A është e përshtatshme për Shqipërinë ndjekja e modelit italian edhe për hapjen?
Po bëhet përditë e më e qartë se në marrjen e masave kundër pandemisë, qeveria shqiptare po ndjek thuajse hap pas hapi modelin e Italisë. Po të heqim faktin se qeveria shqiptare reagoi shumë shpejt në mbylljen e shkollave dhe kopshteve, aplikimin e karantinës së plotë, në aspektin e menaxhimit të situatës në vazhdim ajo ndoqi thuajse identikisht Italinë.
Nuk po themi se ekipi përkatës i ekspertëve nuk ka dhënë mendime konkrete, apo se nuk ka analizuar situatën si të tillë. Por politikat e ndjekura duket se i janë dorëzuar në mirëbesim menaxhimit nga Italia. Ky është një fakt që ka të mirat e veta, por edhe te këqijat po ashtu.
Ka të mira sepse Italia, duke qenë një vend i madh dhe me burime në shumë drejtime është në gjendje të përpunojë strategji. Nga kjo pikëpamje nuk ka asgjë të keqe që të ndiqet një model që optimizon nevojat e shëndetiit publik me kujdesin maksimal për moscenimin e të drejtave dhe rendit politik dhe kushtetues. Por e keqja që pason mund të ndikojë për keq në rezultatet e deritanishme që janë maksimalizuar duke parë vetëm në një drejtim: ruajtjen e jetëve njerëzore.
Një parim fisnik dhe në të vërtetë i vetmi i pranueshëm në një vend si ky yni ku mund t'ia lejojmë vetes varfërinë, por jo edhe vdekjen për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesave bazike. Ky do të ishte fundi i besimit në këtë vend.
Këtu problemi që lind qëndron në faktin nëse për fazën e hapjes duhet të ndjekim Italinë siç po bën qeveria apo jo. E vërtetë, thuajse të gjitha vendet europiane kanë vendosur të njëjtat data lehtësimi: 4 maj, 11 maj dhe 18 maj duke shpresuar se qershori do të mundësojë nisjen e një sezoni real turistik.
Shqipëria për fat të mirë dhe për arsye të menaxhimit u kursye deri diku mga një pandemi shkatërrimtare. Të kuptohemi drejt: çdo humbje jete është një fatkeqësi dhe asnjë jetë nuk mund të renditet si statistikë. Por në çdo rast ka dallim të madh dhe ndikim në psikologjinë e shoqërisë kur vdekjet kalojnë nga dyshifrore në treshifrore.
Në këtë kuptim, qeveria do të duhet të lexonte siç duhet këtë aspekt pozitiv dhe ta përkthente në lehtësi të tjera nisur nga një realitet që nuk ngjan më me Italinë. Qeveria ka premtuar se do të kemi edhe një spital të tretë CoVid dhe për valën e dytë që parashikohet në vjeshtë, kjo është një masë e domosdoshme.
Por shtrëngimi sipas një modeli të ngurtë nuk justifikohet dhe aq, sidomos në kushtet juridike të gjendjes së fatkeqësisë natyrore që zgjat deri më 23 qershor. Që do të thotë se çdo luhatje e mundëson qeverinë të rikthejë shtrëngimet brenda suazës së kësaj gjendjeje.
Protokolle sigurie patjetër, por karantina dhe fashat orare kanë humbur kuptimin dhe po sfidojnë durimin pa dhënë ndonjë ide të qartë se çfarë dobie kanë përtej.
Add new comment