Sigurojmë deri në miliarda euro. Edhe katastrofat. Sistemi Bonus-Malus, shkatërroi tregun

Postuar në 10 Maj, 2020 16:45

Drejtuesi i Sigal Uniqa Group, Avni Ponari ka dhënë një intervistë për revistën “Monitor” përmes së cilës ka folur për pasojat e pandemisë aktuale mbi tregun e sigurimeve. Zoti Ponari del menjëherë në temë dhe flet me interesat të hapura mbi tavolinë:

Në raport me sigurimet, pyetja që duhet të shtrohet është: A është kjo pandemi apo një ngjarje tjetër si kjo, rrezik që sigurohet? Përgjigjja është po. Por ne jemi larg sigurimit  nga rreziqet katastrofike. Ose e kuptojmë këtë si një mbështetje për industrinë e sigurimeve. Unë mendoj se sigurimet dhe zgjerimi i gamës së tyre është mbështetje për qytetarët.

Ndërprerja e biznesit apo mbrojtja e interesave të punëmarrësit janë rreziqe të sigurueshme. Në vende ku nuk ka industri sigurimi të zhvilluar dhe ku individi është tërësisht i varur nga shteti, detyrimisht mungojnë dhe liritë e individit, në themel edhe demokracia. Sepse pavarësia e individit dhe liritë e tij fillojnë nga financat dhe rriten ngadalë së bashku me to.

Tregu i sigurimeve rrit dhe fuqizon liritë individit, e bën të pavarur dhe indiferent ndaj strukturave shtetërore, sepse nëse ke të siguruara të ardhurat, ke të siguruar ndërprerjen e punës, shëndetin, shtëpinë, ndërprerjen e biznesit, ke një pension privat, ke të siguruara kulturat bujqësore, madje edhe sasinë e planifikuar në hektarë. Në këto kushte, nuk të duhet të trokasësh në zyrat e shtetit

është shprehur ai.

Kjo është një formë lobimi për të zgjeruar me ligj gamën e sigurimeve në vendin tonë. U tentua më tërmetet, përmbytjet etj., por nuk eci. E vërteta është se sigurimet nuk mund të mbulojnë çdo gjë. Kjo u pa edhe gjatë krizës financiare në SHBA, ku shoqëritë e sigurimeve iu drejtuan shtetit për ndihmë. Pra siguro çdo gjë, pastaj kërko para nga taksapaguesit që janë edhe ata të siguruar.

Ky është një qark vicioz që lidhet me ekspozimin e pashmangshëm të këtij tregu ndaj krizave. Nëse ky është një debat i gjerë që kërkon patjetër mendime të specializuara, qëndrimi i z. Ponari zbulon qasjen me një drejtim. Vërtet zotëria bën thirrje për zgjerim të gamës së sigurimeve, por nuk thotë sesi duhet realizuar apo nxitur kjo gjë. Më herët është synuar që kjo të bëhet me ligj, ndërkohë që vetë tregu nuk ka lëvizur asgjë për të ecur në drejtim të kushtëzimit të shërbimeve apo marrëdhënieve me sigurimin. Kjo mund të ishtë një rrugë më e mirë që do të ndihmonte edhe në formalizimin e shumë sektorëve. Nga ana tjetër, z. Ponari i ka demagogji ato që thotë për sigurimin dhe lirinë e individit teksa kur flet për sistemin e shumëpërfolur Bonus Malus shprehet pesimist:

Tani që flasim, 20% e drejtuesve të mjeteve janë të pasiguruar. Qytetarët shqiptarë janë të paktën 38 milionë euro debitorë ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimit. Shkaktari i një dëmi gjobitet 2000 lekë, pavarësisht se çfarë dëmi ka shkaktuar.

Janë rreth 20 mijë aksidente në vit në të gjithë Shqipërinë, paguhen me dhjetëra dëme, ndërkohë që ekziston opinioni se shoqëritë e sigurimeve nuk paguajnë. Kjo vjen si rrjedhojë e një ngërçi që lidhet me hallkën e avokatëve që, për hir të së vërtetës, marrin deri në 40% të vlerës së dëmit  ose ta themi të fatkeqësisë së qytetarit dhe i mbajnë peng nëpër gjykata.

Në këtë situatë, kemi thirrur me dhjetëra klientë që të vijnë të marrin paratë që ju takojnë sipas rregulloreve te AMF , por avokatët i stepin dhe i trembin me kontratat e firmosuara kohë më parë. Ju tregojnë prokurën dhe që qytetarët të presin deri kur të dalë vendimi i gjykatës që në fakt dihet cila është rruga që ndjek një çështje në gjykatë…AMF hartoi një ide dhe mori një vendim  për bonus-malusin me një skemë shkatërruese të tregut dhe natyrisht të paimplementueshme. Nga mosnjohja dhe mungesa e eksperiencës në këtë industri për të mos thënë kalimi  në mbrojtjen e interesave të dikujt se për çfarë qëllimesh e dinë ata. Në tregun e sigurimeve është një ligj që ndalon të punojë në AMF dikush që ka punuar në sigurime. Mbikëqyrësi mund të jetë nga çdo fushë, por jo nga sigurimet, kur duhet të ishte e kundërta.

Është një paradoks dhe natyrisht një dëm i madh për operatorët e sigurimeve. Të mbikqyrësh pa kqyrur asnjë ditë një industri nuk është normale. Ja për shembull tek Banka e Shqipërisë, kusht për Guvernatorin është që duhet të ketë përvojë në banka. Në këto rrethana ku jemi, kompanitë me Bonus-Malus, as stimulojnë dot ata që nuk kanë aksidente dhe as penalizojnë ata që mund të kenë bërë jo një, por disa aksidente. Tregu ka nevojë për një AMF që administron tregun me sisteme jo me njerëz.

Qeveria vendosi që ndërtimet e reja të sigurohen me një prim për 10 vjet, e lidhur ngushtë me përgjegjësinë ndaj palëve të treta për probleme që mund të shfaqë terreni, apo disa aspekte të tjera jo të lidhura këto me tërmetin. Kjo policë ka ndryshuar disa herë, që prej fillimit të saj…

Tregu ka paguar miliona euro, duke përmbushur detyrimet ndaj klientëve. Ndaj është e domosdoshme një analizë e saktë për rreziqet që mund të kemi dhe si mund t’i mbulojmë. Është e rëndësishme të themi se tregu i sigurimeve në Shqipëri ka marrëdhënie mjaft të mira me risiguruesit dhe hapësira për risigurime jo miliona, por miliarda euro

Miliarda euro? Ndoshta kompanitë e sigurimeve mund të sigurojnë edhe garancinë sovrane të qeverisë, pasi kështu do të nxitej më shumë biznesi për kredi në këtë kohë krize. Përtej këtij pretendimi është e qartë se diçka nuk shkon në këtë sektor, sikundër nuk është e qartë se kë akuzon z. Ponari kur vjen puna për sistemin bonus-malus.

Comments

Submitted by O moj Shqiperi (not verified) on

O TI BASHKE ME TE TJERET E SIGURIMEVE JENI KOKRRA E KOKRRES SE HAJDUTEVE, PO NE FAKT MIRE JA BENI DELEVE ME PATENTE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.