Leverdis ta quajnë Republikë

Postuar në 29 Dhjetor, 2019 03:08
Shaptilografisti

 

Shqipëri 2019.

Ka parlament, por nuk ka opozitë parlamentare. Ka Parlament, por sms e një njeriu vlen më shumë se ligji. 

Ka President, por dekretet e tij nuk zbatohen. Është në procedurë shkarkimi, por duhet firmë e Gjykatës Kushtetuese. 

Ka shkelje kushtetute, të drejtash? Orë e çast. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

Ka varfëri të trashëguar siç na thonë. Ama kilometri i rrugëve që shtrohen kushton 20 milionë euro. 

Ka qeveri? Ndoshta. Kryeministër është e sigurtë që ka. Patron artesh dhe kullash, qeveris me enciklika, aureolë ka mjekrën e bardhë, gishtin lart dhe votën sokratike me sandale.

Ka shqiptarë, ka edhe socialistë. Të parët pakësohen, të dytët shtohen. 

Ka ndikime ruse, malinje, beninje, turke dhe italiane. Oh sa mirë me qenë shqiptar! 

Këtë të gjithë e quajnë Republikë. Ose e shkruajnë me këtë emër. Juristët po e po, prokuruesit po e po se në emër të saj lëshojnë letra. Por kështu po e quajnë edhe qerratenjtë që ekzekutojnë të vërtetën përditë me fjalë. Më përrenjë fjalësh. Është nga ato lloj Republikash që na mësojnë sesi ruhen vlera dhe parimet e demokracisë. Nga ato që mbijetojnë. 

E sigurtë është që ka gazetarë, nga ata që nuk lëvizin dhe te të cilët asnjë shpifje nuk e humbet kohën. 
Ka edhe diplomatë, të të gjitha formateve. Reptilë që lëvizin buzët, por edhe primatë që nxjerrin gishtin. Kjo është shija e zbulimit tokave të reja, apo si thonë: sekretit të fundit të Europës. Kushton çdo gjë lirë. Ne këtë të fundit e dinim se ishte Liria. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.