Drejtësi e pavarur përveçse nga Amerika

Postuar në 30 Prill, 2020 21:12

Sot në media është shpërndarë një njoftim sipas të cilit ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim “ka zhvilluar sot një takim me kryetar e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani”.

Unë u njoha me gjyqtarin Dvorani sot për të diskutuar rëndësinë e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të institucioneve gjyqësore. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht zbatimin e reformave në drejtësi në Shqipëri. Ne duhet ta përkulim harkun e historisë drejt drejtësisë

citohet ambasadorja. 

Ndoshta zonja mendon se fjalët e saj janë ligj dhe në politikën shqiptarr edhe ndoshta, por mesazhet e saj dekodohen në një mënyrë të vetme: këto janë tonat dhe nuk i prekni dot. Dvorani është i yni. Për çfarë lloj drejtësie po flasim? Atë që ligjërohet nga vizita ambasadorësh, për drejtësinë e prokuruar konsullore? Lind kjo pyetje pasi takimi në fjalë nuk i shpëton dot kontekstit politik aktual në të cilin Dvorani përfaqëson përgjegjësin kryesor për situatën në Gjykatën Kushtetuese. 

Zoti Dvorani ka një betejë të hapur me presidentin e Rrepublikës i cili ka kërkuar largimin e tij. Mirëpo ky konflikt mund të zgjidhet në rrugë proceduriale dhe nga ky rregull nuk mund të bëjë përjashtim as Dvorani kushdoqoftë ai. 
Në këtë kuptim vizita e ambasadores ngjan si një lloj mbrojtjeje që nuk ka të bëjë me arsyetimin juridik dhe kushtetues por me politikën e më të fortit. 
Nëse mund të kujtojmë një episod të ngjashëm para disa vitesh ku ish-kryeministri vizitoi në shtëpinë e vet ish-zv.kryeministrin një ditë para seancës gjyësore në Gjykatën e Lartë. Një akt i pastër shantazhi ndaj gjykatës. 

Ka dallim vallë sjellja e Sali Berishës nga kjo e Yuri Kim sot? Fare. Ambasada imponoi në Shqipëri një reformë paçavure që prodhoi një shkërmoqje të sistenit gjyësor, një proces vettingu me standarde të dyfishta, një prokurori me titullar me mandat politik dhe aktualisht një situatë kaotike në Gjykatën Kushtetuese për të cilën po t'i besojmë arbitrit të gjithëpranuar, Komisioni i Venecias, ka përgjegjësi direkte Ardian Dvorani. Sipas këtij opinioni ky individ provokoi me aktet e veta situata që e vendosën presidentin në kushtet e reagimit ndaj pasojave të tyre. 

Një individ si ky Dvorani, që pompohet si zgjidhja e halleve të drejtësisë, nëse do të kishte me të vërtetë integritet dhe profil të lartë si figurë, do të kishte dhënë dorëheqjen, akti i vetëm që kompenson turpin e shkeljeve shkel e shko të majës së jurisprudencës. 

Jo, shohim të kundërtën. Ai pranon mbrojtjen e një ambasadoreje në emër të një karriere që duket qartë që nuk është shërbim ndaj drejtësisë, por ndaj direktivave që vijnë nga kushedi ku dhe nga kushedi kush zyrtar që e ka Shqipërinë çështje statistikore. 

Proteksionizmi i ambasadave nuk është vetëm për këtë arsye i dëmshëm. Ai është i dëmshëm sepse ligjëron drejtësinë e klaneve. Nëse Dvoranin që nuk mbron dot veten, e mbron Yuri Kim, pse vallë mos të ketë gjyqtarë të Berishës, Metës apo edhe të Kujtim Gjuzit? Është i njëjti deformim që bëhet. 

Ndoshta ka njerëz që besojnë se ShBA po mbrojnë reformën në drejtësi. Mos more se të vjen të qash nga gëzimi! Kur vallë ShBA ka adoptuar moton “Albania First”? ShBA po mbrojnë axhendën e vet me të vetmin mjet që dinë: forcën.

E keqja është se ne nuk e njohim këtë axhendë, kurse qesharakja është se ndoshta as këta sevdallinjë e ambasadës që nga kryeministri e deri te ky ushtari i drejtësisë, Dvorani, nuk e dinë, dramtikja ështe se këta ndoshta as duan ta dinë. Mjafton që tymi të ecë drejt në oxhakun e tyre(pavarësisht çmimit të oxhakut). 

s.zaimi

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.