Shqipëria është Pazari im
Pushteti është hedhur në sulm frontal ndaj interesit publik dhe perspektivës së këtij vendi të cilën e interpreton sipas midesë së vet si…interes publik. Me një vendim, trualli i Teatrit Kombëtar është kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, marioneta e qeverisë që firmos çdo marrëzi. Pas këtij vendimi kryebashkiaku Veliaj është hakërryer ndaj protestuesve duke deklaruar se kjo punë ka marrë fund.
Me një dalje të re, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka mëse një vit që po studohet ideja e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Tha z. Rama ndër të tjera:
Kemi një vit që punojmë, edhe pak edhe do të jetë gati, asnjëherë nuk bëjmë punë pa u konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, jemi konsultuar me ekspertë të huaj, por gjëja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë ndihmë e madhe është konsultimi me të tjerët.
Nuk kemi ardhur të shpikim, por të mësojmë nga të tjerët. Shumë shpejt drafti do të jetë gati për diskutim publik, ashtu si ai për amnistinë fiskale, që është gati po diskutohet me disa institucione ndërkombëtare
E ka bërë këtë në prani të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Soreca, duke na thënë se këto janë nisma me transparencë të plotë.
Ky është një moment kthese për këtë vend dhe z. Rama po kryen atë që nuk e bëri askush para tij: po legalizon të gjitha shkeljet dhe abuzimet e këtij 30 vjeçari, paralel me të ashtuquajturën reformë në drejtësi.
Legalizimi i kanabisit do të ecë dorazi me liçenca monopol në treg duke e vendosur Shqipërinë në pozitat e eksportit për një produkt që u stigmatizua kaq shumë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë monopol në këtë vend dhe sesi liçencat jepen. Për të mos thënë që liçenca është ndarë qysh tani. Por problemi kryesor këtu është lidhja thuajse mistike, ideologjike e gjoja të majtës me kanabisin. Nuk ka patur asnjë vit të qeverisjes së socialistëve ku droga të mos ketë lulëzuar.
Nga ana tjetër ky legalizim nuk dihet se çfarë efekti do të ketë mbi bujqësinë shqiptare pasi nëse eksporti sigurohet është e qartë se kulturat e tjera bujqësore do të anashkalohen, duke nxjerrë në plan të parë kërcënimin për prodhime vendi në treg dhe duke prekur zinxhirin ushqimor.
Por këtë le t’ia lëmë kohës. Ajo që po ndodh është se qeveria nuk ka më asnjë plan ekonomik real. Ajo po improvizon me çdo mjet duke kriminalizuar dhe asgjësuar të ardhmen tonë. Zoti Rama po amniston evadorët fiskalë me një amnisti që e kamuflon pas parave të emigrantëve, të cilët i kanë parët legale. Në emër të kujt po kryhen këto akte? Të kujt interesi tonit si qytetar? Në emër të kujt po fshihen proçeset e evazionit, kontrabandës, skemave të TVSH-së, sidomos tani në prag të nisjes së proçesit aq të shumëpritur të fiskalizimit i cili godet pikërisht këto fenomene dhe kushtoi 15 milionë euro?
Në emër të shumë pak njerëzve, që janë ata që kontrollojnë këtë vend. Ne po dëshmojmë përjashtimin përfundimtar nga e drejta ekonomike në këtë vend, realizuar nga një njeri që nuk përfaqëson më asgjë tjetër veç interesave që e mbajnë peng apo të cilat do t’i stabilizojë nga frika e së ardhmes.
Add new comment