Transparenca është standard i panegociueshëm

Postuar në 14 Mars, 2020 00:20
Skerdilajd Zaimi

 

Transparenca është për kohë paqeje

Këtë thoshte sot një gazetar që bënte thirrje për t’iu bindur regjimit të luftës që ka imponuar pandemia.  Të kesh frikë është normale. Madje frika është ndoshta ndjenja më normale që mund të ekzistojë, e megjithatë ajo është stigmatizuar. 

Por frika nuk është gjykatës i mirë dhe as duhet të na errësojë arsyen. Pandemia që ka nisur po përshkruhet si një ballafaqim me mbijetesën tonë si shoqëri. Mund të vijë dita që të na thonë se po bëhet fjalë edhe për mbijetesën si specie. 

Megjithatë asgjë nga këto konsiderata që janë – e theksojmë në lëmin e hipotezave – nuk duhet të na ngushtojë në të drejtat tona themelore. Nëse ka sot një sfidë reale të pandemisë kjo është sfida ndaj strukturës së shoqërisë, mënyrë së të menduarit, reaguarit. Sa të thella janë bindjet tona për lirinë, demokracinë, sa e duam ne atë që kemi arritur me shumë mund dhe më e keqja që po e humbasim përditë nga tolerimi i korrupsionit dhe gënjeshtrës që në fund të fundit na nxorën zbuluar përpara pamundësive faktike për të menaxhuar një krizë të tillë? 

Flitet dhe shkruhet përditë, me krenari legjitime për përparimin e shkencës, arritjet e saj, për inçizimin social të zgjidhjeve shkencore në zgjedhjet dhe alternativat e njeriut. Por ja që mjaftoi një pandemi me incidencë mortaliteti relativisht të ulët që gjithë ky besim tek Arsyeja, institucionet, Fjala sidomos, të shkelmohen sa hap e mbyll sytë. 

Ndihet në ajër rendja pas instinktit, mposhtja e frikës, kërkesa për rrugëdalje emergjente pavarësisht kostove. Mbijetesa duke shitur çdo gjë. Mund të ndodhë edhe kjo, por fatura do të jetë shumë e lartë. 

Shëndeti ynë është në rrezik. Po është në rrezik. Por ne i jemi bindur një rregulli se taksat tona shpenzohen për përmirësim shërbimesh dhe kapacitetesh. Jemi bindur duke menduar se kjo është rruga më e mirë. Sot që këto para duhet të ktheheshin mbrapsht, kur këto shërbime për  të cilat kemi paguar duhet të na jepen, ne dorëzohemi dhe themi: ulni kokën, lërini llafet se na duhet ta hedhim këtë lumë. 

Po si? Kujt t’i bindemi? Kush na e jep këtë garanci? Nëse po flasim për mbijetesë, atëherë duhet të kemi kujdes sepse ky term implikon shumë gjëra. Sulmin ndaj shtetit, autoriteteve që gënjejnë, armëmbajtjen, grabitjen. Çdo gjë të imagjinueshme për të mbrojtur të afërmit tanë. Do ia besojmë vallë mbijetesën qeverisë? Politikës? Ato i kemi paguar dhe dështuan. Po paralajmërojnë dështimin dhe kolapsin me vetëm 33 të infektuar. Si ta ruajmë rendin publik nëse në cenohet rendi psikologjik? Si ta tolerojmë kryeministrin në këtë situatë, pasi e kemi duruar në të gjitha marrëzitë dhe grabitjet e tij gjatë normalitetit alla shqiptar ku çdo gjë vidhet? 

Si të çedojmë ne për frikën dhe nevojat e një njeriu edhe liritë tona? Si mundet të na shkojë në mendje një gjë e tillë? Kaq shumë frikë e kemi lirinë dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj? 

Shembujt nga bota na flasin ndryshe. Nëse ka një dallim mes epidemisë së SARS dhe CoVid19 është qasja thelbësisht ndryshe e Kinës. Në rastin e tanishëm Pekini zyrtar informoi në kohë reale, shkëmbeu informacione me OBSh, transmetoi sekncën genetike të virusit, shpalli karantinimin publikisht, njoftonte viktimat në përditmëri, lejonte mjekët të flisnin dhe të studionin. 

Ne sot po na sugjerohet që të besojmë kryeministrin dhe videomesazhet e tij nga Sureli teksa një kokosh antiviral këndon në sfond duke thyer karantinën. Nuk na lejohet të pyesim gjatë konferencave të IShP-së, nuk marrim përgjigje për situatën logjistike dhe për të marrë informacione na duhet të punojmë në rrugë operative. Për cilën arsye? Sepse shqetësohen njerëzit? 

Edhe shembulli italian na mëson ndryshe. Kemi parë plane nga salla e reanimacionit në Kremona. Në Tiranë as nuk afrohesh dot tek Infektivi. Pa folur për faktin se situata e tanishme përvijon një betejë mediatike personale të kryeministrit që njëherë shton frikën që e ka edhe vetë, pastaj ofron garanci dhe qetësi, bën thirrje për solidaritet për ta shndërruar të gjithë këtë si një inskenim politik ku ai është shpëtimtari. E pamë se çfarë thanë për të pas tërmetit: Bëri mrekullinë. Ia doli vetë. 

Nuk kemi nevojë për këtë. Ose më saktë: ky është një model që ndan më dysh shoqërinë. Për ata që thonë se duhet të mos virusojmë njerëzinë me mendimet dhe pyetjet, apo debatin, u duhet thënë se nëse kjo është luftë ndaj një pandemie, atë nuk e fiton ai që del gjallë, por edhe ajo shoqëri që nuk lejon zhbërjen e fibrës së saj. 

Le të mbajmë parasysh devizën: Frikë jo, kujdes Po. E të mos lejojmë që ta keqlexojmë padashur për leverdi të një pushteti që ka shumë llogari të hapura ta lëshojmë veten në parimin: Frikë, frikë dhe vetëm frikë. Sepse frika dhe padija janë gurthemeli i kishave të rreme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.