A do ta shndërrojë kriza borxhin privat në borxh publik?
Tentativa për rikthimin në normalitet, në shumicën e vendeve të prekura nga koronavirusi, përmes zbatimit të masave lehtësuese, pas një mbylljeje dy-tre-mujore, ndodhet midis “frikës se pandemia mund të rikthehet” dhe të ketë një valë të dytë, ndërsa “rënia ekonomike vazhdon me shpejtësi dhe situata sociale përkeqësohet”. Tashmë, nga parashikimet po kalohet edhe në fakte, sepse koha kalon dhe pandemia dhe kriza ekonomike po ndikon në të gjitha drejtimet. Dhe kjo situatë është edhe në vendin tonë. Parashikimet dhe realiteti po afrohen me njëra-tjetrën dhe ndikimi i parë i drejtpërdrejtë i “mbylljeve nga pandemia” duket se po sjell thuajse në të gjitha vendet e prekura: a- një rënie në nivelin e prodhimit në masën nga një e pesta në një të katërtën e prodhimit në shumë nga ekonomitë e prekura; b- shpenzimet konsumatore po shënojnë një rënie me gati rreth 1/3; c- ndikimi në rritjen vjetore të PBB-së vlerësohet me një rënie deri në 2 pikë përqindje për çdo muaj (ky ndikim do të varet nga shumë faktorë).
Ndërkaq, organizata ndërkombëtare e punës, ILO, vlerëson ndikimin e COVID-19 të rezultojë në një rritje të papunësisë globale ndërmjet 5.3 milionë (skenari “i ulët”) dhe 24.7 milionë (skenari “i lartë”). Dhe kjo situatë duket se është edhe në vendin tonë. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të bjerë në recesion në vitin 2020, ku të gjashta vendet parashikojnë normë negative të rritjes ekonomike, teksa vijojnë përpjekjet për të trajtuar efektet ekonomike të pandemisë së COVID-19 (koronavirusit)”. Rritja rajonale për Ballkanin Perëndimor, sipas këtij raporti, parashikohet të jetë nga -3 deri -5,6 për qind. Kjo edhe për Shqipërinë, sipas dy skenarëve të Bankës Botërore, varion në një rënie ekonomike të pritshme nga -5 % në -6.9%, ndërsa efekti në rritjen e papunësisë është me rreth 66 000 të papunë. “Magnituda e recesionit varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Europë. Megjithëse vështirë të parashikohet me saktësi efekti ekonomik i kësaj pandemie në rajon, nuk ka dyshim se pandemia po sjell pasoja të rënda për jetën e njerëzve në mbarë rajonin, duke ngarkuar me një barrë të rëndë sistemet e kujdesit shëndetësor, duke paralizuar veprimtarinë ekonomike dhe duke cenuar mirëqenien e njerëzve”, thotë Linda van Gelder, drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor pranë Bankës Botërore.
Për shkak se nuk dihet sa do të zgjasë kriza, të gjithë politikëbërësit hasin dilemën e njëjtë: përdorimi i të gjithë hapësirës fiskale për të zbutur efektet imediate të krizës mund të ishte joefikas, nëse kriza do të zgjaste më shumë. Prandaj, përgjigjja ndaj krizës duhet të jetë në vazhdimësi e kujdesshme për të zbutur efektet e menjëhershme, për t’iu përshtatur realiteteve të reja që mund të shfaqen, si dhe duke lënë hapësirë për të përgatitur rimëkëmbjen ekonomike.
A MUNDET PANDEMIA TË TRANSFORMOJË BORXHIN PRIVAT NË BORXH PUBLIK?
Nëse kriza e vitit 2008 nisi si krizë financiare (krizë e kredive hipotekare) dhe rreth 2011 ajo u shndërrua në krizë ekonomike, tashmë, fillimisht nuk kemi të bëjmë me një krizë financiare, por me një krizë të njëkohshme e kërkesës dhe ofertës. Por, a mund të kthehet kjo në një krizë financiare? Në çfarë kushtesh dhe me çfarë pasojash? Këto janë pyetjet që ekspertët e politikave ekonomike shtrojnë vazhdimisht në diskutimet e tyre publike, duke analizuar politikat e ndërhyrjes direkte zbatuar në të gjitha vendet e zhvilluara. Tashmë është e qartë që pandemia ndikoi dukshëm në ekonomi, në jetën sociale dhe janë evidentuar dhe parashikuar disa mënyra se si pandemia ndikon në ekonomi, në përgjithësi, veçanërisht te bizneset e vogla e të mesme (SME), në të dyja anët: e ofertës dhe të kërkesës. Pengesat e shkaktuara në anën e ofertës dhe rënia e kërkesës cenojnë më tej shumë sektorë prodhues, ndërsa kufizimet me likuiditetin dhe pasiguria akute kanë asfiksuar investimet. Në anën e ofertës, kompanitë përballen me një ulje të burimeve të punës, pasi punëtorët nuk dëshirojnë të shkojnë në punë ose nuk munden, pasi duhet të kujdesen për fëmijët dhe personat e tjerë të varur, ndërkohë që shkollat janë të mbyllura dhe lëvizjet e njerëzve janë të kufizuara. Masat për të frenuar përhapjen e sëmundjes nëpërmjet bllokimeve dhe karantinës, çojnë në ulje më të mëdha në përdorimin e kapaciteteve. Për më tepër, zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë, duke çuar në mungesë të lëndëve të para dhe materialeve ndihmëse.
Nga ana e kërkesës, ulja shumë e madhe dhe e papritur e kërkesës dhe e të ardhurave për SME ndikon ndjeshëm aftësinë e tyre për të funksionuar dhe/ose shkakton mungesë të theksuar të likuiditetit. Për më tepër, konsumatorët pësojnë humbje të të ardhurave, frikë nga infektimi dhe rritje të pasigurisë, te cilat, nga ana e tyre, zvogëlojnë shpenzimet dhe konsumin. Këto efekte janë të kombinuara, sepse punëtorët janë larguar nga puna dhe punëdhënësit nuk janë në gjendje të paguajnë pagat. Disa sektorë, të tillë si turizmi dhe transporti, preken veçanërisht, duke kontribuar gjithashtu në uljen e besimit të biznesit dhe konsumatorit.
Tashmë janë bërë të njohura “paketat e mbështetjes” që kanë përdorur shumica e vendeve të zhvilluara, (përfshi dhe vendi ynë) për të kapërcyer vështirësitë ekonomike të krizës aktuale, duke përdorur levat e financimit direkt apo indirekt të ekonomisë. Dhe siç e theksova më sipër, lidhur me politikat e ndërhyrjes direkte në ekonomi në këtë krizë, ka lindur diskursi se “A ka mundësi që kjo krizë e kërkesës dhe e ofertës të kthehet në krizë financiare” dhe që sot në epokën e koronavirusit, a mund të ndodhë që borxhi privat të shndërrohet në borxh publik? Në artikullin tim të datës 23/03/2020 “Çfarë do të ndodhe me ekonominë kur koronavirusi të jetë zhdukur”, kam përmendur “Smart Bubble Risk Index”, që sjell në ekonominë botërore një rikonceptim të treguesve të riskut, në këtë situatë. Ky index risku merrte parasysh ndikimin e të ashtuquajturave “flluska ekonomiko-financiare” në ekonominë globale, ndikimin e ndryshimit të klimës, katastrofat natyrale, luftërat rajonale dhe fenomenet e renda të terrorizmit. Në epokën e koronavirusit një nga format e shprehjes së këtij risku është mundësia e kthimit të borxhit privat në borxh shtetëror. Më konkretisht, çfarë do të thotë kjo?
Çdo shtet, duke akumuluar deficite buxhetore, krijon në vite, karshi subjekteve të tregut financiar, një borxh shtetëror, i cili, sipas strukturës së tij, është detyrim në monedha të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe me garancira të ndryshme. Është një borxh që qeveritë mundohen ta menaxhojnë dhe rifinancojnë në kohë mbi bazën e politikave ekonomike sipas orientimeve ideologjike.
Borxhi privat është përgjithësisht një detyrim që ka një subjekt privat për një kredi të marrë ndaj një institucioni financiar për konsum apo investim. Është një borxh detyrimisht i kthyeshëm, vetëm përkohësisht i rifinancueshëm dhe mosrespektimi i tij çon në shumicën e rasteve në falimentimin e shoqërisë, por edhe në rritjen e humbjeve të bankave të nivelit të dytë.
Në treguesit statistikorë makroekonomikë modernë, analizat e potencialit të zhvillimit të një vendi nuk bëhen tashmë vetëm me vlerësimin e borxhit publik, por dhe atij privat se instrumentet e reja financiare kanë krijuar një lidhje të ngushtë midis këtyre dy borxheve. Pavarësisht se borxhi shtetëror nuk shlyhet, por rifinancohet përjetësisht dhe ai privat shlyhet dhe nuk rifinancohet përjetësisht, për ekonominë e një vendi këta dy tregues janë dy anë të së njëjtës medaljeje. Koronavirusi dhe politikat ekonomike për mbështetjen e biznesit të vogël po nxjerrin në pah problemet që mund të sjellin kalimin e borxhit privat në një borxh shtetëror. Vendet e ndryshme kanë përdorur politika të ndryshme financimi të biznesit të vogël, që direkt ose indirekt çojnë në kalimin e borxhit privat në borxh shtetëror.
POLITIKAT EKONOMIKE NDAJ BIZNESIT TË VOGËL NË SHBA,GJERMANI,ITALI DHE BORXHI SHTETËROR.
Në SHBA, programi i ndihmës ndaj biznesit të vogël, i quajtur Sba Ppp (programi i mbrojtjes së administrimit të biznesit të vogël Paycheck), u lançua më 29 mars, u plotësua me udhëzimet e para më 31 mars, filloi zbatimin e tij më 3 prill dhe u perfeksionua për zbatimin e shpejtë nga të gjitha bankat më 10 prill, pasi kishte disbursuar mbi 4 miliardë dollarë dhe 5 ditët e para u bënë modifikimet e fundit. Qëllimi i qeverisë ishte që sa më shpejt biznesit të vogël t’i viheshin në dispozicion mjete financiare për të përballuar vështirësitë e mbylljes së detyruar. Kështu, mendohej që në momentin e rihapjes, bizneset të mos shkurtonin të punësuarit, të paguanin detyrimet dhe të ktheheshin sa më shpejt në normalitet.
Për realizimin e shpejtë të tij, u aktivizua një platformë federale e menaxhuar nga administrata e biznesit të vogël (SBA) dhe funksionale në të gjitha bankat, që lehtësonte aplikimet dhe dislokimet e parave. Për të mos u vonuar në kontrolle, bizneset plotësonin një formular aplikimi me të dhëna ekonomike në këtë platformë dhe prisnin financim të drejtpërdrejtë nga bankat pa u kontrolluar hollësisht deklarimet e tyre. Nëse kishin bërë deklarime të rreme, humbitnin financimin bashkë me biznesin. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, përgjegjës për biznesin e vogël, shprehej: “Na kërkohet të aprovojmë aplikimet brenda një dite dhe të mos shqetësohemi për mashtrime të mundshme, sepse kontrollet e mëvonshme nga administrata federale do të garantojnë funksionimin e drejtë të kësaj politike”. Të gjitha këto kredi ishin pa garanci dhe Byroja Federale siguronte me garanci shtetërore bankat për kreditë e dhëna. Ato duhet të vepronin shpejt dhe të mos kishin frikë për garancitë e subjektit. Pavarësisht se nuk thuhej hapur, ishte e qartë se nëse këto kredi nuk shlyheshin brenda një ose dy vitesh, do të kalonin në borxh shtetëror ose në një shoqëri shtetërore, që do të menaxhonte borxhin e keq të bankave nga këto kreditime.
Pavarësisht këtyre elementëve për funksionimin e shpejtë të financimit, në formularin e aplikimit, bizneset duhet t’u paraqisnin bankave tregues të tillë, që bënin një vlerësim paraprak të “vitalitetit të kredisë”. Vërtet e garantuar, por nëse kalonte shpejt në kredi të keqe, kjo do të sillte problem në banka, edhe pse do të financoheshin nga shteti. Pra, bankat, sipas John Simmons, shef i financimit të biznesit të vogël dhe të mesëm pranë JPMorgan Chase, vërtet nuk kishte problem kryesor sigurinë e kreditit, por mbijetesën e biznesit. Tregues si: raporti i xhiros në vitin e fundit me financimin bankar, raporti midis pagesave për t’u realizuar dhe faturave për t’u arkëtuar, përqindja e pagave dhe qirave në totalin e të ardhurave, bashkë me një sërë treguesish të tjerë sintetikë realizonin vlerësimin e vitalitetit të biznesit automatikisht. Kështu, në morinë e aplikimeve, zgjidheshin më shpejt ato biznese, “numrat” e të cilëve tregonin më vitalitet. Bizneset e tjera u nënshtroheshin analizave dhe informacioneve ekonomike më të hollësishme.
Një element tjetër i politikës për mbështetjen e biznesit të vogël, përveç përqindjes shumë të ulët (rreth 1%), ishte edhe drejtimi i përdorimit të kredisë. Sipas shkallës së rëndësisë, kredia paguante me përparësi pagat që të stimulonte kërkesën në treg, detyrimet tatimore që të mos rritej deficiti buxhetor dhe faturat e blerjeve të papaguara ose blerje në të ardhmen për kapitale qarkulluese. Në këtë mënyrë, autoritetet amerikane e konsideronin këtë financim si kreditim. Ai vështirësisht do të kishte efekt në deficitin korrent buxhetor si çeku 2000 dollarësh në çdo familje, ndërsa për mospagesat në të ardhmen do të hikohej si do të veprohej. Në rastin me të keq do të quheshin disa kredi të pashlyera për vitin e ardhshëm si kredi me fonde të humbura. Të gjithë përkrahësit e kësaj ndërhyrjeje mundoheshin të argumentonin që kjo politikë nuk do të kalonte indirekt një pjese të borxhit privat në borxhin shtetëror, por dhe opozita nuk mund të dilte hapur kundër kësaj politike. Shumë specialistë të demokratëve, megjithëse e dinin që shumë kredi nuk do të shlyen dhe do të rëndojnë buxhetin në vitet e ardhshme, me zë të ulët evidentonin ndikimin e kësaj politike në borxhin publik. Vështirë t’i thuash biznesit nuk të jap para.
Në Gjermani, politika e stimulimit të biznesit të vogël ishte e drejtpërdrejtë dhe direkt me fond të humbur financiar. Të gjitha bizneset e vogla që bënë kërkesë, morën në llogaritë e tyre deri në 15.000 euro direkt, për të mbyllur detyrimet korente dhe përdorimi i tyre kishte pak kufizime. Kjo ishte forma më e shpejtë për të injektuar në ekonomi para të freskëta, që mbuloheshin kollaj nga niveli i borxhit publik dhe në një të ardhme mund të rikuperoheshin edhe nga fonde europiane. Pikërisht për shkak të nivelit të borxhit të saj publik shumë të ulët dhe bilancit të pagesave me suficit, Gjermania nuk iu kushtoi rëndësi efekteve makroekonomike të kësaj politike, por i kushtoi rëndësi shpejtësisë së financimit dhe hapjes sa më të shpejtë të funksionimit të këtyre bizneseve. Sa më shpejt t’i kishte paratë biznesi dhe sa më shpejt të dilte nga ndalesa e detyruar, aq më kollaj do të kalohej kriza. Në të dhënat statistikore, rënia e PMB në Gjermani parashikohet nga shoqëritë e mëdha dhe jo nga biznesi i vogël. Sigurisht, për shoqëritë e mëdha pati financime direkte, edhe në kushte kur BE nuk i lejonte, siç ishin ato të industrisë të makinave dhe shoqërive të fluturimit. Të gjithë specialistët e politikave ekonomike janë të mendimit që edhe në këtë rast mund të kemi një rritje të vogël të deficitit buxhetor, por kjo nuk do të ndikojë aspak në ritmin e ekonomisë gjermane. Shumë janë të mendimit që kjo rritje e deficitit buxhetor në Gjermani do të ndihmojë dhe uljen e SPREAD-it në shumë vende të jugut si Italia, Spanja, Portugalia, Greqia etj. (nëse rriten të dyja madhësitë, njëkohësisht diferenca ngelet e njëjtë.)
Italia ishte vendi që nxiti diskutimin e specialistëve për kalimin e borxhit privat në borxh shtetëror. Financimi i biznesit të vogël në këtë vend u bë me garanci shtetërore deri në 90% të shumës, por procedurat nuk ishin as të shpejta dhe as të suksesshme. Pati një bllokim administrativ dhe burokratik që nuk është zgjidhur ende dhe pak para e freskët ka hyrë në ekonomi. Shumë specialistë janë të mendimit që fondet e premtuara nga shteti italian si garanci nuk janë të mjaftueshme për nivelin e financimit që synohet dhe nëse këto financime nuk janë me fond të humbur, nuk do të thithen nga tregu. Opozita mundohet ta detyrojë qeverinë që jo vetëm të japë financime të shpejta, por dhe të hapë sa më parë aktivitetet ekonomike. Parashikohet që me nivelin aktual të GDP-së, masat e marra për të financuar ekonominë e rrënuar nga koronavirusi do të kushtojnë rreth 70 miliardë euro dhe po të merret parasysh rënia e përllogaritur e GDP-së, borxhi i këtij vendi do t’i kalojë 150 % të GDP-së. Specialistët mendojnë se Italia është vendi më tipik ku do të shihet fenomeni i kalimit të borxhit privat në borxh shtetëror.
Sipas njoftimeve të fundit, KE ka aprovuar buxhetet për financimet me humbje të biznesit të vogël për gjithë vendet e komunitetit. Procedurat janë shumë të thjeshta, por nuk po e gjej dot komunikatën dhe as botimin e vendimit. Dëgjova vetëm që Gjermania kishte rreth 45% të buxhetit total, kurse Italia e Franca rreth 17% secila. Spanja vetëm 3 %.
A ËSHTË MIRË QË BORXHI PRIVAT TË SHNDËRROHET NË BORXH PUBLIK?
Në ekonomi nuk ka asnjë masë që është e mirë për të gjithë apo e keqe për të gjithë, sepse çdo e mirë mbart me vete një të keqe dhe e kundërta. Specialistët këtë pyetje e kanë transformuar kështu: Do ta ndihmonte zhvillimin kalimi i borxhit privat në borxh shtetëror? Dhe në përgjigje janë ndarë dy grupe: ata që i quajmë “moralistë” dhe ata që i quajmë “solidarë”. Për moralistët, kthimi i borxhit privat në shtetëror është i padrejtë se shumica paguan veprimet e gabuara të pakicës së pazot për të realizuar sipërmarrje. Humbjen duhet ta paguajë ai që merr riskun dhe nuk është e drejtë ta paguajnë të gjithë. Për solidarët, humbjet janë pasojë e rrethanave që kanë prekur të gjithë dhe për pasojë duhet të kapërcehen nga të gjithë së bashku. Nëse kjo nuk ndodh, disa do të mbeten prapa jo nga paaftësia, por nga mosbarazia e kushteve të zhvillimit. Ky debat dalëngadalë kalon në një debat sociologjik dhe antropologjik dhe është subjekt i studimeve të këtyre specialisteve. Për ne ekonomistët, elementi kryesor i zhvillimit është ndryshimi dhe ristrukturimi i ekonomisë dhe pavarësisht se me çfarë rruge do të bëhet, e sigurt është vetëm një gjë, që do të bëhet.
Panorama
Add new comment