Leximi objektiv i statistikave/Në Itali fataliteti i koronavirusit, 1.14%

Postuar në 28 Mars, 2020 14:52

Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare ka publikuar së fundmi një studim që sqaron sipas tij mortalitetin real të koronavirusit në vendin fqinj. Raportimet e ndryshme mediatike dhe jo vetëm raportojnë se shkalla e mortalitetit në Itali është shumë e lartë, krahasuar edhe me vende të tjera, 9.9% sipas raportimit të datës 24 mars 2020. Çështja ka rëndësinë e vet sepse një ndër shkaqet e emergjencës globale është edhe raportimi alarmant nga njëri vend në tjetrin. P.sh nëse në Itali thuhet se mortaliteti është 9.9%, në Kinë ai vlerësohet si 4%, kurse në Gjermani deri në 0.5%. Studimi e hedh poshtë këtë lloj raportimi që është tërësisht çorientues.

Mbi të gjitha është e rëndësishme të mos ngatërrojmë fatalitetin me vdekshmërinë. Kur flasim për fatalitetin(letalita) e CoVid-19 i referohemi faktit se sa persona vdesin nga totali i popullsisë së infektuar. Nëse flasim për vdekshmërinë e CoVid-19 kemi parasysh sesa persona vdesin në raport me të gjithë popullsinë. Për të sjellë një shembull, nëse në një vend me 100 banorë janë 10 të infektuar dhe 5 të vdekur, shkalla e fatalitetit do të jetë 50% por shkalla e vdeshmërisë do të jetë vetëm 5%

thuhet në studim.

Sipas materialit në fjalë shtimi i testimeve ka shtuar në fakt shtimin e numrit të të prekurve duke shtuar edhe raportimin e rasteve fatale nga CoVid-19 që ndikon menjëherë në rritjen statistikore.

Në ditët e para të epidemisë fataliteti italian vlerësohej diku te 3% dhe mes 25 shkurtit dhe 1 marsit ishte deri në 2%. Nga ajo ditë e më pas, në të kundërt, fataliteti ktheu drejtimin dhe nisi të rritej, grdualisht dhe pa u ndërprerë deri sa arriti në 9.9% më 24 mars 2020. Çfarë e shpjegon këtë prirje të ndryshuar? Ndryshimi i politikës së tamponëve, kërkuar rajoneve nga qeveria italiane për t’iu përshtatur rekomandimeve të OBSH-së. Nëse kthehemi në fillimet e epidemisë, ishin të shumtë aat që kërkonin sesi ka mundësi që në javën pasuese të 21 shkurtit, dita e “zbulimit” të pacienti 1, rastet pozitive në Itali po rriteshin në mënyrë eksponenciale krahasuar me vende të tjera europiane.

Një përgjigje është se Italia ishte tashmë më përpara në kurbën epidemike krahasuar me Europën. Por kishte edhe një faktor tjetër: deri më 28 shkurt rajone të ndryshme nisën të bëjnë teste me tampone mbi një masë të madhe të popullsisë, duke testuar edhe persona pa simptoma…

thuhet në studim.

Është ky shkak, testimi ai që sipas studiuesve italianë shpjegon edhe luhatjen e madhe të rasteve të fatalitetit nga një rajon italian në tjetrin. Nga 13.6% në Lombardi në 1.1% në Bazilikata. Matja e fatalitetit real është pra diçka më e komplikuar se një pjesëtim i thjeshtë. Fataliteti i vërtetë është diçka e ndryshme nga fataliteti i raportuar pasi ai konsideron edhe të infektuarit asimptomatikë, jo vetëm ata që kërkojnë terpai intensive.

Në këtë kuptim, instituti në fjalë, duke marrë në konsideratë edhe metodat e aplikuara për Kinën, konkludon se fataliteti i vërtetë në Itali shkon deri në 1.14%. Që do të thotë se kjo përqindje rezulton si e tillë në raport me numrin e të infektuarve realë, pavarësisht se ajo mund të mos raportohet në statistikë si e tillë. Nga të gjitha të dhënat nuk rezulton se në Itali ka një varietet më agresiv të virusit, por thjesht ka një raportim më sipërfaqësor të të dhënave dhe më tej një keqlexim i tyre. Nga kjo pikëpamje mortaliteti i virusit ulet edhe më shumë si statistikë, edhe pse kjo nuk ia heq atij emergjencën për sistemin shëndetësor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.