Për herë të parë që nga koha e Shahut, Irani kërkon kredi nga FMN për të luftuar pandeminë
Regjimi iranian ka pranuar publikisht se ndodhet para një katastrofe humanitare më përmasa të jashtëzakonshme. Për herë të parë që nga rënia e Shahut në vitin 1979, Teherani zyrtar i është drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar për një kredi prej 5 miliardë dollarësh, ndërkohë që ministri i Jashtëm, Zarif shkruan në tuiter për nevojat në pajisje mjekësore që ka nevojë vendi.
Kredia e kërkuar është në thelb shtrirje e dorës ndaj SHBA, pasi edhe nëse Fondi e miraton kredinë, SHBA mund të vendosë veton. Media të ndryshme shkruajnë se Trump nuk ka ndërmend për momentin të lehtësojë sanksionet për Iranin, duke e vendosur regjimin e ajatollahëve para një krize ekzistenciale.
Nga ana tjetër praktika e FMN-së e kushtëzon kredidhënien me reformën ekonomike që do të ishte një tjetër goditje. Kredia e fundit që iu dha Iranit ishte në vitet ’60, kur Presidenti Kennedy aprovoi një shumë prej 35 milionë dollarësh duke kushtëzuar jo vetëm me reformat, por edhe me emrin e kryeminsitrit.
Aktualisht Irani gjendet i tëri në karantinë të plotë, pasi duke qenë vendi më i goditur në Lindjen e Mesme, të gjithë i kanë mbyllur kufirin. Shitjet kanë rënë me 50-70% për mallrat bazë, ndërkohë që turizmi dhe prodhimi i naftës kanë rënë me po kaq.
Add new comment