Drejt amendimit të Kushtetutës/Presidenti nuk mund të kthejë për rishqyrtim çdo ligj

Postuar në 12 Janar, 2020 19:27

Shumica parlamentare ka menduar të ndryshojë tërësisht tagrin e presidentit të Republikës në procesin ligjvënës. Ideja fillestare është hedhur që në momentin kur kreu i shtetit refuzoi dekretimin e ministrave dhe nisi politikën e kthimit të ligjeve për rishqyrtim. 

Për këtë arsye, shumica socialiste ka gati draftin me amendimin e Kushtetutës duke e argumentuar këtë parimisht me nevojën e harmonizimit funksional të neneve 84, 85, 92 dhe 93 të Kushtetutës.
Në draftin e siguruar nga “Ta Kripura” zbulohet ideja e shumicës aktuale e cila argumenton se precedenti i krijuar nga Presidenti aktual në zbatim të tejkaluar dhe të zhveshur nga fryma e Kushtetutës të nenit 85, ka krijuar kushtet e kufizimit të procesit ligjvënës për arsye që nuk kanë të bëjnë me interesin publik. 

Shumica arsyeton se procesi ligjvënës është së pari atribut i qeverisë dhe mandej aktorëve të tjerë dhe kjo me të drejtën që rrjedh në këtë kuadër nga procesi zgjedhor. Qeveria mandatohet për të drejtuar vendin në kuptimin ekzekutiv dhe për këtë i njihet e drejta e politikave me juridiksion territorial dhe rregullator të përgjithshëm. Brenda kësaj logjike çdo qeveri e gëzon mandatin e vet të lidhur me parimin e konceptimit të politikëve që është shprehi e delegimit të përfaqësimit përmes votës. 

Kufizimi që Kushtetuta i njeh Parlamentit në nenet 84 dhe 85, ka për synim vendosjen e procesit në përputhje me parimin e pluralizmit të ideve dhe zgjerimit të përfaqësimit, por pa cenuar ecurinë e tij. 
Presidenti aktual ka tejkaluar sipas shumicës këtë kuadër duke luajtur në vijimësi rolin e një normuesi kushtetues, por pa palë ankuese, thjesht dhe vetëm me iniciativë. 

Presidenti ka marrë atributet e një gjykate, mirëpo edhe si i tillë, ai vihet në veprim me vullnetin e vetëm duke thyer parimin funksional të çdo gjykate që vihet në lëvizje nga një palë e interesuar. Kjo situatë e zhvilluar në kufijtë e interpretimit kushtetues, jo vetëm vë në dukje një problem serioz të manipulimit me dispozitat kushtetuese, por paralajmëron një aksident kushtetues me pasoja pasi presidenti mundet fare mirë që të shndërrojë parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve në parim bllokues të qeverisjes dhe regjistrimin e akteve të saj në procedurë evetnuale shqyrtimi kushtetues nga Gjykata Kushtetuese

thuhet në relacion. 

Nisur nga ky arsyetim, mazhoranca sugjeron që presidentit t’i hiqet e drejta e refuzimit të dekretimit të ligjeve që nuk kanë të bëjnë me fushën e veprimit të tij dhe me organet kushtetuese, të cilat për nga funksionimi ndërveprojnë në procesin konstituues me Presidentin. 

Në këtë kuptim ligje si ai i buxhetit p.sh nuk mund të kthehet nga Presidenti, as ligjet që prekin fusha të së drejtës administrative, apo ligjet organike të institucioneve që janë varësi e ekzekutivit. 

Sipas burimeve të “Të Kripura” në nenin 93 është menduar të ndryshohet duke përkufizuar se presidenti nxjerr dekrete në përputhje me sferën e veprimit të tij sipas ligjit “Për funksionimin e institucionit të Presidentit”, i cili pritet të propozohet shumë shpejt. Po kështu amendimet në fjalë i paraprijnë krijimit të Parlamentit me dy dhoma, ku dhoma e lartë pritet të marrë disa kompetenca që deri më sot i ka patur kreu i shtetit. 

 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.