Tur operatorët kërkojnë lehtësi dhe ndihmë financiare nga qeveria
Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike i kërkon mbështetjen e qeverisë për të përballuar efektet e masave që janë vënë në zbatim kundër përhapjes së epidemisë së koronavirusit. Duke e cilësuar kritike për sektorin e turizmit situatën e krijuar ditët e fundit, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), duke ndier zgjatjen në kohë të kësaj gjendjeje, shprehet se “vetëm me një ndërhyrje vendimtare nga qeveria së bashku me përpjekjet që po bëjmë vete ne aktorët e industrisë, mund ta kalojmë këtë situatë tejet të vështirë”.
Kështu, për të shmangur pasojat e rënda dhe kolapsin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, duke marrë si shembull edhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve për të qenë në krah të bizneseve në këtë periudhë të vështirë, kërkohet marrja e masave si më poshtë:
- Të pezullohet pagesa e Tatim-Fitimit për minimumi 3 muaj në vazhdim dhe të përshtatet llogaritja me vitin aktual;
- Subvencionim të pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-6 mujore;
- Reduktimi i taksave vendore dhe shtyrja e afatit të pagesës së tyre të paktën deri në fund të qershorit;
- Akordimi i Granteve ose kredive me interes “0%” përmbështetje të nevojave për likuiditet të kompanive turistike.
Turizmi është sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe e ardhura totale e turizmit është 1.8 miliard euro. Si një nga sektorët më të rëndësishëm, efektet në turizëm pritet të reflektohen direkt në ekonominë e vendit.
Comments
Turizmi vetvetiu duhet te
Turizmi vetvetiu duhet te perjashtohet nga taksat derisa gjendja te permisohet. Ne te kundert, do te kemi falimentime te shumta, qe do te coje serish ne mospagese taksash.
Add new comment