Një fjalë goje

Postuar në 02 Prill, 2020 14:05

Lexoni se çfarë njofton sot kryeministri Edi Rama:

Me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qerave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës!

Kush ka humbur punën në të zezë dhe ka këtë hall, mund të përfitojë nga kjo masë vetëm duke denoncuar punëdhënësin! Qeradhënësit do të ndalohen t'u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse! Për çdo rast presioni nga qeradhënësit, subjektet qeramarrës të dy kategorive të mësipërme, të drejtohen në faqen online të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve! Kjo luftë kërkon medoemos që kushdo ka një mundësi më shumë, të solidarizohet me fakte jo me fjalë, për këdo që s'ka asnjë mundësi të mbijetojë pa solidaritet

Është kollaj të ulesh në zyrë, të japësh porosi majtas dhe djathtas, të kesh prioritet në çdo gjë, të të bëjnë pazarin e gjërave, të lëvizësh me makinë, të shkruash akte normative dhe urdhëra sipas dëshirës. Ky është një skenar ideal për një pakicë fare fare të vogël. Nuk përshkruan ai asnjë lloj realiteti në Shqipëri.

Zoti Rama e ka të lehtë të valëvizë fjalën solidaritet, por kjo sa vjen e gjen më pak oksigjen në një ekonomi të dërmuar. Ai e ka të lehtë të bëjë sikur nuk e di që marrëdhëniet në këtë vend janë të vetërrgulluara përpara sesa gjoja-qeveritë që kalojnë këtu të bëjnë legalizimin. Se qeratë janë marrëveshje palësh që i shmangen disa detyrimeve absurde në kërkim të mbijetesës ekonomike. Dhe se të kërkosh sot që dikush të denoncojë qiradhënësin me të cilin ka një raport mirëkuptimi me interes të dyanshëm, është sikur t’i thuash që tani çdo gjë mbaroi, ndaj denonco.

Këtu qeveria ka një problem serioz që ka të bëjë me ekonominë informale të cilën deklaron se e ka luftuar përherë dhe me sukses. Kërkon që të ndërhyrjë me një masë gjoja sociale në një marrëdhënie që deri më tani ka qenë e pranishme vetëm me shantazhin e gjobave dhe shtirjen sikur nuk sheh dhe nuk di çfarë bëhet.

Është gjoja sociale sepse z. Rama po ndërhyn në një drejtim duke konsideruar qirdhënësin si katilin e fundit në këtë vend solidarësh. Shqipëria nuk është Suedia, as Gjermania ku kryeministri bën thirrje për denoncime. Edhe pse formalisht ai është korrekt nga pozicioni I vet, si politikëbërës z. Rama e ka të qartë se cilin vend drejton. Zgjedhjet e tij në listën e deputetëve flet për qasjen praktike në një vend ku shumëçka udhëhiqet nga prakticiteti dhe nevojat imediate. Fjala e kryeministrit nuk ka asnjë garanci dhe asnjë lloj vlere reale në marrëdhëniet mes njerëzve, por ajo zbulon se të ashtuquajturat masa të paketës së ndihmës po anojnë nga thirrja për kursim dhe masat represive, ndërkohë që kudo ato po udhëhiqen nga ideja e një ndihme reale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.