CoVid - 19 prek edhe Irakun, Kuvajtin,Bahreinin dhe Afganistanin
Iraku, Bahreini, Afganistani dhe Kuvajti kanë raportuar rastet e para të pacientëve me koronaviorus, që sipas tyre lidhen të gjithë me kontaktin me Iranin. Në Kuvajt u konstatuan tre raste mes 700 personave që u evakuuan nga qyteti verilindor i Iranit, Mashhad. Në Bahrein njoftimin e ka dhënë Ministria e Shëndetësisë që raportoi se një qytetar ka rezultuar pozitiv pasi ishte kthyer nga Irani. Me këto raste gjeografia e sëmundjes përhapet edhe më shumë duke kapur Azinë, Afrikën, Europën, Australinë dhe Amerikën e Veriut duke lënë jashtë deri më tani Amerikën e Jugut. Përhapja konfirmon frikën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që foli për mundësi shumë të vogla për ta kufizuar epideminë, e cila tanimë ka hyrë në kushtet e një pandemie globale me të panjohura të mëdha.
Virusi është quajtur Covid -19 dhe është variant i virusit të vitit 2003, SARS, që jep sindromën e rëndimit akut të frymëmarrjes duke çuar në rastet fatale në pneumoni virale. Në ndryshim me SARS, CoVid -19 ka vdekshmëri shumë më të ulët, 2-3% në krahasim me 9.6% që e ka SARS dhe transmetohet shumë më shpejt. Një tjetër veçori është periudha e inkubacionit pa simptoma që shpjegon edhe shkallën e përhapjes. P.sh në Kuvajt dy prej personave të diagonstikuar ishin asimptomatikë. Nga ana tjetër Co-Vid 19 ndryshon edhe me MERS, sindromën e Lindjes së Mesme e cila e ka shkallën e mortalitetit 30%, por ka shkallë përhapjeje shumë të ulët pasi kërkon kontakt të afërt. Kina ka zbardhur sekuencën genetike dhe e ka bëë atë publike, por stigmatizimi i saj nuk gjen mbështetje në faktin se në vende të ndryshme po verifikohen koloni virusi që nuk kanë lidhje me Kinën. Kjo nuk e shpjegon dot mirë idenë e përhapjes lineare.
Problemi kryesor është mungesa e një trajtimi mjekësor, e një kure. Njësoj si për SARS dhe MERS, për CoVid 19 nuk ka asnjë trajtim. Autoritetet kineze kanë miratuar përdorimin medikamenteve të tillë si klorokine, darunavir, galidesivir, intereferon beta, lopinavir/ritonavir, remdesivir, triazavirin. Po kështu autoritetet kineze kanë lejuar trajtimin tradicional duke mbështetur madje një spital të këtillë në Wuhan.
Nga rezultatet e deritanishme bëhet me dije se Chloroquine, që përdoret kundër malarjes, ka dhënë efekt në trajtimin e pneumonisë së shkaktuar nga virusi duke përmirësuar gjendjen e mushkërive.
Add new comment