Kreu i OBSh-së për Shqipërinë: Gonzalez: Zbutja e masave do të sjellë shtim të rasteve
Zbutja e masave nga qeveria shqiptare në luftën kundër koronavirusit mund të sjellë shtim të rasteve, ndaj diçka e tillë duhet të bëhet me tepër kujdes dhe vetëdije. Kështu thotë kreu i OBSH-së në Shqipëri, Raul Gonzalez, pas lajmërimit se Shqipëria do të zgjerojë fashën e lëvizjes dhe shërbimeve. Në një lidhje Skype për TvT, ai thekson kthimi në normalitet për shkak të situatës së Covid-19 kërkon disa muaj.
Ne kemi folur shpesh me ministren për masat në Shqipëri si për çdo vend tjetër. Kthimi në normalitet kërkon dhe disa muaj. Çdo lëvizje e bërë në këtë drejtim duhet bërë në mënyrë të kujdesshme. Ne dimë, duhet të kuptojmë dhe supozojmë se kur bëjmë këtë do të kemi më shumë raste. Limiti dhe indikatori që do të përdorim për këtë duhet të jetë deri në çfarë numri rastesh të reja jemi në gjendje të pranojmë në termat e sistemit tonë shënetësor, të intensitetit të rasteve të reja dhe rasteve emergjente. Është për t'u bërë se sigurisht nuk mund të jetojmë pafundësisht në këto kushte, por duhet bërë në mënyrë shumë të vetëdijshme.
Gonzales vëren se Shqipëria ka një numër të vogël vdekjesh, pikërisht falë kontrollit të mirë dhe masave që autoritetet kanë marrë.
Ajo çfarë kemi parë këtu është se kemi një numër të vogël vdekjesh në Shqipëri. Duke e parë këtë në planin global është mirë. Numri i ulët i vdekjeve lidhet me kontrollin shumë të mirë që Shqipëria ka pasur në lidhje me këtë sëmundje. Masat e forta kanë prodhuar një numër shumë të reduktuar të të prekurve, duke lejuar sistemin shëndetësor të kujdeset për ata që vërtet kanë nevojë. Ata që kanë pasur nevojë për ventilator kanë marrë menjëherë atë çfarë u është dashur.
Sipas Gonzalez, një punë e mirë është bërë edhe në lidhje me testet dhe gjurmimin e rasteve, por një panoramë më të qartë do të ketë në fund të pandemisë.
Testet nuk parandalojnë infeksionet, por janë një mjet për të kuptuar epideminë dhe për t’u kujdesur sa më mirë për nejrëzit e infektuar. Duhet të shohim nëse politika e testeve ka qenë e suksesshme në vend. Por Ministria e Shëndetësisë po bën gjurmim të mirë të rasteve.
Sipas kreut të OBSH, Ministria e Shëndetësisë po kryen testime sipas rekomandimeve të OBSH dhe deri tani rezultatet janë të kënaqshme.
Add new comment