaj se cili është rezultati i saktë ("mace", "qen") në secilin rast. Pasi të trajnohet, sistemi më pas mund të identifikojë saktë kafshët në fotografi që nuk i ka parë më parë. Por procesi i trajnimit kërkon një numër të madh shembujsh të emërtuar saktë - dhe ato duhet të krijohen nga njerëzit.

 

Si rezultat, ka lindur një industri e tërë, në të cilën ushtri të tëra njerëzish japin të dhënat e nevojshme për të trajnuar inteligjencën artificiale (AI). “Mighty AI”, për shembull, me seli në Seattle, ka një komunitet në internet prej 300 000 personash që etiketojnë me kujdes imazhet e rrugëve për të trajnuar makina autonome. "Ne duam që makinat të gjykojnë si njerëz", më tha shefi i kësaj kompanie, "dhe për këtë na duhet ekspertizë njerëzore". Firmat e mëdha të teknologjisë kanë "turmat" e tyre të punëtorëve online që bëjnë punë të ngjashme.

 

Puna e etiketimit gjithashtu mund të kultivohet në një platformë online me punonjës-njerëz. Më e madhja nga këto platforma, ku njerëzit paguhen për të kryer detyra të thjeshta që janë përtej aftësive të kompjuterëve, quhet Turku Mekanik. Kjo është një referencë e drejtpërdrejtë për faktin se, ashtu si me origjinalin e shekullit të XVIII, punëtorët e tij ofrojnë ekspertizën njerëzore që me sa duket fuqizon sistemet inteligjente.

Pa e kuptuar, edhe ju po ndihmoni me këto detyra. Kur hyni në internet, mund t'ju kërkohet të transkriptoni ndonjë tekst të shtrembëruar ose të identifikoni imazhet brenda një kutize që përmban shenja rruge ose automjete.

Ky veprim, i njohur si CAPTCHA, përdoret për të verifikuar nëse në të vërtetë jeni njerëz, dhe jo robotë - sepse kompjuterat ende nuk mund të kryejnë detyra të tilla në mënyrë të besueshme. Rezultatet e këtyre testeve, miliona të tilla plotësohen çdo ditë, përdoren nga Google dhe të tjerët për të transkriptuar libra të vjetër, për të emërtuar imazhe për automjetet pa shofer ose për të përmirësuar shërbimet e hartave.

 

Aktiviteti juaj në internet ndihmon për të trajnuar sistemet online edhe në mënyra të tjera. Kur etiketoni një foto në Instagram me #cat ose #dog, këto etiketime lejojnë që imazhet tuaja të përdoren për trajnime. Google gjurmon se në cilat rezultate të kërkimit klikojnë njerëzit dhe e përdor atë informacion për të përcaktuar rendin në të cilin rezultatet e kërkimit do t'u shfaqen përdoruesve të tjerë në të ardhmen. Spotify përdor listat e dëgjimit të muzikës, të krijuara nga përdoruesit e saj, të cilat e orientojnë që të rekomandojë këngë të tjera për përdorues të tjerë. Gmail sugjeron përgjigje në email bazuar në analizën e miliona përgjigjeve të mëparshme të përdoruesve të tij.

Pothuajse gjithçka që bëni në internet krijon një gjurmë të të dhënave që mund të përdoren për t'i bërë sistemet më të zgjuara. Ndërsa Google, Facebook dhe të tjerë përdorin makinat e tyre të mëdha inteligjente, ne të gjithë po i ndihmojmë për t'i fuqizuar ato. Një robot shahu i viteve 1770 ka parashikuar kështu debatin modern mbi inteligjencën artificiale - dhe një aspekt kyç për ta bërë teknologjinë të funksionojë. Interneti është një Turk mekanik gjigant dhe, duke e ditur ose jo, të gjithë jemi bërë njerëzit brenda asaj makinerie. 

1843 Magazine

 Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.