I kritikuar brenda dhe jashtë Francës, por mbetet shpresa e Europës
Ritmi me të cilin punon presidenti Emanuel Macron i bën të tjerët të turpërohen. Ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson, merrte pjesë në një festë me alkool në Downing Street në prag të Brexit, presidenti punëtor i Francës po bënte një apel si burrë shteti për popullin britanik. Macron bëri thirrje për hapjen e një kapitulli të ri në atë që ai e përshkroi si një marrëdhënie "të pakrahasueshme" të farkëtuar me "gjak, liri, guxim dhe beteja". Francezët "e dinë se çfarë u detyrohen britanikëve", shkroi ai. Kjo ishte një nxitje dinake.
Ndërsa Angea Merkel, kancelarja e Gjermanisë, që nuk u mbështet nga partia e saj dhe ekstremi i djathtë në zgjedhjet shtetërore të Tyringia, sheh se pensioni po i afrohet, Macron po vendos me forcë kushte më të ashpra për zgjerimin e ardhshëm të BE-së, që prekin vende si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe pse BE nuk arriti të binte dakord për një deklaratë unanime që refuzonte planin e paqes për Lindjen e Mesme të Donald Trump, Macron theksoi mbështetjen e Francës për një zgjidhje dy-shtetesh pasi vizitoi Izraelin dhe takoi presidentin palestinez në Ramallah.
Në javët e para të vitit, Macron gjithashtu kryesoi një samit me pesë vende afrikane - Niger, Mali, Burkina Faso, Çad dhe Mauritania - dhe farkëtoi një "koalicion të ri për Sahelin" për të luftuar terrorin xhihadist; e ndëshkoi Turqinë për ndërhyrje në Libi dhe dërgoi anije luftarake në Mesdheun lindor; kaloi dy ditë në Varshavë, duke u përpjekur të bindë drejtuesit e "djemve të këqinj" euroskeptikë të Polonisë për përfitimet e një bashkëpunimi më të ngushtë me Europën. Dhe e gjitha kjo duke mos llogaritur kohën e kaluar duke u përballur me grevat dhe protestat në vendin e tij.
Përpjekja e javës së kaluar në kryeqytetin polak tregoi një trimëri tipike. Ajo lë të kuptohet besimi që Macron ka në aftësitë e tij, në gjysmë të amandatit të tij, edhe nëse kjo nuk mbështetet nga bashkëqytetarët: mbështetja ndaj tij është në niveletë ulëta.
Pjesërisht vizita kishte të bënte me ndreqjen e urave që ai i "dogji" në mosmarrëveshjet lidhur me përpjekjet e qeverisë polake për të kontrolluar gjyqësorin dhe mediat. Pjesërisht ishte një veprim i llogaritur për të zënë vendin e lirë të Britanisë si miku më i mirë i Polonisë në BE.
Por kryesisht bëhej fjalë për të bindur popullin polak se idetë e diskutueshme të Macron për zhvillimin e mbrojtjes dhe sigurisë autonome evropiane, rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë dhe ndërtimin e një Evrope më të integruar nuk do të minojnë NATO-n dhe kërcënojnë aleancën amerikane - gjë që, në të vërtetë, me shumë gjasa do ta bëjnë.
Mjetet kryesore për këtë ndërrim, të kërkuara prej kohësh me stil nga drejtuesit francezë, janë "iniciativa e ndërhyrjes evropiane" e nisur nga Macron në 2017 dhe propozimi i tij për "këshillin e sigurimit evropian".
Ka një pikë më të gjerë në gjithë këtë: të shkosh përtej çështjeve specifike. Një temë e zakonshme i lidh veprimtaritë e Macron në skenën ndërkombëtare - nevoja urgjente, siç e sheh ai, për ta promovuar Evropën si një forcë të fuqishme, të pavarur në një botë, të mbizotëruar gjithnjë e më shumë nga SHBA, Kina, dhe regjimet autoritare, grabitqare populiste-nacionaliste.
Mbështetja e kësaj ambicieje është lidhja e fortë e Macron me vlerat humaniste të post-iluminizmit, parimet demokratike dhe agjendat progresive, të cilat janë kudo nën sulm.
Marrja përsipër nga ana e Macron e kauzës së Evropës - e mishëruar në thirrjen e tij të qartë vitin e kaluar për një "rilindje evropiane" - është e admirueshme dhe sigurisht e mirëpritur. Problemi, dhe kjo vlen brenda Francës po aq sa edhe jashtë saj, është se Macron është i vetëm, po krejtësisht i vetëm ama, midis drejtuesve të fuqive të mëdha.
Asnjë politikan tjetër i moshuar në Evropën e sotme, apo brenda komisionit të BE-së, nuk duket i gatshëm njësoj si ai për të marrë në dorë "shkopin". Kush tjetër është gati të udhëheqë luftën? Merkel jo. Ditët e saj të luftimit kanë mbaruar.As spanjollët dhe italianët e përçarë, por as polakët jashtë qendrës. Padyshim as Johnsoni tinëzar.
Brenda Francës, Marine Le Pen dhe Fronti i saj Kombëtar, i riemërtuar (tani Bashkimi Kombëtar) ka qëllime malinje, duke shpresuar ta largojë Macron-n nga pushteti në vitin 2022.
Argumenti i saj, si gjithmonë, do të jetë në lidhje me identitetin dhe emigracionin, megjithëse ajo tani pretendon tjetër gjë. Presidenti është "vënë në kryq" si simboli i një elite globale neoliberalë, të paprekshme.
Zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm mund të dalin keq për të. Megjithatë, Macron, në shumë mënyra, një centrist tradicional, është gjithashtu një reformator rrënjësor, siç tregon lëkundja e tij në sektorin publik. Në këtë, ai është një trashëgimtar i denjë i Toni Bler - duke përfshirë mundësinë që gjithçka mund të shkojë keq. Beteja për Francën është gjithashtu një betejë për Evropën.
Macron nuk është thjesht i vetëm; ai dhe parimet e vlerat që përkrah po humbin terren në shkallë ndërkombëtare, gjithashtu - ose kështu duket për momentin. Mjafton të shikoni fuqinë e forcave reaksionare që shkojnë kundër modelit të tij të politikës progresive. Në SHBA, Trump është triumfues, i ngazëllyer nga triumfi mbi nismën për shkarkimin e tij, çorientues për kundërshtarët ë tij dhe më e rëndësishmja, me një ekonomi që ka lulëzuar. Duket se ka gjithnjë e më pak arsye për të besuar se ai do të refuzohet për një mandat të dytë, me gjithë kritikat e pafundme që e rrethojnë.
Në Rusi, Vladimir Putin, armiku i demokracisë perëndimore, po shtron rrugën për të siguruar një formë të Putinizmit të përhershëm. Në Kinë, kulti i Xi Jinping, president i përjetshëm dhe udhëheqës i fortë, duket i paarritshëm, pavarësisht koronavirusit.
Nga India, Brazili, dhe Filipinet deri në Turqi, Izrael, Hungari dhe Arabimë Saudite, e djathta është në qendër të skenës . Në Nju Jork, lloji i qasjeve multilaterale, bashkëpunuese që preferon Macron, po përjeton një vdekje të ngadaltë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke e endur nëpër këtë peizazh të errët, ndalues, të udhëhequr nga yje ideologjikë të një epoke tjetër, Macron - dikur i krahasuar me Jupiterin, perëndinë romake të zotave - ndjek një orbitë të vetmuar, të sulmuar në vendin e tij dhe shpesh të mbrojtur ose të përqeshur jashtë vendit.
Në një botë moderne cinike që i jep përparësi interesit kombëtar, nuk respekton të drejtat individuale dhe nuk arrin të trajtojë pabarazinë në rritje, diktaturat dixhitale dhe degradimin e mjedisit, shanset janë kundër tij. Megjithatë, me idetë e tij të çuditshme për solidaritetin dhe përmirësimin njerëzor, ide pothuajse të vjetra, Macron mund të jetë shpresa më e fundit e Evropës.
The Guardian
Solli në shqip për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment