Amnistia fiskale, një nismë në mjegull

Postuar në 28 Prill, 2020 10:55
Prof.As. Dr. Artan Xh. Duka

Qeveria po bën të sajën për të kontrolluar epideminë dhe ndonse në krahasim me vënde të tjera situata është inkurajuese, debati publik dhe politik rreth masave kufizuese, koha kur u ndërmorrën, shtrirja në hapësirë dhe kohë, shpenzimi i parasë etj do vijojë gjatë. Jemi të gjithë në kushtet e së panjohurës dhe vetëm koha do tregojë. 

Në “mjegullën” ku endet balanca mes jetës dhe jetesës së qytetarit, është e rëndësishme që askush që ka diçka në dorë të mos spekullojë dhe qeveria me kompetencat e situatës së luftës, opozita, media informative etj, të distancohen ndaj çdo tentative për përgojim dhe abuzim.

Opozita ka akoma rastin të dëshmojë luajalitet ndaj interesave jetike të qytetarit duke mbështetur dhe sugjeruar përmirësime të mëtejshme rreth masat kufizuese gjithnjë me referencë sugjerimet e OBSH, përvojave në perëndim dhe veçantitë tona. Qasja “as mish as peshk” apo “bjeri t’i biem në një brimë” duke bërë opozitë për hir të opozitës e krijuar konfuzion mediatik me iluzionin se do të fitojë ca pikë në politikë, apo më keq, do të “pluhurosë” ca gjëra për të cilat drejtësia po shndërrohet në makth, nuk shkon në një situatë lufte dhe me gjasa kompromenton imazhin dhe rëndon më tej të pashpresët. 

Qeveria ndërkohë ka kompentenca të jashtëzakonshme dhe duhet të bëjë shumë kujdes të mos bjerë apo përflitet për autoritarizëm dhe abuzim. Masat duhen ndërmarrë, sqarimet duhet dhënë por dhe rekomandimet e opozitës dhe palëve të tjera duhet të mirëkuptohen dhe konsiderohen sepse në këtë betejë jemi të gjithë. Rëndësi ka njëkohësisht shëndeti fizik dhe ai mendor dhe kyçja brënda katër mureve për qënie tepër sociale siç jemi ne shqiptarët, masat për mbrojtjen e jetës nga njëra anë dhe shqetësimet për liritë e qytetaritnga ana tjetër, të gjithë janë sfida reale ndaj edhe vendimarrjet e ekuilibruara duhet të synojnë sa më shumë të jetë e mundur dakortësi në politikë e më gjërë.

Ligjet që kalon parlamenti duhet të paraprihen nga një konsultim i respektueshëm mes palëve brënda apo jashtë parlamentit, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile dhe ekspertë të fushës. Kjo për qeverinë garanton një ligj që nuk përgojohet por merr “bekimin” e të gjithëve brënda dhe jashtë parlamentit, kurse për opozitën mundëson ndjesinë e përmbushjes së kontributit në të mirën e interesit publik. Kompetencat e mëdha, janë më shumë përgjegjëshmëri e pritshmëri për transparencë dhe mirëkuptim politik e social.

“Mjegulla” e pandemisë nuk është ideale për transparencë ndaj publikut dhe amnistia fiskale, nëse duhet bërë, duhet bërë si duhet e në kohën e duhur dhe jo kur fokusi si shoqëri është tjetërkund! Sa jetike për një ekonomi post-pandemi dhe aspiratën e qytetaritqë të gëzojë ditën me diell hakun e punës së ndershme në të shkuarën, ajo mund të jetëedhe rrënuese, nëse nuk bëhet siç duhet, për moralin e ligjit, shtetit dhe atë qytetar. 

Sot kur pritshmëria ndaj parlamentit janë ligjet që garantojnë mbijetesën e qytetarit dhe ekonomisë, duhet bërë kujdes me çështje që mund të zgjojnë tensione të panevojshme politike e sociale dhe mund të shndërrohen në bumerang për vetë politikën.

Nuk është hera e parë që ecet me dy kute duke nxjerrë zbuluar qytetarin korrekt! Nga amnistia e lekut, falja e faturave, borxheve, kamatvonesave, gjobave, diferencimi “toka jo tek i zoti por tek më i zoti!” sipas ligjit 7501, favorizimi me investime i zonave informale ndërkohë që kompensimi ish-pronarëve të tokës katandiset kokoshi një thelë edhe ai në letra, diskriminimi i qytetarit në banesë shtetërore ish-pronë private ndaj qindramijra qytetarëve qëprivatizuan banesë në vitet 90, dhënia e pasurive e pronave atyre që demokracia i gjeti në punë atje(!), pabarazia mes pronarëve të tokës me tapi akoma në xhep dhe atyre të banesave me çelsa në xhep, pensioneve para dhe pas demokracisë, kompensimet e pabarabarta mes vetë pensionistëve (psh. faturat e energjisë) etj politika e praktika zhgënjyese 30 vjeçare që rrënojnë imazhin e politikës e kompromentojnë besimin e qytetarit kurdoherë korrekt me ligjin ndaj saj. 

Amnistia do të krijonte preçedentin “kaloi miu nën mustaqe” dhe nëse duhet bërë, duhet bërë më kujdes, në kohën e duhur dhe me kritere të qarta, nga përkufizimi realist i ardhurave të justifikueshme, nivelet e ndryshme e të arsyeshme të taksimit, kategoritë e burimeve dhe origjinave të arsyeshme, kriteret për rastet që bien ndesh me etikën sociale, diferencimi mes lekut në të zi dhe atij të zi (krimi, korrupsioni apo abuzimi politik) etj. Amnistia duhet të synojë mbështetje sa më të gjerë dhe përfitues i saj duhet të jetë në rradhë të parë qytetari korrekt që respektoi dhe zbatoi ligjin këto 30 vjet (pensione e rroga më të larta, investime në mjediset publike etj). 

Dhe dilema kryesore mbetet si do të trajtohet ripërsëritja e rasteve në fjalë për më tej! Nëse amnistia shndërrohet në telenovelë, ajo jo vetëm do vijojë të diskriminojë punën e qytetarit korrekt ndaj ligjit por dhe do provojë dështimin e shtetit për të krijuar kushte e mundësi ekonomike dhe kontrolluar si duhet se punohet e fitohet në respekt të ligjit nga tëgjithë.   

 

Të gjithë biem dakort e punojmë për demokraci, shtet ligjor dhe ekonomi tregu, të gjithë rendim ndaj lekut dhe pronës dhe të gjithë jemi të dedikuar ndaj aleancës me SHBA e BE. Ky është distancimi më kuptimplotë nga çdo e shkuar antidemokratike pa dallim. Drejtësia të bëjë të sajën për abuzimet e çdo kohe, qoftë monarki, okupim, monizëm apo demokraci dhe distancimi real ndaj së shkuarës nuk duhet të bëhet mbi bazën e kriterit ideologjik por atij kombëtar dhe ligjor sepse patriotizmin, që na bashkon të gjithëve, nuk e nxë asnjë kornizë ideologjike! 

 

Zhvillimet më të fundit rreth ligjit të lustracionit, janë një tjetër çështje që meriton debat të gjithanshëm sërisht në kohën e tij. Refreni anti-komunist që fut gjithshka në një thes vetëm shpërqëndron shoqërinë e fokusuar tek dalja nga e keqja që na ka pllakosur sot. Një debat, që kur përdoret politikisht, më shumë sesa mbyll plagët e së shkuarës, i mban hapur ato. 

Patjetër që demokracia duhet të distancohet nga çdo e shkuar autokratike por antikomunizmi nuk është automatikisht patriotizëm, demokraci e as proamerikanizëm (ishin komunistët që u rreshtuan krahas SHBA në luftë ndaj fashizmit dhe jo kolaboracionistët qëtentohet të rehabilitohen sot). 

Për t’i dhënë kredo morale e sinqeritet politik kësaj inisiative dhe për bërë bashkë të tërë, ajo duhet të përfshijë në parim një distancim historik jo vetëm ndaj të shkuarës problematike të monizmit por dhe asaj të monarkisë, kolaboracionizmit, anti-komunizmit që pas lufte gjeti jatak tek antishqiptarizmi shekullor i fqinjëve që përfituan nga 1913, dhënien fund e distancimin nga rehabilitimet, nderimet e monumentet që krijojnë ndasi ose në tëkundërtën, lirinë e nderimit dhe kujtimit për këdo pa dallim etj. 

Duhet bërë dallimi mes ideologjisë dhe abuzimit me të, ndryshe distancimi në “thes”, krijon pështjellim, subjektivizëm dhe preçedent negativ. Epërsia e demokracisë është se mundëson, sa kohë të distancuara nga dhuna, lirinë e evoluimin e ideologjive pa dallim. 

Një etiketim dhe privim nën logon e “komunistit” do të krijonte një preçedent për tënjollosur në “thes” me argumentin e abuzimit në këtë apo atë rast, të çdo ideologjie e sistemi pa dallim. Nga demokracia sa kohë nëpërkëmbet drejtësia dhe ligji nuk është njëlloj për tëgjithë, monarkia me si erdhi e iku nga pushteti dhe autokracinë e kohës, nacionalizmi e bashkëpunimi i syresh me okupatorin në dëm të interesit shqiptar dhe anglo-amerikan, deri ideologjia fetare me Inkuzicionin, përplasjet nga koha e kryqëzatave mes feve të ndryshme apo edhe brënda të njëjtit lloj, terrorizmi i sotëm etj.  

Asgjë nuk është bardhë e zi dhe sikurse mjaft monarkistë e nacionalistë patriotë para, gjatë dhe pas lufte ishin larg ideologjisë komuniste por afër interesit kombëtar, ashtu edhe mjaft komunistë e nëpunës, kudo në hierarkinë e shoqërisë e të shtetit monist, besonin, përtej ideologjisë së kohës, tek interesi kombëtar duke qënë qytetarë korrektë e punëtorë që dhanë sa kishin mundësi për të. Deri edhe Sigurimi i Shtetit kur përballej me platforma shekullore antishqiptare në rajon që sesa fundin e komunizmit shqiptar synonin fundin e shtetit shqiptar.Të gjithë meritojnë t’u heqim kapelen dhe jo etiketime reminishencë të së shkuarës sidomos prej atyre që për ironi anatemojnë luftën e klasave me më shumë zell se kushdo. 

Ndarja “ne dhe ata” në demokraci është sabotim i demokracisë që mekanizëm të vetëm të dallimit mes nesh ka respektin ndaj ligjit, meritën dhe votën e lirë. Nëse duhet rishikuar e kaluara, duhet rishikuar me mëndje të ftohtë e qasje gjithëpërfshirëse dhe jobardhë e zi duke i dhënë prioritet gjërave që nuk na ndajnë por na bashkojnë historikisht, në rradhë të parë patriotizmit si vlerë mbi çdo ideologji e sistem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.