Strategjia e Amerikës në Kosovë po shpërbëhet dita-ditës
Ndërsa bota lufton me pandeminë e koronavirusit, një zhvillim i jashtëzakonshëm po ndodhte në Ballkan: një vend i sfiduar dhe i varur kundërshtoi haptazi administratën e fuqishme të Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump.
Republika e Kosovës ka refuzuar të përkulet nën presionin e ashpër të Richard Grenell, drejtori i përkohshëm i inteligjencës kombëtare, i cili njëkohësisht shërben si i dërguari amerikan për bisedimet e paqes midis Serbisë dhe Kosovës. Asnjëri prej vendeve nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian derisa të zgjidhin mosmarrëveshjen për pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia nuk pranon ta njohë. Beogradi izolon me zell Republikën e Kosovës, duke e lënë shtetin e ri jashtë Kombeve të Bashkuara dhe jashtë pjesës më të madhe të organizatave ndërkombëtare. I vendosur për të përmbyllur një marrëveshje pas dyerve të mbyllura me presidentët përkatës të dy vendeve, Grenell është zemëruar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri rishtar ka kundërshtuar kërkesën e Grenell për të hequr tarifën ndëshkuese 100 për qind për mallrave serbe. Në një lëvizje të paparë në atë që mund të jetë vendi më proamerikan në glob, Uashingtoni ka pezulluar ndihmën kryesore të tij për Kosovën dhe një ligjvënës madje ka kërcënuar të tërheqë trupat e ShBA-ve nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Presioni nga Uashingtoni rëndon mbi aftësinë e Kosovës për t'u përballur me krizën e koronavirusit, çka ka shtuar tensionet midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi, i cili është plotësisht në të njëjtën linjë me Grenell në lidhje me qëndrimin ndaj Serbisë. Pikërisht në momentin kur duhet më shumë unitet kombëtar, Thaçi dhe Kurti tani po luftojnë nëse do të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme për pandeminë. Kryeministri sapo ka pushuar nga puna ministrin e Brendshëm Agim Veliu, i cili mbështet deklaratën e Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme, duke krijuar një krizë të parakohshme qeveritare.
Ajo që kemi humbur në këtë dramë është se Grenell po sfidohet edhe nga antagonisti kryesor në sagën e gjatë të Kosovës: presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Në janar, Grenell bëri thirrje që Beogradi të ndalonte fushatën e tërheqjes së njohjeve kundër Kosovës. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, përsëri refuzoi, duke sugjeruar se fushata do të vazhdojë edhe nëse Kosova do ta hiqte tarifën. Uashingtoni nuk ka thënë asgjë për këtë.
Nuk ka asnjë mister pse Grenell, i etur për një marrëveshje, do të ishte në krah të palës më të fortë. Misteri i vërtetë është se si diplomacia amerikane erdhi në këtë ekstrem - një përpjekje e shtrembëruar për të detyruar një aleat të dobët, vulnerabël ndaj ShBA-ve, për të qetësuar një serb të fortë. Kjo është veçanërisht konfuze sepse pengesa kryesore për një marrëveshje për Kosovën është Vuçiç. Që prej trazirave shqiptare në 2004 dhe reagimit të zemëruar serb në vendkalimet kufitare të instaluara rishtas në 2011, ka pasur vetëm incidente sporadike, në shkallë më të vogël midis pakicës etnike serbe dhe shumicës shqiptare në Kosovë. Ndërsa nuk ka pasur kthim masiv të serbëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre të mëparshme në Kosovë që nga tërheqja e forcave serbe dhe kalimi në duart e NATO-s në 1999, as pavarësia e Kosovës në 2008 nuk ka shkaktuar ndonjë eksod masiv.
Shumica e serbëve të Kosovës vijojnë të jetojnë në jug të vendit, të rrethuar nga shqiptarët etnikë, si një pakicë e vogël. Jeta nën sundimin e shqiptarëve etnikë nuk është aspak parajsë, por përgjithësisht është më e qëndrueshme sesa në veriun pa ligje, ku serbët separatistë formojnë shumicën dhe ku mbizotërojnë urdhrat e Beogradit. Frika shtrëngon të gjithë ata që jetojnë në veri, përfshirë serbët, çka ilustrohet me vrasjen ende pa autor të udhëheqësit të moderuar etnik serb, Oliver Ivanoviç, në vitin 2018. Një prej të dyshuarve kryesorë për vrasjet e Ivanoviçit ecën lirshëm në Serbi, i paprekur nga autoritetet - një mesazh për të gjithë ata që do të guxonin të sfidonin strukturën sunduese atje. Ndërsa sa i përket tarifës 100 për qind për mallrat serbe për të cilat Vuçiç ngul këmbë, sipas llogarive lokale ato kanë pasur pak ndikim në jetën e përditshme ekonomike në veri.
Derisa Partia Progresive Serbe e Vuçiçit erdhi në pushtet në 2012, Kosova nuk ishte më shqetësimi kryesor i qytetarëve serbë. Atë vit partia bëri fushatë të madhe me Kosovën në qendër, duke dramatizuar gjendjen e serbëve dhe duke e bërë sërish të rëndësishme çështjen në sytë e qytetarëve të vet. Partia u zotua të paraqesë një plan për të zgjidhur çështjen, megjithëse kjo ende nuk është materializuar. Në vend të kësaj, Vuçiç ka lëshuar thirrje të herëpashershme për realizëm në qasjen ndaj Kosovës së bashku me retorikën më të shpeshtë e të ashpër, duke deklaruar, për shembull: "Më tërhiqni zvarrë nëpër rrugë, nuk do ta njoh kurrë Kosovën!"
Në vend që të hidhnin themelet për diplomacinë, drejtuesit në qeverinë e tij, përfshirë kryeministren Ana Brnabiç, kanë hedhur fyerje në drejtim të shqiptarëve. Në dhjetor, Vuçiçi hodhi poshtë akuzën më të rëndë nga vitet e luftës, duke pohuar se një masakër famëkeqe ndaj shqiptarëve etnikë në 1999 nga forcat serbe në Kosovë u sajua për të provokuar ndërhyrjen perëndimore. Për Vuçiçin, historia e vonë e Kosovës fillon me fushatën ajrore të NATO-s të vitit 1999, dhe nuk përmend çmontimin e paramenduar të autonomisë së Kosovës nën ish-udhëheqësin serb Slobodan Millosheviç - shumë përpara rënies së Murit të Berlinit dhe çdo agjitacion për pavarësinë e Kosovës. Pasoi një dekadë shtypjeje sistematike nga Beogradi.
Megjithë fushatën për të ngjallur ndjenjat nacionaliste mbi Kosovën, publiku serb ende tregon gatishmëri për një marrëveshje. Në një studim të kohëve të fundit, më pak se një e treta e qytetarëve serbë e përmendnin Kosovën si çështje prioritare, ndërsa standardi i jetesës (84 për qind) dhe problemi i lidhur me korrupsionin dhe kriminalitetin (68 për qind) kryesonin listën e shqetësimeve. Për më tepër, falë viteve të tëra të politikave gërryese, Vuçiç ka aftësinë të kontrollojë narracionin publik në Serbi si asnjë udhëheqës para tij, përfshirë edhe mentorin e tij, Millosheviç. Kaq të frikësuar janë gazetarët dhe figurat publike në Serbi, saqë vetëcensura është diçka e zakonshme. Aq dominuese është partia e Vuçiçit, saqë shqetësimi i tij më i madh në zgjedhjet e muajit të ardhshëm është të arrijë një fitore zgjedhore aq të madhe sa të dëmtojë besueshmërinë e demokracisë serbe në sytë e Perëndimit. Vuçiç kontrollon pothuajse të gjitha “armët” e qeverisë, përfshirë shërbimet e inteligjencës dhe ka një ndikim të konsiderueshëm në bodrumet joqeveritare të nacionalizmit serb siç janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve.
Çështja është se Vuçiç mund ta shesë një marrëveshje si dinjitoze, stabilizuese për Kosovën dhe që përfshin njohjen e plotë të ndërsjellë. Fatkeqësisht, ai veçse e ka bërë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Në vend që ta kuptojnë këtë fakt dhe të nxjerrin përfitime nga presidenti serb, diplomatët – përfshirë edhe Grenellin tani - kanë bërë gabimin klasik të bisedimeve: dëshpërimin. Në vend që ta përdorin kohën për të anuluar fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve dhe të ndihmojnë në ekspozimin e kalbjes sistemike për të cilën shqetësohen qytetarët serbë, diplomatët kanë bërë të kundërtën. Duke iu lutur liderit serb për të arritur një marrëveshje për Kosovën, zyrtarët e ShBA-ve dhe BE-së (me disa përjashtime) i kanë larguar sytë nga përkeqësimi i demokracisë në Serbi, duke përfshirë shembujt e qartë të kapjes së shtetit nga partia në pushtet. Grenell ka rënë në të njëjtin kurth, duke minuar në vend që të mbështesë Kurtin - reputacioni i të cilit si luftëtar i mirëfilltë kundër korrupsionit madje ka krijuar shqetësime në Beograd - që tashmë kanë nisur të ndërmerrë hapa për të frenuar korrupsionin në Prishtinë.
Nga ana tjetër, Vuçiç e ka manipuluar këtë zell për marrëveshje, duke e kthyer thelbin e negociatave në pyetjen se si të kompensojë politikisht presidentin serb, sesa si të mbrojë interesat thelbësore serbe në Kosovën e pavarur. Për motive të njohura vetëm nga ai, mbase marrëdhëniet e tij korruptive ose sjellje të tjera kriminale, Thaçi është akomoduar çuditërisht për homologun e tij serb. Të nxitur nga shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe diplomacia e Departamentit të Shtetit amerikan, Vuçiç dhe Thaçi vitin e kaluar ranë dakord për ndarjen e Kosovës. Diplomatët racionalizuan konceptin radikal duke pohuar se pa ndarje, Kosova do të bëhej një "konflikt i ngrirë". (Nëse kjo ndodh, edhe aspiratat e Serbisë për në BE janë të ngrira.) Kur dolën lajmet për planin e ndarjes, një debat i madh u hap në Kosovë, në vendet fqinje dhe në Gjermani për "efektin ngjitës të Kosovës" - ftesa për të rihapur çështjet e kufirit në të gjithë Ballkanin, përfshirë edhe Bosnjë dhe Hercegovinën.
Nga ana e tij, Grenell insiston që palët nuk kanë diskutuar kurrë për ndarje, të paktën "në praninë e tij". Ai pohon se ndërmjetësimi i tij bazohet në zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës. Në fillim të këtij viti, Grenell njoftoi me krenari tre marrëveshje pozitive për krijimin dhe përmirësimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, mbetet shqetësimi se marrëveshja Grenell-Vuçiç-Thaçi përfshin territorin. Në njoftimin e saj në Tuiter për një rezolutë parlamentare për dialogun me Serbinë, kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi se "askush nuk do të jetë në gjendje të negociojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës".
Shqetësimet e Osmanit për ndarje janë të bazuara mirë. Mësimi i nxjerrë nga çerek shekulli paqe në Ballkan është se marrëveshjet e bazuara në të drejta, siç është marrëveshja e Prespës 2018, midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, që i jep fund luftës midis maqedonasve dhe shqiptarëve, punë; marrëveshjet e bazuara në territor, siç është marrëveshja e Dejtonit të 1995 për statusin e Bosnjës, thjesht zgjasin konfliktin. Në të vërtetë, lideri separatist Milorad Dodik, një serb boshnjak, ka mbrojtur ndarjen e Kosovës pasi ai ka rritur kërcënimet e tij për t'u shkëputur nga Bosnja, një veprim që do të rikthente luftimet.
Ashtu siç Bosnja është e bllokuar nga ndarja etnoterritoriale e vendit, kështu edhe Kosova dhe Serbia do të dënoheshin. Ndarja e Kosovës - pavarësisht nga pëlqimi i palëve - do të jetë shkaku për homogjenizimin etnik me shumicë: Kosova për shqiptarët dhe Serbia për serbët. Dhjetëra mijëra qytetarë të pakicave të mbetura në "anën e gabuar" të kufirit të ri do të largoheshin. Në këtë skenar, trashëgimia e lashtë etnike serbe në jug të Kosovës do të ishte edhe më e izoluar, edhe nëse i jepej sovraniteti. Për këtë arsye, At Sava Janjiç, abati ortodoks serb në vendin më të rëndësishëm të kishës në Kosovë, Deçan, e kundërshton ndarjen me këmbëngulje. Ai e kupton që një shkëmbim territori nënkupton edhe shkëmbim të popullsisë. Vuçiç dhe Thaçi, të preokupuar me shqetësime më të ngushta se kaq, nuk i kanë asimiluar këto mësime. As diplomatët e SHBA nuk i kanë asimiluar të tilla mësime, pasi janë të preokupuar me arritjen e një marrëveshjeje – qoftë edhe destabilizuese - për të cilën nuk ka urgjencë.
Nëse oferta e Grenell shkatërrohet mes rezistencës lokale dhe përhapjes së pandemisë, do të ketë kohë për të reflektuar mbi të gjithë strategjinë e falsifikimit të një marrëveshje për Kosovën duke e zbutur presidentin serb. Asgjë nuk humbet duke nxitur Vuçiçin për të provuar se interesi i tij për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është i vërtetë dhe jo një blof. Asgjë nuk humbet duke e futur Beogradin dhe Prishtinën në një dialog të vërtetë mbi Kosovën – të tillë që u jep zgjidhje pyetjeve të dhimbshme të së kaluarës si një mënyrë për të krijuar një të ardhme të prosperuar, të qëndrueshme. Vendet fqinje si Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vërtetuar se kjo është plotësisht e mundur. Shtetet e Bashkuara dhe BE së bashku kanë një mekanizëm të plotë funksional ndaj palëve për t’u përqendruar në të, përfshirë stimujt ekonomikë që Grenell favorizon. Uashingtonit dhe Brukselit u duhet vetëm të vendosin nëse duan një marrëveshje afatshkurtër ose një zgjidhje afatgjatë.
Burimi: Foreign Policy
Përktheu: Gazmira Sokoli/ TvT
Add new comment