Dritëhijet e uljes së tatimit mbi dividendin

Postuar në 21 Janar, 2020 19:30
Gazmira Sokoli

 

Një vit më parë hyri në fuqi ulja e tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%, si pjesë e paketës fiskale për vitin 2019. Tatimi në nivelin 15%, i cili ka qenë në fuqi për 5 vjet, nuk ka sjellë në arkën e shtetit të ardhurat e pritura, kjo për shkak të hapësirave që lë ligji për fitimet e pashpërndara. Kompanitë e mëdha me disa aksionerë, të cilat bëhen subjekt i këtij tatimi, kanë të drejtën e tyre që të mos i shpërdajnë fitimet e realizuara përgjatë një viti të caktuar, duke i mbajtur në një zë të bilancit, që quhen fitime të pashpërndara. Këto fitime ata kanë të drejtë që t’i transferojnë vit pas viti, duke akumuluar teorikisht shuma të mëdha, një pjesë e të cilave, pra përqindja e tatueshme, duhet t’i paguhen shtetit.

Tatimi mbi dividendin ka qenë 10% deri në vitin 2014, kohë kur u rrit menjëherë në 15%. Ekspertët thonë se kjo rritje u reflektua menjëherë në uljen e shpërndarjes së dividendit dhe automatikisht mungesë të detyrimeve të paguara shtetit.

Si pjesë e paketës fiskale, ulja e tatimit mbi dividendin u miratua në Parlament në fund të vitit 2018.Presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim ndryshimin e normës së dividentit nga 15 në 8 %, me argumentin se është i pastudiuar dhe lë hapësirë për abuzim.“Fuqia prapavepruese e këtij ligji, është në shkelje të kushtetutës pasi përmban dispozita të lehtësimit fiskal për kategori të caktuara. Nëse qeveria ka bërë këtë ndryshim për të krijuar “amnisti fiskale”, atëherë nuk duhet të ishte përfshirë në këtë ligj”, argumentoi në atë kohë presidenti. 

A ishte ky ndryshim një amnisti fiskale e integruar në një paketë ligjore, përsa kohë që prej saj përfituan vetëm disa kompani? Për ekspertin Pano Soko, është një aministi fiskale me efekt në buxhetin e shtetit.

Norma e lartë e tatimit ishte një nga arsyet e mosshpërndarjes së dividendit për disa vite dhe kjo nismë i lehtësoi përfituesit e tij.Ekspertët bien dakord për efektet pozitive që u reflektuan menjëherë pas ndryshimit të normës.

Për ekspertin Pano Soko, rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nuk është e vetmja arsye që e çoi qeverinë drejt uljes së tatimit mbi dividendin.Ai thotë se projeksionet për rritjen ekonomike dhe kontributet e taksave në buxhetin e shtetit ishin të pasakta.Në këto kushte, u gjet një rrugë për të mbushur gropën financiare.

Ulja e normës së tatimit mbi dividendin teorikisht do të thotë më shumë para që u mbeten në arkë kompanive të mëdha. Në të tilla kushte shtohen pritshmëritë për rritje të investimeve, duke pasur parasysh se përfituese nga kjo nismë lehtësuese janë bizneset me kapital të madh.A u pasua me rritje të investimeve kjo nismë?

Për ekspertin Pano Soko, mungesa e investimeve të shtuara, në kushtet e një klime më të favorshme, ka një arsye tjetër.Bizneset që e kishin akumuluar kapitalin, përfituan nga ulja e tatimit për t’i transferuar jashtë fitimet e tyre.

Ndërsa për ekspertin Arbi Agalliu, çështja e përkthimit në investime të kapitalit të mbetur është më komplekse. Kjo lidhet me mënyrat që gjen biznesi për të përfituar brendakornizës së ligjit.

Ulja e tatimit mbi dividendin natyrshëm i ka ndarë bizneset në dy grupe: Ata që nuk e kanë paguar për disa vite me radhë, të cilëve u erdhi rasti i leverdisshëm ta paguajnë këtë detyrim në masë pothuajse të përgjysmuar, për shkak të efektit prapaveprues të ligjit, dhe ata që e kanë paguar në normën e vjetër 15%, duke humbur shansin për uljen e vitit 2019. Ai vë kjo bizneset në kushtet e një pabarazie të krijuar nga vetë qeveria?

Fakti që, në momentin e ndryshimit të normës së tatimit, shoqëri të mëdha me aksionerë të huaj shpërndanë dividend pas vitesh të tëra që nuk e kishin bërë një gjë të tillë, lë vend për ngritjen e një hipoteze. A kemi të bëjmë me aksesin e tyre në informacion të rezervuar mbi politikat fiskale në terma afatgjatë që ka çuar në mosshpërndarje të qëllimshme të dividendit për disa vite, për të përfituar më pas nga norma pothuajse e përgjysmuar?

Sa vend lë kjo për hetime, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me kompani me peshë në ekonominë e vendit?

Mosshpërndarja e dividendit për disa vite me radhë lë vend për supozimin se realisht fitimet janë ndarë mes aksionerëve, por detyrimi ndaj shtetit që buron nga kjo shpërndarje nuk është plotësuar. Kjo do të thotë që në momentin e hyrjes në fuqi të tatimit të ndryshuar, me dëshirën për të përfituar nga ulja e tij, shumat nuk kanë qenë reale.

Sidoqoftë, siç tregojnë shifrat, por edhe siç bien dakord ekspertët, ulja e tatimit mbi dividendin ka pasur efekte pozitive në buxhetin e shtetit.Ajo ka krijuar një situatë të përfitimit të ndërsjelltë, si për shtetin, edhe për kompanitë e mëdha që kanë pasur mundësi të përfitojnë prej saj.Sa e ndihmon kjo ekonominë e vendit?

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.