Zengjinët flasin për vegjëlinë

Postuar në 28 Shkurt, 2020 22:58

Kongresi zgjedhor i Partisë Socialiste është prezantuar në mediat pranë pushtetit ashtu si e përditshmja politike e këtij vendi: argalisjet gjithë kripë të kryeministrit që sillet si usta i kategorisë së shtatë në gallatë, me paraqitjen prej nëne të dhembsur të bashkëshortes së tij e deri te vënia e theksit te roli i gruas. 

Emancipimi është deviza e këtij kongresi. 

Bën përshtypje fabula e përdorur nga zonja Rama. Ajo ia ka dedikuar fëmijëve fjalën e saj, ka folur për një Shqipëri Europiane, edhe pse ne që jemi rritur në Shqipërinë e Enver Hoxhës, kemi nostalgji për fëmijërinë tonë. Sepse fëmijët nuk dallojnë kohën politike, atë që zonja Rama e konsideron si arritje, por që në fakt është ambicie e një elite e cila i ka hapur shumë probleme këtij vendi. 

Pa modesti, e ndoshta me një dozë demagogjie, apo vaniteti, zonja Rama tregoi një histori: i pyetur në 105 vjetorin e pavarësisë, kur siç tha ajo Zaho mbushi pesë vjeç – se pse e duam Shqipërinë, djali i saj dhe kryeministrit është përgjigjur: Sepse ajo është shtëpia jonë

Ishte mësuese Elda ajo që e prekur ia përcolli zonjës Rama këtë qëndrim, duke mos kuptuar se pyetje të tilla për një fëmijë pesë vjeçar janë thjesht budallallëqe pa kuptim. 

Ndoshta zonja Rama ka dashur të tregojë se po rrit një djalë për Shqipërinë, por sinqerisht: edhe në qoftë e vërtetë, kujt po i intereson? Pse duhet që një episod familjar të jetë pjesë e një Kongresi të një partie që qeveris vendin?

Nuk ngopen vallë këta njerëz me vëmendje, me begenisjen që sjell pushteti? Nuk u vel kjo familje kryeministrore duke parë veten ngado, duke u diskutuar, përfolur dhe duke u vetësugjestionuar se qenka modeli i së resë dhe ndryshimit në këtë vend?

Le të jemi të vërtetë: zoti Rama na thotë shpesh se ai është shërbëtor i Shqipërisë, por ai ia thotë vallë të birit se është i tillë? Pra shërbëtor? 

Dhe vërtet kjo zonjë mendon e shpreson se me këtë kurs të të shoqit të vet – të cilit na i bëka opozitë shumë të fortë siç tha kryeministri – po krijon një vend më të mirë për fëmijët e sotshëm? 

Është pa interes apo dobi hulumtimi i psikozës së njerëzve të tillë të nginjur nga pushteti. Por meqë zonja po do të paraqesë një imazh të një nëne, një gruaje të përdëlluar për progresin e këtij vendi, ajo ka rastin që ta shohë realitetin qoftë edhe te qëndrimet publike të të shoqit: tri vjet më parë thoshte se “punë ka, por nuk ka profesionistë”, sot thotë se: “punë ka, por nuk ka as krah pune”.

Për cilët fëmijë po përparon ky vend? Cilët prindër duan të shkollojnë fëmijët e tyre këtu? Cilët shqiptarë duan të kurohen në spitalet tona? 

Cili prind normal do donte të edukonte me përralla folklorike fëmijën e tij që edhe në kopësht mëson për kufijtë? Kush do donte më dëshirë që ta shihte të ardhmen e vet apo fëmijëve të vet të lidhur dhe të kushtëzuar me miqësinë me njerëz si zonja Rama apo bashkëshorti i saj, me parti politike dhe drejtues agjencish shtetërore? 

Askush. Por Shqipëria e ka mbiemrin e vajzërisë dhe nusërimit: Halli

Ndaj ata që u bënë zengjinë me pasurinë e këtij vendi e kanë të lehtë të bëjnë sikur nuk shikojnë se çfarë ngjet, se në çfarë mjerimi është zhytur ky vend dhe se çfarë rrene është shkëlqimi i kongresit të milionerëve që ka nisur sot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.