PS dhe PD mbrojnë ata që duhen...
Partia Socialiste nuk fal, por mban qëndrim. Kështu është shprehur sot numri dy i saj, Taulant Balla, i cili duke folur për rastin e kryebashkiakut Lefter Alla, ndër të tjera tha:
Partia Socialiste nuk merr në mbrojtje askënd. Pas hetimit të Prokurorisë, reagimi i PS do të jetë i ashpër dhe nëse del fajtor, dënimi duhet të jetë maksimal
Ka prova të shumta që në të vërtetë Partia Socialiste merr në mbrojtje në mënyrë selektive dhe madje promovon në mënyrë të tillë. Më keq akoma, PS-ja po imiton modelin Berisha në këtë drejtim.
Sot Lefter Alla po shitet, sikundër u detyruan të nxirreshin në ankandin e ligjit të dekriminalizimit edhe Valdin Pjetri, apo Agim Kajmaku. Mirëpo këto lëshime morale janë pa kosto, sepse askush nuk beson realisht te legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit. Në këtë mënyrë e lëshoi z. Rama edhe Shukri Xhelilin në Dibër. Mirëpo të gjithë e kuptojmë se këto lëshime nuk kanë kosto politike.
Krejt ndryshe u soll po kjo parti me deputetët e kapur nga ligji i dekriminalizimit, me Elvis Roshin e Kavajës, me Vangjush Dakon apo me Sajmir Tahirin, ish-ministër të Brendshëm. Zoti Rama arriti deri aty sa bëri avokatinë e të përgjuarve duke “sqaruar” se përgjimi nuk përbën provë fajësie. Dhe është e vërtetë, mirëpo pse kryeministri e merr këtë rol, kjo mbetet disi e paqartë.
Për analogji, z. Berisha kur ishte në qeveri, e pranoi menjëherë dorëheqjen e Ilir Rusmalit, apo shkarkoi menjëherë Ylli Pangon. Por ama Ilir Metës i shkoi në shtëpi një ditë para zhvillimit të seancës në Gjykatën e Lartë. Ndaj këto sjellje me dy standarde nuk ka sesi të gënjejnë kënd megjithë përpjekjen për të bindur se te pushteti i sotshëm ka mbetur ndonjë fije parimi apo kriteri moral në qëndrime.
Add new comment