Anti-KÇK, çelës për në BE, apo karrem propagandistik kundër qëndrimit të Hollandës?

Postuar në 10 Shkurt, 2020 17:05

Anti- KÇK, çelësi për të hyrë në BE. Është arritur progres me Reformën në Drejtësi, kur të bëhet plotësisht do të përbëjë armën më të fortë kundër krimit të organizuar, presim krijimin e SPAK që ta bëjë plotësisht këtë detyrë.

Ne monitorojmë informacionin që ekziston, për të kuptuar nëse të drejtat e personave të përfshirë në këtë çëshjte, për të ankimuar vendimin janë zbatuar siç duhet. Ne presim që të ketë një shkëmbim shumë të drejtë informacioni. Ky është një ligj i rëndësishëm dhe duhet të zbatohet siç duhet”, tha Soreca.

Ky është një ligj i rëndësishëm, i cili duhet të vihet në zbatim në përputhje me të gjitha kriteret e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës

Kështu citohet të jetë shprehur sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca gjatë konferencës për mediat lidhur me metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së. Pra nuk mjaftoi as reforma në drejtësi, as ndryshimi i Kushtetutës, as eksperimenti antikombëtar i destabilizimit tërësor të raporteve mes pushteteve, për të hapur luftë ndaj krimit. Duhet një masë ekstra, e jashtëzakonshme që të kemi në dorë çelësin drejt BE-së. Po sa mund të besohet se një gjë e tillë është e vërtetë?

Ndoshta zotëria mendon se ka kredenciale të mjaftueshme që të mbyllë me qëndrimet e veta shqetësimet në rritje për shkeljet e mëdha që aplikohen dhe parashkruhen me Aktin Normativ që i jep fuqi ekzekutive dhe vendimmarrëse një operacioni policor që quhet Forca e Ligjit. Dhe flet në këtë cilësi. Nuk është hera e parë që përfaqësues të BE-së mbështesin, promovojnë dhe krijojnë alibitë e pushtetit për nisma të dyshimta, që kalojnë në kufijtë e së drejtës, apo që gjenerojnë krizë.

Nuk ka sesi të harrohet sjellja e këtyre zyrtarëve që legjitimuan zgjedhjet lokale me një palë, teksa sot Këshilli i Europës i shpall ato jodemokratike. Ishin po këta zyrtarë që deri më dje imponuan një reform në drejtësi që shkel me të dyja këmbët të drejtat, që toleruan një prokurore të Përgjithshme të Përkohshme dhe që mbyllin sytë parë shkeljeve të shumta të qeverisë.

Sot z. Soreca po jep ato garanci që nuk i jep dot qeveria. Ai po thotë se Akti Normativ, paketa anti-KÇK në tërësi po monitorohet për të vlerësuar zbatimin e të drejtave. Ai e cilëson këtë paketë çelës të hyrjes në BE. Mirëpo si dhe pse nuk e sqaron. Akti vendos detyrime paralele me legjislacionin shqiptar në fuqi që sanksionon zgjidhjen e problematikave të pastrimit të parave dhe evazionit. Ai do të duhet të monitoronte zbatimin e ligjeve që janë përafruar me BE-në. Zoti Soreca ka zgjedhur të monitorojë një masë të jashtëzakonshme që me përkufizim cenon të drejtat.

Dhe e cilëson atë çelës për në BE. Pse të mos dyshojmë se kemi të bëjmë me një rreng propagandistik për të bindur vende si Hollanda të cilat këmbëngulin se Shqipëria e Edi Ramës është Republika e Kokainës? Si vallë do të luftohet me efikasitet një strukturë e organizuar kriminale, do të kemi rezultate kur në fund është gjyqësori ai që do vendosë?

Zoti Soreca ndoshta ndihet komod në Tiranë, sepse fjala e tij edhe kur nuk ka asnjë vlerë, kur bie ndesh me interesin publik, kur është thjesht një formalitet, merr rëndësi që nuk e ka. Por kjo nuk do të thotë të besojmë verbërisht recetat e diplomatëve të Tiranës që shijnë në këtë vend në shërbim të qeverisë. Që flasin dhe flasin për të mbyllur çdo shteg kundërshtie ndaj një qeverie të kapur në flagrancën e bashkëpunimit me krimin, qoftë për paaftësi, qoftë për përgjegjësi direkte.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ky here del si Gzim Palluqja ne kohe me mjegull, e here duket kot me se koti verdalle si Ver Llapa! Merr nje cope rroge, dhe Shqiperise i shtohen borxhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.