Seksologjia islame
“Manuali Mysliman i Seksit: Një guidë hallall për seks fantastik”, një vëllim i hollë i botuar në vitin 2017 nga një grua myslimane me pseudonimin Umm Muladhat, është një përmbledhje me këshilla seksi. Libri nuk ofron një servirje të re të këshillave të vjetra, as nuk shërben si spirancë për t'i mbajtur të gjitha së bashku. Proza e Muladhatit duket sikur është shkëputur nga faqet e “Cosmopolitan” dhe botimeve të veta. Libri u premton lexuesve t’i çojë në botë të vogël kënaqësie dhe “t’ju mësojë si ta bëni burrin t’ju shikojë me epsh të shfrenuar… ta ktheni në një burrë që nuk mund t’i heqë duart prej jush dhe të bëhet xheloz kur meshkujt e tjerë thjesht ju hedhin sytë”.
Megjithatë pak ditë nga botimi i tij, ky libër tërhoqi vëmendjen e medias dhe blogerëve në të gjithë botën. Kjo kishte pak ose aspak lidhje me njohuritë e saj. Gjithçka kishte lidhje me risinë që përfaqësonte një grua myslimane që shkruan hapur për seksin për lexuesit myslimanë.
Habia ishte e pritshme. Ndërsa bota myslimane është e shpërndarë dhe tepër e ndryshme, kritikët dhe studiuesit kulturorë myslimanë shpesh kanë vërejtur një ngurrim të heshtur kur është fjala për të folur për seksin, veçanërisht në sferën publike, në shumë bashkësi me shumicë myslimane. Kur del tema e seksit, shpesh ajo është në kontekstin e predikimit për modestinë dhe ndarjen gjinore, ose bisedat private apo këshillimi martesor thjesht për mekanikën seksuale, e veshur me vlera heteronormative. Edhe kombet relativisht liberale me shumicë myslimane, si Libani dhe Tunizia, e kanë të vështirë bisedën mbi seksin. Libani lançoi programin e parë modern të botës arabe për seksin në 1995, por iu desh ta shmangte atë pesë vjet më vonë për shkak të reagimit fetar; asnjë komb tjetër arab nuk u përpoq të ketë sukses aty ku ata dështuan derisa e bëri Tunizia, në fund të vitit të kaluar.
Shumë përpjekje të mëparshme për të shkruar për seksin dhe intimitetin nga një perspektivë islamike kanë dështuar përballë censurës dhe kritikës. Në vitin 2011, mjeku pakistanez Mobin Akhtar u përpoq të lançonte “Edukimin Seksual për Myslimanët” dhe përfundoi duke u marrë në pyetje nga një zyrtar i qeverisë lokale, u vu në lojë nga kolegët e tij dhe u gjet përpara kërcënimeve për gjoja nxitje të ligjërimit joislamik. Autori mysliman afrikano-verior i romanit erotik "Almond (2004)" përdori pseudonimin Nedjma për të minimizuar një reagim të ngjashëm, dhe ka kritikuar hapur qasjet e myslimanëve që e shohin diskursin seksual si "të shpërfytyruar". Ekspertë të edukimit si Mohamed Shahidul Islam dhe Mizanur Rahman nga Universiteti i Dhakas në Bangladesh, janë ankuar se e gjithë kjo i bën mësuesit të punojnë mbi një këndvështrim mysliman, që mbështetet në materiale laike që mund të mos u drejtohen atyre ose komuniteteve të tyre kur provojnë të krijojnë programe të edukimit seksual.
Kjo mungesë e dukshme e motivoi Muladhatin të shkruante “Manualin e Seksit për myslimanët”. Ajo kishte vërejtur se të rinjtë myslimanë ankoheshin për ngurrimin e miqve dhe familjeve të tyre për të folur për seksin mbi baza fetare - për të marrë mësime të shpejta për funksionimin seksual, por kurrë nuk mësuan për spektrin e plotë të dëshirës dhe aktivitetit seksual pa u parë shtrembër. Shumë më tepër dukej se besonin që besimi i devotshëm të jep mandatin e “një jete të plogët seksuale dhe pamundësinë për të dalë nga kjo”. Këta miq i thanë asaj se njohuria dhe qasja e hapur që ajo kishte ndaj seksit ishte unike dhe e vlefshme. Si ajo, edhe shtypi e përdorën këtë nocion për ta promovuar librin e saj si risi.
Por mungesa që Muladhat dhe recensionuesit e saj vunë re në të vërtetë është një fenomen i kohëve të fundit. Që nga lindja e islamit e deri rreth 150 vjet më parë, bota myslimane ishte një vatër e këshillave seksuale të qarta, çliruese dhe erotike që të na bëjnë të skuqemi edhe sot - një hapje e zakonshme dhe e dukshme që unë e quaj seksologjia islamike. Në fakt, islami ishte aq i hapur për seksin, saqë kultura fqinje të krishtera më pak të hapura shpesh u përpoqën ta njollosin atë si besimi i zgjedhur nga devijantë të çmendur për seks. Qysh në vitin 962, shkrimtari i krishterë Hrotswitha në Gjermani censuroi kalifin Abd al-Rahman III të Kórdoba dhe bashkatdhetarët e tij në “Pasioni i Shën Pelagiusit” si “vepër e shthurur nga mëkati i sodomisë' dhe 'e ndotur me epshin e mishit'.
Jo të gjitha këshillat në seksologjinë islamike kanë ardhur mirë në kohët moderne - si këmbëngulja e Avicenna, dijetar persian i shekullit të XI dhe babai i mjekësisë dhe filozofisë moderne, se vendosja e një speci djegës në vaginën e një gruaje pas marrëdhënies së pambrojtur ishte po aq e besueshme sa çdo plan B. Mënyra me të cilën shkrimtarët myslimanë nëpër shekuj flisnin për penetrimin anal mashkullor në mënyrë të qenësishme tërheqëse ose patologjike, për të mos përmendur një numër tropesh të tjera të zakonshme për gjininë dhe seksualitetin, që gjithashtu sigurisht përplasen me vlerat moderne laike dhe përparimtare. Por disa këshilla të zakonshme, siç janë thirrjet që burrat të eksplorojnë më shumë paralojën, anatominë dhe orgazmën femërore, si dhe mënyrën se si seksologjia islamike e shikon seksin si një burim kënaqësie në të drejtën e vet, të shumëllojshme dhe të hapur për eksplorime dhe eksperimente, janë po aq të vlefshme tani.
Seksologjia islame u zbeh nga vetëdija popullore me rritjen e një vale konservatorizmi fetar, i cili ka ndikuar në shumicën e komuniteteve moderne islamike deri në një farë mase. Por ajo kurrë nuk u zhduk plotësisht. Shumë myslimanë sot ndjekin ose përfshihen në debate dhe biseda të hapura seksuale të udhëhequra si nga figura relativisht konservatore siç është Heba Kotb, e cila drejton një emision me këshilla seksuale në një TV egjiptian, dhe haptazi nxitës dhe edukatorë përparimtarë si Wazina Zondon në Shtetet e Bashkuara dhe aktivistë që punojnë brenda një kornize islamike si Helem në Liban ose Nazariya në Indi. Ata jo vetëm që rivalizojnë aktivistët laikë të çështjeve të seksit, arsimtarët dhe shkrimtarët, por nxjerrin në pah një diversitet të jashtëzakonshëm të stereotipit brenda besimit.
Seksi shfaqet në tekstet më të hershme fetare të Islamit: Kurani, fjala e drejtpërdrejtë e Zotit dhe në hadithe, tregime mësimore të veprave dhe thënieve të profetit Muhamed, të transmetuara gojarisht përmes shoqëruesve të tij më të ngushtë, megjithëse janë shkruar vetëm rreth 150 vjet pas vdekjes së tij në shekullin VII. Kurani tregon vlerat gjithëpërfshirëse që mund të priten nga një besim abrahamian, siç janë paralajmërimet kundër seksit jashtë martesës dhe lavdërimi i modestisë në publik dhe dëlirësisë. Por dhjetëra hadithe ofrojnë qasje konkrete, shpesh të sinqerta dhe të hollësishme, profetike për seksin dhe seksualitetin.
Hadithe të shumta sugjerojnë se myslimanët e rinj shpesh e kanë pyetur profetin se çfarë do të thoshte konvertimi i tyre për jetën seksuale. Muhamedi u përgjigjet me ligjërata, ndër të tjera, për pëlqimin, paralojën dhe rëndësinë e të qenit i dhembshur dhe njëkohësisht i gjallë në shtrat. Një burrë, thekson ai, duhet më parë të sigurohet që partnerja e tij të jetë e kënaqur. Kjo është vetëm një anë e të qenit mysliman i mirë. Ai gjithashtu theksonte para ndjekësve rëndësinë e metodës së tërheqjes, madje e kishte shpallur seksin e mirë sadaka, pra një akt të shenjtë merite.
Në një rrëfim të njohur, profeti mbron burrin e devotshëm, i cili ia ka kushtuar jetën agjërimit dhe lutjes - dhe ka hequr dorë nga seksi përgjatë asaj kohe, duke e privuar kështu edhe të shoqen. Heqja dorë nga një e mirë të dhënë nga perëndia si seksi është një fyerje, sugjeron profeti. Shumica e ekspertëve bien dakord, bazuar në këtë hadith dhe të tjerë të ngjashëm, si dhe në ajetet kryesore të Kuranit, se Muhamedi besonte që gratë kanë të drejtë për kënaqësi seksuale, dhe burrat e tyre e kanë detyrim t’ua përmbushin atë të drejtë, nëse munden. Nëse një grua nuk merr kënaqësi seksuale të paktën një herë në katër muaj, kur ajo e ka një partner dhe ka edhe dëshirën të bëjë seks, interpretuesit e librit të shenjtë thonë se, ajo ka arsye ta divorcojë burrin dhe të kërkojë një partner më aktiv ose seksualisht më të përputhshëm.
Megjithëse dijetarët islamë kanë përpiluar mijëra hadithe që mbulojnë një seri temash seksuale në detaje të hollësishme dhe i kanë cilësuar ato si udhëzuesi kryesor i jetës dhe vlerave islame, prapë se prapë ato nuk mund të përfshijnë çdo aspekt të jetës njerëzore. Autoritetet islame edhe sot e kësaj dite nuk bien dakord mbi vërtetësinë e një hadithi të caktuar, duke pranuar se tregime të caktuara shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe se kjo mund të vijë për shkak mënyrës së pasaktë të interpretimit apo versioneve qëllimisht të trilluara. Për shembull, në një hadith thuhet se kushdo që kapet në akt seksual me një kafshë, duhet të vritet. Një tjetër thotë se kjo nuk është gjë e madhe.
"Islami nuk ka një Vatikan që të sanksionojë çfarë është në përputhje me normativën dhe çfarë jo", shpjegon Tim Winter, i njohur gjithashtu si Shejh Abdal Hakim Murad, një studiues mysliman britanik dhe konsulent për martesat islamike. Kështu që askush nuk mund t’i diskutojë kufijtë që vendos islami në çështjet e seksit.
Kjo mungesë sigurie është bërë shkak për shekuj të tërë debatesh mbi mënyrën e interpretimit të haditheve, duke nxjerrë thelbin e shpjegimeve më të vlefshme për t'i zbatuar ato në çdo gjë tjetër, përfshirë seksin. Nga mesjeta deri në epokën moderne, studiuesit islamë janë ndier të detyruar të analizojnë, të debatojnë dhe të vendosin edhe për detajet e çdo akti seksual ose dinamikën në tërësi, për të bërë të qartë se si do të përballeshin me këtë diskutim perëndia dhe profeti Muhamed. Dhe jo vetëm studiues dosido. Themeluesit e çdo madhhebi, ose shkolla të mëdha të mendimit juridik islam, që jetuan në shekujt IX dhe X dhe pasardhësit e tyre, eksploruan në thellësi detajet e seksit dhe seksualitetit. Studiuesi egjiptian i shekullit të XV, Al-Suyuti, shkroi të paktën 23 vëllime mbi këtë temë. "Përshkrimet eksplicite dhe rekomandimet mbi teknikat seksuale përfshihen gjithnjë në manualet e ligjit islam dhe etikës edhe sot”, thotë Winter.
Përgjatë shekujve, studiuesit fetarë kanë qenë të dyzuar mbi atë çfarë thonë saktësisht tekstet e shenjta për një numër aktesh seksuale, përfshirë atë seksin anal, thotë ekonomisti Junaid Jahangir, i cili jep mësim në Universitetin MacEwan në Kanada dhe studion seksualitetin në tekstet islamike. Kurani rrëfen historinë e Lut (arabisht Lot), e cila është përdorur për të dënuar seksin anal në shumicën e besimeve abrahamike; disa hadithe madje pohojnë se Muhamedi shprehej shprehimisht se seksi anal nuk ka të bëjë me islamin.
Sidoqoftë, studiuesit nuk kanë qenë dakord – me detaje eksplicite - se në çfarë mase është i palejueshëm nga Zoti seksi anal. Nga shekulli IX deri në XII, vë në dukje Jahangir, të paktën një prej shkollave të studiuesve sunitë argumentoi se papastërtia e feçeve dhe vrima anale, si edhe dhimbja e supozuar që ndien partneri që e përjeton një përvojë të tillë, kjo për shkak të mungesës së lubrifikimit natyral, e bëjnë seksin anal të pashije - por megjithatë kjo konsiderohet më shumë mekruh se sa haram. Kjo do të thotë, se Zoti e përçmon seksin anal dhe është kundër tij, por nuk e ndalon ose nuk i pengon ata që e praktikojnë. Edhe pse tekstet sunite u largohen qasjeve më të rrepta kundër kësaj praktike seksuale, shumica e studiuesve shiitë pohojnë se seksi anal nuk këshillohet por as nuk ndalohet, për sa kohë që partnerja femër e pranon në mënyrë entuziaste.
Dhe madje, edhe midis studiuesve sunitë që e dënojnë seksin anal, Jahangir vë në dukje se disa kanë debatuar mes tyre, dhe ende debatojnë edhe sot, mbi atë se ku saktësisht nis papastërtia anale dhe ku fillon seksi i palejueshëm. A është e lejueshme futja e gishtit ose të lëpish pjesën e jashtme të anusit të partnerit? Nëse dikush lejon një stimulim të jashtëm anal, atëherë kur konsiderohet se u kalua kufiri me gishtin në pjesën e brendshme?
Duke filluar nga shekulli IX, intelektualët myslimanë si Al-Jahiz, nga Bagdadi, dhe mjeku Al-Razi, i cili mbahet mend për studimin e tij për linë dhe fruthin, zhvilluan një lloj të veçantë të letërsisë seksologjike: 'ilm al-bah (arabisht: njohuri për penetrimin). Shpesh me bazë informimin që vinte veprat fetare, këto libra, përfshirë Enciklopedinë e Kënaqësisë të shekullit X nga mjeku Bagdadi Ali ibn Nasr al-Katib, ofrojnë këshilla pragmatike që bazohen në përvoja të jetuara dhe vëzhgime mbi seksin, si dhe kuptimin shkencor që kishte për të në atë kohë.
Enciklopedia e Al-Katib bazohet në ekzaminimin që mjeku grek i shekullit II, Galen, i bëri vajzës së tij, e cila preferonte seksin me femrat para atij me meshkujt. Galen e bëri një ekzaminim të tillë në përpjekje për ta shpjeguar lezbizmin si pasoja e një kruarjeje vaginale që mund të kënaqet vetëm nga lëngje të tjera vaginale. Ai citon Sokratin për të ndërtuar kauzën për seksin komunikues dhe bisedat e pista dhe e përdor lartësimin që beduinët i bënin dëlirësisë morale për gratë që i kishin larg me qëllim që ta dekurajonin seksin me dikë tjetër, duke argumentuar se seksi është thelbësor për një marrëdhënie të mirë. "Akti seksual, - pretendon ai, - i jep zjarr shpirtit, gëzim zemrës dhe përtërin intimitetin".
Në shumë raste, veprat e "ilm al-bah" ofrojnë disa pozicione seksuale me dhe pa penetrim, afrodiziakë, dhe produkte për zmadhimin e penisit dhe ngushtimin e vaginës, si dhe udhëzues gjithëpërfshirës për etikën e aktit seksual. Punime të tilla si “Kanuni i Mjekësisë” nga Avicenna i përcjellin këto njohuri në mënyrë të thatë. Të tjerët përdorin tregime dhe poema. Në “Unazën e Pëllumbit”, poeti dhe filozofi andaluzian i shekullit të XI, Ibn Hazm, reflekton mbi forcën e dashurisë në fazën e hershme përmes tregimit të “një burri që u plagos me dëshirë për një vajzë që banonte pranë tij”, dhe i cili, pasi mësoi se do ta shihte dhe mund të rrinte me të, bëhet “i çmendur dhe deliron nga kënaqësia; saqë dukej sikur fliste përçart”.
Të bazuar në përvojën e jetuar, autorët e ilm al-bah shpesh përshkruajnë, ose madje promovojnë, akte seksuale dhe dinamikë - siç është homoerotizmi – të cilin tekstet fetare mund të duket se nuk e pranojnë. Qabus-Nama - një udhëzues i shekullit të XI, i shkruar nga Keikavus, sundimtari i Tabaristanit, për djalin e tij, Gilanshah – i kushton një kapitull të tërë të mirave dhe të këqijave të heteroseksualizmit dhe homoseksualizmit, duke ardhur përfundimisht në favor të biseksualitetit. Një nga librat më të famshëm të 'ilm al-bahut në botën moderne është “Kopshti plot erë i kënaqësisë sensuale”, i shkruar nga studiuesi i njohur me emrin Al-Nefzawi, pranë një sundimtari të shekullit të XV në Tunizi. Përveç kapitujve në zhargon për organet gjenitale dhe “recetat për rritjen e dimensioneve të atyre që e kanë të vogël dhe për ta bërë të shkëlqyer performancën e tyre”, ai ofron një kapitull mbi kënaqësitë e të fjeturit me një burrë në krahasim ato që përjeton me gratë.
Paralelisht me 'ilm al-bah”, poetë në të gjithë botën myslimane krijuan gjithashtu një traditë të pasur (shpesh homo) erotike, nga veprat e shekullit të IX të poetit arabo-persian Abu Nuwas, në të cilat përshkruhet bukuria e djemve të rinj, deri te ato të Rumit, studiuesi mistik dhe fetar persian i shekullit të XIII. Një poet thellësisht i devotshëm, Rumi herë pas here përcillte ide rreth kërkimit të hyjnores përmes tregimeve të detajuara seksuale e shpesh qesharake, siç është ai në të cilin një grua kap shërbyesen e saj ndërsa shijon seksin me një gomar. Ziliqare për kënaqësinë e saj, gruaja futet poshtë gomarit dhe e detyron ta penetrojë. Por ajo injoron sugjerimin e shërbyeses së saj që të mos e lërë gomarin të shkojë thellë. Por organi i gomarit shkon aq thellë sa i dëmton zorrët dhe ajo vdes. “Kjo tregon rëndësinë e fjalëve të një mësuesi, sado i përulur qoftë ai, kur jeni në kërkim të ekstazës, qoftë religjioze apo fizike”, thotë Rumi.
Është e vështirë të thuhet se si njerëzit në të kaluarën i kanë parë këto fillesa të ndryshme të mendimit seksual ose i mblodhën ato dhe i përdorën në jetën e tyre. Amanullah De Sondy, një ekspert në historinë e seksualitetit në botën myslimane në Universitetin e Cork, hedh dyshimin se kjo mund të ketë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme me kalimin e kohës, nga vendi në vend dhe nga individi në individ. Disa lexues mund ta kenë refuzuar letërsinë erotike dhe traktatet shkencore dhe kanë parë vetëm manualet konservatore fetare për udhëzimet mbi seksin. Megjithatë, ne e dimë se disa figura fetare janë gjetur rehat në këtë pikë, për t’u shprehur kundër, le të themi seksit anal në tekstet fetare, por më pas kanë lexuar, shkruar dhe folur për erotizmin homoseksual në mënyrë më tolerante në kontekste të tjera. Ne gjithashtu e dimë se shumica e këtyre veprave kanë qarkulluar në mënyrë aktive në pjesën më të madhe të botës islame për shekuj të tërë.
Ndërsa qarkullonin, shpesh edhe duke iu referuar njëra-tjetrës, këto punime të marra së bashku formuan një linjë të pasur, të larmishme dhe të hapur të dialogut dhe kulturës seksuale: fushën e gjerë të seksologjisë islamike. Ndërsa pjesa më e madhe e kësaj vepre u shkrua nga dhe për burra në kontekste kryesisht heteroseksuale, vëren Habeeb Akande në librin “Shija e mjaltit” (2015), ajo ka shpesh kufij të qartë dhe rrugë qorre. Megjithatë, kjo traditë seksologjike reflektoi, dhe krijoi hapësirë potenciale kulturore për një koleksion mahnitës dëshirash dhe praktikash seksuale - madje edhe akte dhe identitete që interpretimi strikt i ligjit islamik i ndalon vazhdimisht, siç janë erotizmi homoseksual, arti pornografik, seksi jashtë martesës etj.
Kjo nuk do të thotë se të gjithë në të kaluarën islamike ishin liberalë, që të diskutonin hapur ose të përqafonin çdo veprim që përshkruhej në çdo tekst. Në të kaluarën, si tani, mund të gjesh njerëz që thjesht nuk ndiheshin rehat kur ishte fjala për seksin, ose që kishin një qëndrim edhe më konservator sesa kërkonin tekstet fetare. Jo të gjitha tekstet në seksologji ishin njësoj të famshme në kohë dhe në zona të caktuara, pasi shpesh kishte valë të shtypjes seksuale.
Ajo që del në pah: Kurani dhe hadithet e tij njohën ekzistencën e mukhannathun, një term që ka kuptimin 'burra të femërzuar, që u referohej atyre që ne tani i quajmë burra-femra, që bëjnë seks me burra, gra trans dhe interseks. Ndërsa shoqëria arabe i kishte pranuar prej kohësh mukhannathun-ët në hapësira shumë të kufizuara të saj, dhe myslimanët e hershëm dukej se të paktën i toleronin ata (në shkallë të ndryshme), myslimanë të fuqishëm si Marwan ibn al-Hakam, kalifi i katërt i perandorisë Umayyad dhe vëllai i tij Yahya përfundimisht vendosën që ata ishin njerëz të mëkatit. Ndërsa shërbente si guvernator i Medinës, njëri nga vëllezërit ekzekutoi një mukhannath të njohur dhe vuri një shpërblim bujar për kokën e çdo mukhannath-it tjetër në rrethin e tij. Më vonë, qeveritarët dhe pushtetarët u tërhoqën ose e shtuan këtë përndjekje.
Sidoqoftë, edhe nëse flasim për më tolerantët, komunitetet myslimane vetëm me raste i toleronin aktet homoseksuale - dhe kjo, kryesisht në hapësirat private. Mendimi islam shpesh i ka përshkruar si hiperseksualë burrat që u pëlqente të penetronin burra të tjerë; burrat pasivë si pre e një sëmundjeje; dhe gratë që preferonin aktet safiste si tradhtare të idealit femëror. Kështu që, ndërsa poetët mund të shkruanin poezi të nxehta dhe eksplicite për djemtë e rinj idealë, kurrë nuk kishte vend për dy individë të të njëjtit seks që të jetonin hapur si çift.
Me pak fjalë, ndërsa diversiteti i seksologjisë islamike krijonte hapësira të thella dhe të gjera të njohurive erotike, komunitetet myslimane vetëm me raste i toleronin homoseksualët dhe aktet e tjera që nuk shkonin pas normës islame - dhe kjo, kryesisht në hapësira private. Sidoqoftë, shkrimet ndihmuan për të mbështetur jetën e njerëzve që De Sondy u referohet si 'myslimanë të pabindur' - për shembull, Mirza Ghalib, poeti i shthurur Mughal i shekullit XIX. "Ai ishte i martuar dhe kishte shumë fëmijë," shpjegon De Sondy. "Ai i frekuentonte kurtizanet dhe dilte shëtitje në mjedise publike duke pirë alkool".
Përkundër gjithë kësaj, nga mesi i shekullit XIX, seksologjia ndryshoi në pjesën më të madhe të botës islame. Intelektualët, zyrtarët qeveritarë dhe gardianët e tjerë kulturorë filluan të përhapin shumë tekste ekzistuese, dhe ndalonin të tjera, për të promovuar vlera të dëlira seksuale dhe për të çrrënjosur atë që ata gjithnjë e kishin parë si të pistë dhe të sëmurë. Të paktën, siç vëren Jahangir, nëse poetët vazhdonin të shkruanin për të dashurit, ata filluan të siguroheshin që, si burra, të shkruanin vetëm për gra tërheqëse.
Çfarë i ndodhi kësaj tradite të pasur seksologjike? Përgjigjja qëndron në një fjalë të vetme: kolonializmi. Jahangir shpjegon se, meqenëse fuqitë evropiane filluan të dominonin ose të merrnin kontrollin e drejtpërdrejtë mbi tokat islamike në shekullin XIX, mendimtarët myslimanë adoptuan dy qasje të ndryshme, por po aq anti-seksuale. Një shkollë e mendimit thoshte se Perëndimi mund ta dominonte islamin në mënyrë kulturore dhe morale vetëm sepse po bënte diçka të mirë. Pra, për të mbijetuar dhe lulëzuar, shoqëritë islamike do të duhej të imitonin Evropën.
Kjo bëri që disa gardianë të mendimit islam të adoptojnë zakone seksuale konservatore evropiane të një lloji që i bëri autoritetet britanike viktoriane të përcaktojnë kufij në mënyrë sistematike, të censurojnë dhe të ndjekin penalisht ‘devijime’ si homoseksualizmin dhe pornografinë. Një tjetër shkollë e mendimit thoshte se perëndia e la Perëndimin të “ngjitej në fron” si formë ndëshkimi për dekadencën islamike - pikëpamje që ende qëndron në bazë të interpretimit konservator të shkrimeve islamike dhe ideologjive të linjës së ashpër në të gjithë botën myslimane. Atëherë si tani, këto forma të rënda të islamit nuk kishin hapësirë për dialog të hapur dhe të larmishëm mbi seksin. Pasojat e këtij ndryshimi kulturor, argumentojnë Jahangir dhe të tjerët, kanë jehonë edhe sot e kësaj dite në komunitetet myslimane dhe më gjerë. Kritikët e islamit shpesh e bashkojnë gjuhë e konservatorëve më të rreptë me leximet e tyre të ngushta të teksteve islamike të zgjedhura me kujdes, për të krijuar idenë se islami promovon përdhunimin martesor, dhunën misogjine dhe pedofilinë. Por edhe kur seksologjia islamike u largua nga sfera publike dhe u ngrit konservatorizmi seksual, zhanri nuk vdiq kurrë. Në fund të fundit, siç thotë De Sondy, ‘Islami gjithmonë ka mbështetur një traditë kundër narrativës”. Besimi jo vetëm i reziston kodifikimit, por gjallon nga debati dhe evoluon.
Në fakt, studiuesit fetarë të islamit kurrë nuk e kanë ndalur debatin mbi detajet e akteve seksuale dhe dinamikën. Ata kanë nxjerrë vendime të kohëve të fundit për gjithçka, që nga pilula kontraceptive 72-orëshe (e lejueshme, argumenton një studiues, për aq kohë sa gratë që e përdorin nuk besojnë se kanë ngjizur një fëmijë) deri tek lëpirja anale (e lejueshme, thotë një studiues tjetër, përsa kohë nuk ndodh penetrimi). Në vitin 2019, një kandidat për doktoratë në Universitetin Shtetëror Islamik Sunan Kalijaga në Indonezi shkaktoi polemikë kur ngriti argumentin ligjor-teologjik islam që seksi jashtë martesës është i lejueshëm, për aq kohë sa ndodh pas dyerve të mbyllura. (Presioni nga studiuesit konservatorë e detyroi të tërhiqej nga ky pozicion, që i rrezikonte gradën.) ‘Kur studioja në Kajro, - shton Winter, - zbulova se imamët e xhamisë kishin një repertor të gjerë barsoletash me karakter seksual. Këto nuk thuheshin nga krerët, por sidoqoftë konsideroheshin si të pranueshme'.
Shkrimtarë si Mohamed Choukri në Marok dhe Tayeb Salih, me origjinë nga Sudani, por më vonë u kthye në atë që njihet si “qytetar i globalit”, e përshkruan seksin pa e zbukuruar në romanet e tyre të mesit të shekullit të XX. Choukri në mënyrë të veçantë kishte një aftësi të madhe për të shkruar për homoerotizmin dhe masturbimin. Kjo bëri që librat e tij të ndaloheshin në Marok dhe vende të tjera me shumicë myslimane për vite të tëra. Por qartazi, përvojat që e shtynë të shkruante për seksin dhe seksualitetin, mbajtën gjallë një linjë shumë më të vjetër të mendimit erotik, edhe nëse nën një re të dendur censure.
Gjatë dekadës së kaluar, veçanërisht, myslimanët në të gjithë botën kanë kthyer seksologjinë islamike para syve të publikut, qoftë përmes librave të tillë si “Manuali i seksit të myslimanëve” apo shfaqjeve televizive siç janë “The Big Talk” në Egjipt. Ndërsa shumica e tyre kanë qasje të rezervuara heteronormative ndaj seksit, ato mbajnë frymën e dialogut të sinqertë e të gjallë të së kaluarës. Siç thekson Akande, disa libra mbi gratë myslimane, si “Seksi dhe Citadela” (2013) nga Shereen El Feki dhe “Prova e Mjaltit” (2009) nga Salwa Al Neimi, 'mbështeten mbi letërsinë klasike erotike arabe' për të informuar lexuesit modernë myslimanë. Dhe myslimanët pjesë e minoritetit seksual dhe gjinor janë angazhuar në mënyrë aktive në krijimin e hapësirës brenda Islamit për identitete të ndryshme seksuale dhe gjinore në botën moderne. Ata pohojnë ekzistencën e tyre, insistojnë të ruajnë identitetin islamik dhe tregojnë sa e lehtë është për ta të pajtojnë identitetin dhe besimin e tyre seksual.
Disa studiues islamë me të cilët kam folur për këtë ese më paralajmëruan për rrezikun e mbulimit të historisë së dialogut islam mbi seksin. Nuk është e lehtë, theksojnë ata, për të ndërtuar, në një faqe ose në mendjet tona, mite të epokave të arta që nuk janë më, të epokave të hapjes dhe pranimit seksual të papërsosur, por të lavdërueshëm. Është po aq e lehtë për kritikët e Islamit t'i kthejnë këto mite në municion - provë që, ndërsa Islami i dikurshëm mund të ketë qenë një besim i madh, Islami modern është një monolit regresiv i rrezikshëm, që e tërheq botën drejt shkatërrimit, dhe se duhet të vajtojmë të kaluarën e tij ndërsa kundërshtojmë atë që është sot.
Kthimi pas te historia e seksologjisë islame nuk ka për qëllim të lavdërojë ose të demonizojë të kaluarën ose të tashmen. Duhet pranuar se çdo stereotip për Islamin dhe seksin, veçanërisht ato që e portretizojnë atë si fe puritane, është i verbër për ata që kanë pak njohuri, i ndërtuar mbi kuptimin e ngushtë të copëzave shumë të dukshme, por të vogla të një momenti në historinë e letërsisë dhe jetës islame.
Kjo lloj historie na kujton se besimet janë dinamike. Ata nuk janë kode të thjeshta të sjelljes, seksuale ose tjetër, por përbërës të linjave të ndryshme të dialogut, të gjitha rrotullohen së bashku, ngrihen ose bien me baticat e kohës dhe rastësisë. Kjo do të thotë që jo vetëm Islami, por praktikisht çdo besim ka potencialin për të qenë seksualisht i hapur, gjithëpërfshirës dhe iluminues - ose kufizues, përjashtues dhe trullosës.
*Mark Hay shkruan për kulturën, besimin, politikat e identitetit dhe seksualitetin. Shkrimet e tij janë botuar në “Esquire” dhe “The Economist”, ndër të tjera. Ai jeton në Brooklyn, New York.
Përgatiti: Gazmira Sokoli
Burimi: Aeon
Add new comment