Propozime nga e majta: Qeveria të paguajë sigurimet shoqërore për 61 mijë të papunët e pandemisë
Problemi ekonomik po fiton terren mbi atë shëndetësor të krijuar nga epidemia. Nëse qeveria sot deklaron jo pa të drejtë se e mbajti në kontroll epideminë, ndonëse shkaqet e kësaj dukurie mund të jenë komplekse, ajo ende nuk di të përgjigjet për situatën ekonomiko-sociale të krijuar.
Çështja që ngre krye këtu është ajo sociale dhe lidhet me shtresat më të varfra të shoqërisë që nuk mund t’ia lejojnë vetes të kenë qoftë edhe një të papunë në shtëpi, e jo më papunësi gati dymujore.
Në këtë kuadër propozimet që bëhen të janë disa. Ish-deputeti Koço Kokëdhima, aktualisht drejtues I partisë “Zgjidhja” sugjeron se qeveria duhet të paguajë sigurimet shoqërore të të papunëve.
Drejtoria e Tatimeve deklaroi sot se situata e krijuar nga Covid-19 po jep pasoja të dukshme te punësimi dhe deri tani janë larguar nga skema e sigurimeve shoqërore 61 mijë punonjës. Sipas INSTAT-it, këta i janë shtuar numrit të të papunëve në vend, duke e rritur papunësinë me 37%, në krahasim me fundin e 2019-s.
Për qeverinë ata janë vetëm përfitues të ndihmës financiare prej 26 mijë lekësh për tre muaj, por nuk u mbulohen kontributet e sigurimeve shoqërore, ndryshe nga pakot e ndihmës që ofruan qeveritë e vendeve të tjera. Në një vend ballkanik më të vogël se Shqipëria, Slloveni, të vetëpunësuarit që u deklaruan të prekur nga kriza përveçse përfitojnë pagesa nga 350-700 euro për muajt mars, prill dhe maj, shteti do t’u mbulojë të gjitha kontributet e sigurimeve shoqërore.
‘Zgjidhja’ i bën thirrje qeverisë që të bëjë të njëjtën gjë edhe me 61 mijë punonjësit e dalë pa punë nga pandemia. Ajo nuk mund t’ua lërë në derë bizneseve pa aftësi paguese dhe pa të ardhura, pagesën e sigurimeve shoqërore, siç tentoi të bëjë me garancinë sovrane për kreditë me terma tregtarë, por të paguajë, siç po bëjnë shumë qeveri të tjera
ka deklaruar Kokëdhima.
Biznesi në përgjithësi është shprehur I pakënaqur me garancinë sovrane dhe përtej heshtjes së biznesit të madh krijohen dyshime se aferat dhe marrëdhëniet klienteliste që kjo qeveri ka patur me të para krizës, do të jetë modeli nga kalon dëmshpërblimi për kostot e sotme. Sigurisht jo me politika favorizues, që do të ishte normale, por me para publike dhe kontrata. Por le të shpresojmë se e kemi tërësisht gabim.
Add new comment