A e sjell vërtet vota ndryshimin?
E mbajmë mend Shkuriun të gjithë. Patjetër që po. Ishte negativi i modelit të Rilindjes së Edi Ramës. Vërsulur mbi një femër të cilës i zhvishet pa asnjë teklif pa ditur se nga pas, mu përballë vrimës së paparashikuar të brekëve qëndronte një kamera e cila po ekranizonte për mbarë shqiptarët kënetën morale të një grupimi që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë.
Shukriada u harrua shpejt. Madje disa thonë se ajo video i leverdiste kryeministrit Edi Rama që gjeti aty një shkak për ta hequr kryebashkiakun e Dibrës. Mirëpo kjo e Shukriut ka me vete edhe komiken, pasi përcjell në format bruto një pjesë të së përfitshmesh në Shqipëri. Çfarë erdhi më pas ishte një kriminale. Dosja 184 me përgjimet e famshme provoi atë që dihej: zgjedhjet janë false. Të rregulluara dhe të paracaktuar përmes kombinimit të politikës me paranë e pistë, strukturat shtetërore dhe kontigjentin problematik.
Sa më lart ngrihet propaganda e qeverisë aq më shumë përshfaqen skandalet morale. Rilindja është e shtrenjtë. Shumë e shtrenjtë. Ne e shohim të gjithë luksin e përfaqësuesve të saj dhe ky luks patjetër që kërkon burime joortodokse financiare. Kërkon bashkëpunim me njerëz që nuk i përgjigjen standardit moral të qytetarit normal dhe që nuk mbahet në kontroll.
Në shtatë vjet pseudoqeverisjeje shqiptarët dëshmuan largime nga parlamenti, deputetë me rekorde kriminale, vrasës dhe trafikantë që vishen me pushtet, njerëz që kanë probleme sistematike me ligjin në disa vende, që vijnë nga rruga dhe përfaqësojnë rrugën.
E megjithatë Rilindja fitoi sërish. Fitoi duke na paraqitur veten si dëshmi të infektimit kapilar të shoqërisë që e ka pranuar pushtetin dhe drejtimin nga paraja e pistë.
Sot ka dalë një video ku presupozohet se është kryebashkiakut i Bulqizës duke marrë kokainë. Para disa ditësh kryebashkiaku i Mallakastrës doli me akt dënimi, pak më herët ishte ai I Vorës, pastaj ai i Vaut të Dejës dhe ai i Shkodrës.
Të gjithë ikën. Janë në kërkim. Kuptohet padrejtësisht, sepse në fund të fundit kë nuk bëri pis ky tranzicion?
Tani na thuhet se nuk duhet as të kritikojmë sepse në fund të fundit, siç citoi Aristotelin kryeministri: Nëse do që mos të të kritikojnë, mos bëj asgjë.
Albia perfekte për çdo shkelje ligji. Për çdo zullum që nuk ndalet në këtë vend. Kur vepron edhe gabon. Ndaj të kritikojnë.
Kemi edhe parimin tjetër: është sistemi që korrupton.
Puna është se jo të gjithë janë marrë me drogë, apo kanë vrarë. Dhe se as sistemi nuk po pastrohet. Është ai që ka qenë.
Përsëritja e këtyre rasteve e kthen në ligjësi rekrutimin në këtë kontigjent nga politika. Dhe na kujton se liria e tyre për të marrë vendime, kurajoja për të kërkuar përfaqësim politik vjen për shkak se politika, qeveria aktuale e ka ulur në minimum pikën kritike morale mbi të cilën gjykohet një vepër e mirë apo e keqe. Çdo gjë është e justifikueshme, mjafton që synim për të ndarë deri në fund pasurinë kombëtare, më saktë përvetesuar atë, të mos cenohet. Është process kalimtar drejt krijimit të një borgjezie që nuk pranon asnjë rregull dhe ligjësi konkurence. Nuk ka ndonjë dallim tjetër mes bandës, apo organizatës kriminale përveç kësaj mënyre të vepruari.
Ajo që kërkon ende përgjigje është: a e korrigjon dot vota këtë situatë? Është vetë Rilindja që ka ndryshuar paradigmat, me korrupsionin e paprecedent dhe që vë në diskutim mundësitë e mjeteve legjitime.
Add new comment