Përvoja me CoVid-19/Ventilatorët, masa e fundit që duhet marrë
Andre Bergmann, një mjek 48-vjeçar me koronavirus, zgjodhi klinikën e mushkërive “Bethanien”, në Moers, afër shtëpisë së tij në Gjermaninë veriperëndimore. Klinika njihet për gatishmërinë e saj për t’i vendosur pacientët me vështirësi në frymëmarrje në ventilatorët mekanikë – tipi që me tubat që shkojnë thellë në grykë.
Babai i dy fëmijëve shqetësohej se një ventilator invaziv do të ishte i dëmshëm. Por shumë shpejt, për Bergmann, ventilatori u bë i pashmangshëm.
Megjithatë, mjekët nuk e lidhën kurrë me një pajisje që do të kryente frymëmarrjen për të. Një javë më vonë, ai e kishte marrë veten dhe ishte gati për t’u kthyer në shtëpi.
Rasti i Bergmann ilustron strategjinë e mjekëve për përdorimin e ventilatorëve mekanikë. Nëse fillimisht mjekët e mbushnin kujdesin intensiv me pacientë në intubim, tani shumë janë duke eksploruar mundësi të tjera.
Makineritë që i ndihmojnë njerëzit të marrin frymë janë bërë arma kryesore për mjekët që luftojnë COVID-19, epidemia që deri më tani ka vrarë më shumë se 183 000 njerëz. Pak javë asi u shfaq sëmundja, qeveritë në mbarë botën u përpoqën të krijojnë ose të blejnë ventilatorë pasi shumica e spitaleve nuk kishin mjaftueshëm.
Gjermania ka porositur 10 000 të tillë. Administrata e Presidentit Donald Trump po shpenzon 2.9 miliardë dollarë për afro 190 000 ventilatorë. Qeveria amerikane ka kontraktuar me prodhues automjetesh të tilla si General Motors Co dhe Ford Motor Co si dhe prodhuesit e pajisjeve mjekësore, dhe dorëzimi i plotë pritet deri në fund të vitit. Trump deklaroi këtë javë që ShBA tani ishte "mbreti i ventilatorëve".
Sidoqoftë, ndërsa mjekët e njohin gjithnjë e më mirë virusin dhe atë që i shkakton trupit, shumë thonë që janë bërë më të kursyer me pajisjet e frymëmarrjes.
Reuters intervistoi 30 mjekë dhe profesionistë mjekësorë në vende përfshirë Kinë, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë përvojë në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Pothuajse të gjithë ranë dakord që ventilatorët janë me rëndësi jetike dhe kanë ndihmuar në shpëtimin e jetës. Në të njëjtën kohë, shumë vunë në dukje rreziqet nga përdorimi i llojeve më invazive - ventilatorët mekanikë - shumë herët ose shumë shpesh, ose nga jo-specialistë që i përdorin ato pa trajnime të duhura në spitalet e mbingarkuara.
Rezultate më të mira
Mënyra të ndryshme të ventilimit përdorin maska për të ndihmuar furnizimin e mushkërive me oksigjen. Por mjekët janë të shqetësuar për ventilimin mekanik, i cili ka të bëjë me futjen e tubave në rrugët e frymëmarrjes së pacientëve për të pompuar ajrin, një proces i njohur si intubacion. Kur i nënshtrohen këtij procesi, pacientëve u jepen qetësues të fortë, për të ndaluar muskujt që aktivizohen gjatë frymëmarrjes të luftojnë makinerinë.
Pacientët më vështirësi të rëndë në frymëmarrje, të njohur si hipoksia, intubohen në ventilator për 2-3 javë, me një shans 50% me 50-% për të dalë sërish prej andej.
Situata evoluon, por sugjeron që njerëzit me COVID-19 që janë intubuar kanë pasur, të paktën në fazat e hershme të pandemisë, një normë më të lartë vdekshmërie sesa pacientët e tjerë në ventilim, që kanë edhe sëmundje të tjera si pneumonia bakteriale ose problemet me mushkëritë. Megjithatë, kjo nuk është provë që ventilatorët kanë shpejtuar vdekjen: Lidhja midis intubacionit dhe niveleve të vdekjes ka nevojë për studim të mëtejshëm, thonë mjekët.
Në Kinë, 86% e 22 pacientëve COVID-19 nuk mbijetuan në ventilim invaziv në një njësi të kujdesit intensiv në Vuhan, qyteti ku filloi pandemia, sipas një studimi të botuar në “The Lancet” në shkurt. Normalisht, studimi thotë se pacientët me probleme të rënda të frymëmarrjes kanë një shans 50% për të mbijetuar. Një studim britanik i kohëve të fundit zbuloi se dy të tretat e pacientëve COVID-19, të vendosur në ventilatorë mekanikë, ndërruan jetë dhe një studim në Nju Jork zbuloi se 88% e 320 pacientëve të COVID-19 të ventiluar mekanikisht nuk mbijetuan.
Mjekët e intervistuar nga “Reuters” thonë se ventilatorët mekanikë janë pajisje thelbësore për shpëtimin e jetës, veçanërisht në raste të rënda kur pacientët përkeqësohen papritur. Kjo ndodh në rastet e pacientëve, sistemet imunitare të të cilëve mbingarkohen nga ajo që njihet si "stuhi citokine" e inflamacionit që mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut, dëmtim të mushkërive dhe mosfunksionim të organeve.
COVID-19, sëmundja që shkakton virusi, është krahasuar me pandeminë e gripit spanjoll të vitit 1918-19, e cila vrau 50 milionë njerëz në të gjithë botën. Njësoj si atëherë, sëmundja është e re, e rëndë dhe përhapet me shpejtësi, çka i zhvendos kufijtë e shëndetit publik dhe njohurive mjekësore që kërkohen për ta trajtuar atë.
Mushkëritë që ndryshojnë
Në Vuhan, ku u shfaq koronavirusi fillimisht, mjekët në Spitalin Tongji në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong thanë që fillimisht e përdorën në fazat e hershme intubimin. Li Shusheng, shefi i departamentit të kujdesit intensiv të spitalit, tha se disa pacientë nuk u përmirësuan pas trajtimit të ventilatorit.
"Sëmundja," shpjegon ai, "i kishte ndryshuar mushkëritë e tyre përtej asaj që mund të imagjonohet". Kolegu i tij, Xu Shuyun, një mjek i specializuar në problemet e frymëmarrjes, tha që spitali u përshtat duke ndërprerë intubacionin.
Luciano Gattinoni, një profesor i ftuar në Departamentin e Anesteziologjisë, Mjekësisë Emergjente dhe Kujdesit Intensiv, Universiteti i Göttingen në Gjermani, dhe ekspert i njohur në ventilatorët, ishte nga të parët që ngriti pikëpyetjen se si duhet të përdoren ata për trajtimin e COVID-19.
"E kuptova sapo pashë skanerin e parë ... që kjo nuk kishte asnjë lidhje me atë që kishim parë dhe bërë për 40 vitet e fundit", i tha ai Reuters-it.
Në Gjermani, specialisti i mushkërive, Voshaar, shpreh gjithashtu shqetësim. “Një ventilator mekanik mund t’i dëmtojë mushkëritë”, thotë ai. Kjo do të thotë që pacientët të qëndrojnë në kujdes intensiv më gjatë, duke bllokuar shtretërit dhe duke krijuar një rreth vicioz në të cilin nevojiten gjithnjë e më shumë ventilatorë".
Reuters/Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT
Add new comment