Tani edhe në ShBA kundër diplomacisë hormonale në Kosovë
Presioni diplomatik amerikan ndaj qeverisë së Kosovës ka rezultuar kundërproduktiv dhe mbi të gjitha ka qenë joproporcional. Kjo gjë kuptohet tanimë edhe në politikën amerikane ku ka zëra që të hiqet dorë nga kjo lloj diplomacie prej ramboje siç cilësohet ajo e ushtruar nga Richard Grenell, yesmeni i Donald Trump. Përmes një letre për sekretarin amerikan të Shtetit, Eliot Engel, kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Bob Menendez, anëtar i lartë i Senatit Amerikan, kanë kërkuar që administrata Trump të lehtësojë presionin e saj ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, Albin Kurti.
SHBA-ja ka ndërmarrë një qasje të rëndë ndaj qeverisë së zgjedhur në Kosovë. Ndërkohë që ne pajtohemi që tarifat e Kosovës për mallrat serbe – të cilat tani janë hequr – kryesisht dëmtojnë Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë në të gjithë botën, shpesh përfshirë edhe administratën Trump. Kosova është një aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara dhe ne ju bëjmë thirrje që të adoptoni një qasje të kujdesshme dhe konstruktive me qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike
thuhet në letër.
Ky është qëndrimi i parë nga ShBA pro qeverisë së Kurtit ndaj të cilës u organizua një puç i turpshëm nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.
Duhet thënë se askush nuk po kërkon që Kosova të konstituojë institucionet e reja, pra qeverinë e re, as Franca, as Gjermania, as BE dhe tani as dy zyrtarët e lartë amerikanë. Kjo është një arsye për ta lexuar mesazhin për atë që është: shumëkush e sheh mocionin për rrëzimin e Albin Kurtit si një politikë që gjeneron krizë, jo zgjidhje. Sigurisht njerëz si Isa Mustafa vazhdojnë të bëjnë thirrje për largimin e Kurtit duke premtuar se me ardhjen e qeverisë së re situata e pandemisë do kalojë lehtë, por ky është thjesht një episod kur historia na ofron shansin të argëtohemi me disa individë që thjesht i zënë rrugën një shoqërie të tërë.
Nga ana tjetër Kurti ka deklaruar se me Grenell ka qenë kundër vetëm për përmbajtjen e marrëveshjes me Serbinë, jo për nevojën e saj, por sipas tij, kaq ka mjaftuar që Grenell të allnohet keq.
Diplomacia amerikane nuk lexohet më mirë asgjëkundi. Tim Judah i “The Economist” deklaronte sot se qëndrimet e ShBA-së për Kosovën ngjajnë me ato të Rusisë duke bërë të qartë se ka një kufi mes presionit të pranueshëm dhe gangsterizmit.
Por Kosova është vendi i fundit që pëson këtë lloj diplomacia hormonale të Administratës Trump. BE, Kina, Irani, Korea e Veriut janë disa prej vendeve që kanë përjetuar sesi Amerika e Para si filozofi është përzier çuditshëm me sjelljen e Trump të parimit “dua gjithçka dhe tani”, duke e kthyer ShBA në një problem që mund të menaxhohet vetëm duke e shmangur sa më shumë. Përndryshe asnjë analizë racionale nuk shpjegon sesi një Jo relative e Kurtit çoi në përdorimin e diplomacisë amerikane nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, i pari me halle penale, i dyti sepse llogarit të vijë në pushtet.
Add new comment