Politikë me Amerikën në krah, jo politikë amerikane
Albin Kurti ka njoftuar se nga data 15 mars do të heqë në mënyrë të kushtëzuar tarifën për mallrat serbe. Ka rëndësi të theksohet kushtëzimi, pasi në deklarimin e vet Kryeministri i Kosovës bëri me dije se nëse Serbia nuk reagon proporcionalisht, tarifa do të rikthehet.
Mund të mos jesh dakord me këtë qëndrim, por ai është njoftuar nga z. Kurti që pa ardhur në pushtet duke premtuar reciprocitetin.
Në Kosovë po luajnë politikisht kundër këtij akti, kurse në Tiranë loja është më tinzare.
Albin Kurti ka ndryshuar dhe kjo është shenjë pjekurie. Ja një tezë që është hedhur me synimin e qartë për të treguar se ata që janë pro taksës dhe kundër projekteve të tjera rajonale, janë miopë, keqdashës dhe thjesht vonojnë në kohë axhendën e integrimit. Më tej akoma, lihet të kuptohet se ky ndryshim është rivënie në shina e politikës proamerikane, kaq shumë të kërkuar nga Shqipëria.
E thënë thjesht po na thuhet se Kurti po bën atë që propozoi Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Qoftë për atë që u tha më lart, qoftë për faktin se vendimi ka ardhur pasi Kurti deklaroi në Tiranë diferencat e veta me kryeministrin e Shqipërisë.
Pra politika e Prishtinës aktualisht nuk ndikohet nga Shqipëria dhe as funksionon mbi këshilla koordinatorësh të tipit Haxhiu.
Albin Kurti mund të dështojë, mund të cedojë, mundet edhe të ketë sukses. Por nuk është këtu çështja dhe debati i Tiranës: ndaj tij po luftohet që ai suksesin apo dështimin ta ketë reflektim apo faturë të një kokfortësie ndaj këshillave të mençura të Shqipërisë. Këtu do të rihyjë në lojë antiamerikanizmi që është kthyer në argument, apo edhe sulmet gjithfarëshe të opozitës kosovare.
Por Albin Kurti megjithë populizmin dhe kotësitë e mëdha që artikulon shpesh, ka sot shansin të dëshmojë se di t’i përdorë amerikanët për llogaritë e Kosovës dhe jo ta kthejë aprovimin e çdo teke zyrtari amerikan në llogari të vendit të vet siç ia kërkon Edi Rama dhe sejmenët e tij.
Çdo marrëveshje që arrihet duke vënë firmë mbi drafte të përgatitura gjetkë do ta dëmtojë Kosovën. Mjafton të shikojë reformën në drejtësi dhe sesi politika komandohet me sms diplomatësh për të kuptuar se ku çon këshilla e mençur e Tiranës: Ne do lëmë edhe Barin, dhe Amerikës nuk ja prishim.
s.zaimi
Add new comment