Një krizë që nuk duhet lejuar të bëhet një mundësi e humbur
Koronavirusi ka ndryshuar politikën. Urgjenca shëndetësore dominon rendin e ditës, vendimet më të rëndësishme merren nga kryeministri, pas konsultimit me guvernatorët e rajoneve më të prekura dhe me ekspertët e sëmundjeve infektive. Tani drejtuesit e opozitës nuk kanë ndonjë nxitje për të ngritur polemika dhe aq më pak konflikte: njerëzit nuk do ta kuptonin në këtë situatë.
I ashtuquajturi distancimi social pengon kontaktet, shkëmbimin e përvojave, çdo formë mbledhjeje masive. Pasi mbushën sheshet në Itali dhe faqet e gazetave deri në janar, protesta e “sardeleve” (protestë paqësore e nisur në nëntor 2019 që kundërshton ngritjen e së djathtës dhe në mënyrë të veçantë retorikën e Matteso Salvinit) është zhdukur. "Njerëzit" janë mbledhur në shtëpi, të shqetësuar më së pari për shëndetin e tyre dhe në këtë moment nga politikanët presin përgjegjësi dhe vendimmarrje.
Ngrirja e politikës nuk do të zgjasë shumë. Fatkeqësisht, "katastrofa një" (pandemia) do të pasohet nga "katastrofa dy": recesioni ekonomik, me implikimet e tij të thella sociale. Kemi qenë në një situatë të tillë rreth dhjetë vjet më parë, kur shpërtheu kriza financiare. Në të vërtetë, ndryshe nga vendet e tjera evropiane, ne ende nuk kemi dalë plotësisht nga ajo krizë. Këtë herë, megjithatë, ekziston një rrethanë rënduese: koronavirusi po përhapet shpejt dhe prodhon efekte të ndryshme në territore, sektorë apo profesione të ndryshme. Dhe brenda tyre fshihen situata të ndryshme dhe të rastësishme midis familjeve, biznesve dhe punonjësve.
Qeveria ka prezantuar masat shëndetësore me masa mbështetëse ekonomike. Do të jetë pikërisht ky front që do të provokojë shkrirjen e politikës dhe ndarjet e saj. Shmangia e përhapjes së sëmundjes, garantimi i trajtimit mjekësor, mposhtja e virusit janë interesa të përbashkëta: ato bashkojnë në vend që të ndajnë. Gjërat ndryshojnë në mënyrë drastike kur është fjala për të përcaktuar se kush janë "humbësit" e krizës ekonomike dhe si duhet të kompensohen ata. Mjetet në dispozicion (shteti social, ndihma për bizneset) janë të pamjaftueshme. Prandaj, do të shfaqet një hendek në rritje midis kërkesës për mbrojtje dhe aftësisë për t'u përgjigjur. Partnerët socialë, shoqatat tregtare, partitë do të luftojnë për të grumbulluar, ndërmjetësuar, koordinuar. Dhe nuk mund të përjashtohet që të krijohen hapësira proteste shoqërore dhe mobilizimi politik në kërkim të “atij që duhet bërë kurban”.
Në BE, konflikti i shpërndarjes tashmë ka filluar. Pas hezitimit fillestar, "katastrofa" ka zbuluar një interes të padiskutueshëm të përbashkët midis të gjitha vendeve anëtare. Gatishmëria për të financuar edhe nisma ambicioze në fushën mjekësore-shëndetësore tani është aty, madje edhe nga nordikët. Ajo që i ndan është se si do të administrohet “katastrofa dy”, pra kriza e re ekonomike. Si dhjetë vjet më parë, vendet e Europës Veriore (qeveritë e tyre më shumë se qytetarët) kanë sërish frikën se lëshimi i mundshëm i letrave me vlerë të borxhit evropian (koronabondi) mund t’i detyrojë vendet e Europës Jugore të gënjejnë, d.m.th. të shpenzojnë resurset e përbashkëta - dhe mbi të gjitha ato gjermane - në mënyrë të papërgjegjshme. Frikëra këto që lidhen me përvojat e së shkuarës, por edhe me shumë paragjykime. Në fillim, jemi ne ata që duhet të japim siguri dhe të premtojmë. Së dyti, janë nordikët ata që duhet të pastrojnë ndërgjegjen.
A duhet të tërhiqemi në kthim, qoftë edhe te përkeqësimi i konflikteve të bazuara mbi interesa materiale, specifika sektoriale ose egoizmi kombëtar? Është një skenar i mundshëm, por jo i vetmi. Emergjencat dhe katastrofat gjithashtu mund të çojnë në solidaritet kolektiv të qëndrueshëm, në ngritje të cilësisë në mënyrën sesi bashkësitë politike mbajnë së bashku dhe organizojnë bashkëpunim shoqëror. Pas Depresionit të Madh të viteve ‘30, Roosevelt bëri publike Marrëveshjen e Re. Shteti social modern doli nga hiri i Luftës së Dytë Botërore dhe ishte në të njëjtin kontekst mbi të cilin mori formë edhe projekti evropian.
Në dramën e saj, "katastrofa një" mobilizoi në Itali një kryeqytet solidariteti dhe civilizmi që e kishim harruar se e kishim. Dhe gjithashtu një aftësi drejtimi dhe një vendim politik qartazi më superior se mesatarja jonë historike. Kur filloi epidemia, pati një fluks të jashtëzakonshëm manifestimesh solidariteti në internet dhe në media sociale drejt nesh nga qytetarë të tjerë evropianë, shumë prej tyre nga Veriu. Pa u gënjyer nga retorika "e mirë", mund të supozohet se koronavirusi mund të lërë një gjurmë të kohezionit shoqëror, i cili na lejon ta menaxhojmë "katastrofën dy" në një mënyrë konstruktive. Për shembull, duke zhvilluar një farë plani Beveridge (projekti që revolucionarizoi sigurimet shoqërore britanike pas luftës) për të racionalizuar dhe forcuar shtetin social italian. Dhe së fundi duke miratuar skemat e ndarjes së rrezikut në nivel evropian, si premisë për një plan ambicioz “Marshall” për të rihapur ekonominë.
Në vitin 2008, në fillim të kolapsit financiar, shefi i shtabit të Barack Obamës, Rahm Emanuel, pati thënë një frazë që u bë e famshme: "Kurrë mos lejo që një krizë të bëhet një mundësi e humbur". Është një paralajmërim që sot prek nga afër të gjithë. Dhe kjo duhet t’u drejtohet mbi të gjitha elitave politike dhe sociale, në Itali si në Bashkimin Evropian.
Corriere.it/TvT
Add new comment