"Eksperimenti suedez": Nuk dimë thuajse asgjë për CoVid-19. Herët apo vonë lëvizja do të fillojë
4 947 të infektuar, 393 në terapi intensive dhe 239 të vdekur. Këto janë shifrat e pandemisë aktuale në Suedi, një vend që ka menduar ta menaxhojë ndryshe atë. Jo me karantinë dhe kufizime masive, por duke vazhduar jetën si më parë dhe duke menaxhuar në plan spitalor vetëm rastet që paraqiten dhe kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Në një prononcim për gazetën italiane “Corriere della Sera”, epidemiologu më i njohur suedez, Anders Tegnell, drejtor i Agjencisë Sanitare të Suedisë, thotë se mënyra si po vepron Italia është sikur virusi do të largohet së shpejti.
Ju po silleni sikur epidemia do të zhduket në hapësirën e pak javëve, apo maksimumi muajve. Ne në fakt po kërkojmë vetëm ta ngadalësojmë sepse besojmë se kjo sëmundje nuk do të largohet shpejt, dhe na duhet të bashkëjetojmë me të për një kohë të gjatë. Të paktën deri në gjetjen e një vaksine dhe kjo do të kërkojë vite. Edhe Korea e Jugut që ia doli ta kontrollojë për tani, po përgatitet për rikthimin e saj
shprehet ai.
Megjithatë vendet fqinj me Suedinë kanë mbyllur kufijtë dhe kanë bërë kufizimin e lëvizjes së njerëzve. Mirëpo nisur nga virulenca dhe mesa duket nga bindja përherë e më e madhe e komuniteti shkencor se kemi të bëjmë me një virus që do të persistojë te njerëzit, Tegnell bën një vërejtje që meriton vëmendje:
Nuk do të isha shumë i befasuar nëse kjo do të përfundonte njësoj për të gjithë pavarësisht masave që janë marrë. E vërteta është se ne nuk dimë thuajse asgjë për CoVid-19 dhe çdo vend po eksperimenton zgjidhje të ndryshme, sipas situatës
Në fakt përfaqësuesit politikë të vendeve të ndryshme kanë pranaur se infeksioni do të kapë 60% të popullsisë globale, duke sugjeruar se 80% do të jenë asimptomatikë, 20% do të kenë simptoma dhe në këtë fashë të fundit do të dalin problemet. Për ta thjeshtuar me një shembull. Nëse në Shqipëri jetojnë 2.8 milionë njerëz, nga koronavirusi do të duhet sipas kësaj statistike të infektohen 1 680 000 njerëz, nga të cilët do të paraqesin simptoma diku te 330 000 njerëz. Nga këta mortaliteti do të shpërndahet sipas virulencës së virusit për të cilën nuk dihet gjë me siguri dhe as sesi shpërndahet. Si do të veprojë karantina në këtë kuadër është pak e vështirë sidomos kur në llogari hyn ekonomia.
Nuk mund të ndalojmë ekonominë për një kohë të pakufizuar. Herët apo vonë do të jemi të detyruar të hapim gjithçka, përndryshe do të gjendemi përballë një situate edhe më të keqe
vijon epidemiologu suedez.
Sipas tij situata në Itali u provkua nga mungesa e përgatitjes së spitaleve për një epidemi duke u bërë qendër e shumëfishimit të të infektuarve, ndërkohë që edhe në Suedi, të vdekurit janë mbi 80 vjeç dhe me patologji.
Add new comment