Rrëzimi i qeverisë Kurti dogji kredibilitetin e SHBA
Me botën e shpërqendruar nga përkeqësimi i pandemisë së koronavirusit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshpejtuan javën e kaluar rënien e një Qeverie popullore dhe premtuese reformiste në shtetin mbase më pro-amerikan në botë, Kosovë. Dëmi që i është shkaktuar kredibilitetit amerikan dhe autoritetit moral në Kosovë, kudo përgjatë Ballkanit, dhe në relacionin me Gjermaninë dhe Francën, ka qenë masiv.
E gjithë kjo është nxitur nga i dërguari i posaçëm i presidentit, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili tani bart tri detyra (duke shërbyer po ashtu si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit për Inteligjencë Kombëtare), ndërsa ka ndikuar njëkohësisht në thellimin e hendekut midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e sidomos Gjermanisë, shkruan Koha Ditore. Qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, u rrëzua në përpjekjen për ta lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje tejet jopopullore ndërmjet presidentit, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, që do ta shtrëngonte Kosovën që t’ia dorëzojë një pjesë të territorit të saj Serbisë, me shpresën se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Koalicioni qeverisës i Kosovës, i formuar ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u prish më 25 mars, pas vetëm 51 ditësh në detyrë, me anë të një vote të mosbesimit të thirrur nën presionin e Grenellit. Trazimi do të ketë ndikim të gjatë politik. Por për t’i bërë gjërat akoma më keq, rrëzimi i Qeverisë gjatë krizës me COVID-19 do të ketë pasoja të paparashikueshme mbi shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Çarja e koalicionit ka nisur një javë më herët, pasi që Thaçi (ish-lider i Partisë opozitare Demokratike të Kosovës, PDK), e kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në përgjigje ndaj koronavirusit, me të cilat kontrolli do të kalonte prej Qeverisë te presidenti. Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, pjesë e LDK-së së partnerit më të vogël të koalicionit, haptazi anoi kah Thaçi.
Kurti u kundërpërgjigj duke e shkarkuar nga posti, për ta nxitur LDK-në që të dalë nga Qeveria dhe ta iniciojë mocionin e mosbesimit. Por kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se shkaku i njëmendtë i tërheqjes së partisë së tij ishte refuzimi i Kurtit për t’iu përmbajtur kërkesës së Grenellit që Kosova ta hiqte tarifën kundër Serbisë, ani pse nuk do të merrte gjë si kthim. Në ditën para votës së mosbesimit, shtetet e Quintit (një formacion ky diplomatik i përbërë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) përpiloi një deklaratë të përbashkët, duke e kërkuar ruajtjen e “integritetit dhe funksionalitetit të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në këtë moment kritik dhe prioritizimin e luftës kundër COVID-19 para politikës”.
Në një letër të përbashkët të ministrave të Jashtëm gjermanë dhe francezë, po ashtu, kërkohet që LDK-ja ta tërheqë mocionin. Megjithëkëtë, po atë natë, një veprim i njëanshëm i administratës Trump e rrënoi unitetin perëndimor: qartazi i udhëzuar nga Grenelli, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e shprehu në “Twitter” mbështetjen e tij për mocionin. Ky ishte një de facto puç: LDK-ja ishte votuar në Qeveri me kartën e përbashkët VV-LDK, pas fushatës si koalicion. Rrëzimi i Qeverisë nën rrethanat aktuale është skajshmërisht jodemokratik, meqë mënyra e vetme legjitime për ecjen përpara – zgjedhjet e parakohshme – ishin cilësuar si të pamundshme, shkaku i nevojës për t’i reduktuar kontaktet mes njerëzve.
Shkëputje e përnjëhershme nga politika dydekadëshe amerikane në Ballkan
Njohësit e politikave të Qeverisë amerikane kanë provuar më herët – me aq sa kanë mundur – që ta ruajnë vazhdimësinë e politikave të kahershme të SHBA-së dhe t’i mbrojnë marrëdhëniet strategjike dhe afatgjate nga stili i çrregullt, konfrontues e nacionalist i Trumpit.
Kjo mund të funksionojë nëse dhe derisa nuk ka urdhra të kundërta prej lart. Por mbështetja amerikane më 2018 për marrëveshjen Thaçi-Vuçiç rreth “korrigjimit të kufijve”, “demarkacionit” apo “shkëmbimit të territoreve” – që të gjitha që e nënkuptojnë ndarjen e Kosovës – sinjalizoi shkëputjen e përnjëhershme prej politikës më se dydekadëshe amerikane në Ballkan, duke e hapur një çarje transatlantike të paparë, në kuptimin e sigurisë evropiane, që prej luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë.
Vuçiçi e propozoi – dhe Thaçi e pranoi me padurim – “shkëmbimin territorial” në verë të 2018-s, si pjesë e negociatave të vazhdueshme Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bisedimet ishin udhëhequr prej shefes së asaj kohe për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini, pa transparencë për shtetet anëtare. Por rezistenca e prirë prej Gjermanisë, përfshirë prej vetë kancelares, Angela Merkel, ndaj ndryshimeve të mëtutjeshme – dhe mbase destruktive – të kufijve në Ballkan, e vuri përpjekjen e ndarjes në pezullim.
Fraksionet përbrenda Kosovës dhe midis Qeverisë së Kosovës e Serbisë, pastaj u përshkallëzuan.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr asokohe nga kryeministri, Ramush Haradinaj, e kundërshtoi fuqishëm konceptin e ndarjes dhe insistoi se Qeveria, e jo presidenti, e ka autoritetin për çështje të tilla. Ai e akuzoi Thaçin se po vepronte në dobi të interesave të veta – dhe jo të vendit. Beogradi e bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe e vazhdoi fushatën për t’i nxitur vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që t’i tërheqin njohjet. Haradinaj, i mbështetur nga të gjitha partitë parlamentare, u kundërpërgjigj duke e vendosur në nëntor të 2018-s taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia.
Ky veprim i ndali negociatat Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja, pasi që Vuçiqi e kushtëzoi kthimin e tij para tryezës së negociatave me heqjen e tarifës. Washingtoni zbatoi politikën e presionit të fuqishëm ndaj Prishtinës për heqjen e taksës dhe “arritjen e një marrëveshjeje” për zgjidhjen përfundimtare të përplasjes Kosovë-Serbi rreth statusit, e cila do të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë. Në ndërkohë, më 2019, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të Qeverisë: negociatat me Serbinë janë kompetencë e Qeverisë dhe e kryeministrit, e jo presidentit.
Një “Obligim Politik i Brendshëm” 2.0
Grenell, i cili derisa shërbeu si ambasador amerikan në Gjermani në vjeshtën e 2019-s e bindi Trumpin që ta emëronte si të dërguar për negociatat Kosovë-Serbi, më pas e shfrytëzoi largimin e Mogherinit dhe kalimin e BE-së në një Komision Evropian të porsazgjedhur për ta rrëmbyer iniciativën prej Brukselit.
Duke e bërë këtë, Grenelli dukej se po e zbatonte “obligimin e tij politik të brendshëm”, për ta huazuar termin e përdorur nga zyrtarja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Fiona Hill, në dëshminë e saj të nëntorit të 2019-s para Kongresit, gjatë seancave dëgjimore në procesin për shkarkimin e Trumpit. Për muaj me radhë, Grenelli e ndoqi shtegun e veprimeve të njëanshme për Kosovën dhe Serbinë. E para ishte një letër qëllimi e nënshkruar në Ambasadën amerikane në Berlin midis zyrtarëve të Qeverisë serbe, ministrit të Transportit të Kosovës dhe “Lufthansa”-s për krijimin e një lidhjeje komerciale ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Letra qëllimi shtesë janë nënshkruar nga Vuçiqi dhe Thaçi në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, për krijimin e linjës së transportit hekurudhor dhe ndërtimin e një autostrade ndërshtetërore.
Në asnjërën prej këtyre instancave nuk ishte e informuar paraprakisht Qeveria gjermane, dhe as pjesa tjetër e BE-së. Përbrenda Kosovës, Thaçi po ashtu e kishte anashkaluar Qeverinë e ardhshme të Kurtit. Këto anashkalime ishin qartazi të planifikuara, për të sinjalizuar përçmim dhe mosrespekt për partnerët rajonalë dhe për ta demonstruar unilateralizmin amerikan.
Në fund të shkurtit të 2020-s, i dërguari i posaçëm Grenell i priti presidentët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me praninë e këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.
Mungesa e qartësisë pas takimit në Shtëpinë e Bardhë i ushqeu tensionet në rritje përgjatë Atlantikut, si dhe përbrenda Kosovës. Grenelli insistoi se bisedimet kishin të bënin vetëm me ekonominë, e jo me politikën, dhe mohoi rinisjen e bisedimeve për shkëmbim territoresh. Por Thaçi bëri të ditur, pas kthimit të tij nga Washingtoni, se një marrëveshje e madhe po ofrohej. Ai deklaroi se dialogu i udhëhequr nga BE-ja – i mbështetur në fillim nga SHBA-ja – është i vdekur; bisedimet do të zhvendosen tani në Washington, deklaroi ai. Për më tepër, ani pse kryeministri i Kosovës kishte njoftuar pezullimin e pjesshëm të tarifave kundër Serbisë (një veprim ky i duartrokitur nga BE-ja), Grenelli dhe Thaçi e shtuan presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e tërësishme të tarifës. Kryeministri e kishte kushtëzuar në mënyrë të arsyeshme heqjen e plotë të tarifës me heqjen e barrierave jotarifore tregtare nga ana e Serbisë dhe përfundimin e fushatës së saj ndërkombëtare për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Edhe pse Vuçiqi sinjalizoi gjatë një video-thirrjeje me kancelaren gjermane Merkel se mund të heqë dorë nga barrierat jotarifore, Grenelli u tërhoq nga kërkesa e tij e mëhershme që Beogradi ta ndalojë fushatën e çnjohjeve dhe kërcënoi madje që ta ndalte mbështetjen ekonomike për Kosovën. Ç’është e vërteta, agjencia e Qeverisë amerikane “Millennium Challenge Corporation” (MCC) njoftoi se do t’i ngrijë programet e saja, me vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh, të zhvillimit ekonomik në Kosovë derisa vendi të mos e hiqte tarifën.
Aleatët e Trumpit në Kongres e rritën po ashtu presionin.
Senatori, David Perdeu, kërcënoi përmes një postimi në “Twitter” (që u ripostua nga Grenelli) se “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe (që do të thotë ta heqë tarifën), atëherë SHBA-ja mund ta rishqyrtojë praninë e saj aty”. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për tërheqjen e trupave amerikane nga forca e NATO-s. Senatorët, Rand Paul dhe Donald Trump Jr., e shprehën mbështetjen e tyre në “Twitter”.
Shkatërruese për Kosovën dhe rajonin
Ndikimi i marrëveshjes së kërkuar do të ishte shkatërrues për Kosovën, ku dy të tretat e pakicës serbe prej përafërsisht 10 për qind jetojnë në veri, e cila pjesë supozohet se do t’i bashkohej Serbisë. Ndarja, sipas të gjitha gjasave, do të shpinte drejt një eksodi masiv të serbëve të jugut dhe drejt dhunës etnike përbrenda Kosovës dhe mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjë do t’i shtonte, po ashtu, thirrjet për spastrime të tjera të negociuara etnike në Ballkan, si në Bosnjë, ku Milorad Dodiku, lideri i kahershëm i Republikës Serbe të krijuar me Marrëveshjen e Daytonit, prej kohësh kishte kërkuar pavarësim.
Por të menduarit afatgjatë dhe konsiderata për pasojat në popullatën në terren, e lëre te aleatët, është larg të qenit një shenjë dalluese e politikave të administratës Trump, siç u pa edhe nga bisedimet bërthamore me Korenë e Veriut, nga fiaskoja e tërheqjes së nxituar të trupave nga Siria dhe shumë instanca të tjera. Në manovrën Kosovë-Serbi, dëmi masiv tanimë është shkaktuar, si për reputacionin e Amerikës në Kosovë ashtu edhe për marrëdhëniet e saja me aleatët evropianë.
Përfaqësuesi Eliot Engel, shef i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuese për Marrëdhënie me Jashtë, ka kritikuar fuqishëm politikën “e grushtit të sertë” të administratës, duke e cilësuar si një “akt ngacmimi”, duke e dënuar rrezikimin e Qeverisë Kurti në një kohë kur i gjithë fokusi do të duhej të ishte te masat për luftimin e përhapjes së COVID-19. Kolegët e tij republikanë në Kongres e bënë të njëjtën gjë. Kështu do të duhej të bënte edhe favoriti demokrat për nominim presidencial, Joe Biden, i cili ka një sfond të fuqishëm në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi.
Njësoj duhet të veprojë edhe kandidati tjetër presidencial demokrat dhe senatori, Bernie Sanders, i cili gjithashtu e mbështeti intervenimin e NATO-s më 1999 për ta ndihmuar pavarësimin e Kosovës nga Serbia, dhe i cili që atëherë e mbështeti atë fuqishëm nga kritikët, përfshirë edhe ata nga e majta ekstreme.
Ata të gjithë duhet të nënvizojnë se administrata amerikane po i keqpërdor politikat e jashtme amerikane, duke e rrezikuar partneritetin transatlantik dhe duke e rrezikuar sigurinë evropiane. Kjo do të ndikonte në zbutjen sadopak të ndjenjës legjitime të kosovarëve për tradhti karshi SHBA-së, por edhe të frikës kudo në Ballkan se Shtetet e Bashkuara do ta përmbysin paqen e fituar me shumë vështirësi për lojëra politike që nuk do të kenë ndonjë jehonë tek elektorati amerikan, ama mund të shkaktojnë kërdi gjetkë.
Burimi: Koha Ditore
Add new comment