Europianët e miratojnë "shtetrrethimin". Rritet popullariteti i qeverive
Nuk janë vetëm shqiptarët që e respektojnë “shtetrrethimin” e pandemisë. Edhe europianët duket se mbështesin kufizimet e vendosura pavarësisht se ato konsistojnë në heqje dorë nga disa liri. Sondazhe të ndryshme të kryera në disa vende tregojnë se qytetarët janë mirëkuptues për masat, madje mirëpresin edhe masa më shtrënguese.
Në Itali, vendi që është prekur më shumë nga pandemia, një sondazh i fundit tregon se 63% e qytetarëve të pyetur miratojnë masat e marra dhe se ata do të mbështesnin kontrollin shtetëror të qytetarëve edhe pa konsensusin e tyre. 64% janë dakord për gjurmimin elektronik të personave të karantinë, 67% mbështesin idenë e gjurmimit telefonik për verifkikimin e karantinës dhe 74% janë pro idesë së përdorimit të dronëve për kontrollin e kufizimeve. Vetëm 23% e qytetarëve ishin të shqetësuar për çështje të privatësisë.
Në Gjermani, një vend me masa shumë më të lehta sesa Italia, 88% e njerëzve mendojnë se masat e marra janë korrekte. 55% mendojnë se ato duhen shtuar. Në Francë 57% janë pro masave duke u shprehur se ato nuk janë shumë strikte, 40% thanë se kufizimet janë të mjaftueshme dhe vetëm 3% thanë se ato janë shumë strikte. Në Poloni 45% mendojnë se vendi nuk është i përgatitur për të përballuar pandeminë, ndërkohë që vetëm 33% mendojnë se qeveria nuk po i mbron mjaftueshëm qytetarët kurse një shumicë prej 63% mendojnë se zgjedhjet presidenciale duhen shtyrë. Në Britaninë e Madhe 57% mendojnë se duhen rregulla më drastike, 33% thonë se duhet ndalur transporti publik, 56% mendojnë se qeveria nuk veproi shpejt sa duhet.
Sipas raportimeve në media prirja e sondazheve në fjalë ka një lidhje relative me rritjen e mbështetjes për qeveritë e vendeve përkatëse, çka do të thotë se pandemia po jep efekte elektorale jonormale dhe vë në pikëpyetje rregullin demokratik pasi me situatën e tanishme në ekuacion ka hyrë një faktor shumë manipulues për psikologjinë e përgjithshme.
Add new comment