Marrëveshja e detit me Greqinë? Ndoshta kur të bien dakord këta të dy për Egjeun

Postuar në 22 Dhjetor, 2019 16:29

Athina zyrtare nuk heq dorë nga projekti i gazsjellësit East Med pavarësisht kundërshtive të Turqisë. Mediat greke citojnë ministrin e Energjisë dhe Mjedisit, Kostis Hatidakis të jetë shprehur se 

Greqia është e vendosur të procedojë në bazë të ligjit ndërkombëtar

Në media ka qarkulluar së fundmi një lajm sipas të cilit së shpejti Greqia, Izraeli, Italia dhe Qipro do të nënshkruajnë një marrëveshje për promovimin e këtij gazsjellësi. 

Konteksti i tanishëm e ka shndërruar politikën e jashtme të këtyre vendeve në një zgjatim të interesave për burimet e energjisë. Kryeministri grek thuhet se ka komunikuar me homologun izraelit Netanyahu për këtë çështje ndërkohë që ministri i Jashtëm, Nikos Dendias po zhvillon një vizitë në Libi pranë gjeneralit Haftar që nuk njihet nga komuniteti ndërkomëtar. Nga kjo pikëpamje politika e energjisë në Mesdheun Lindor mund të shihet e ndarë në dy llogore të militarizuara: politikën turke dhe atë antiturke. Pas bllokut të dytë qëndron edhe ShBA ku së fundmi presidenti Donald Trump ka miratuar një akt që prek edhe EastMed. 

Vetë pala turke ka njoftuar se nuk heq dorë nga interesat e veta duke hapur paralel me kanalin ushtarak që e ka përdorur si instrument presioni edhe atë diplomatik. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavousoglou ka bërë të ditur se për konfliktin me Greqinë në Mesdhe mbetet i hapur edhe opsioni i gjykimit në arbitrazh. 

Ne jemi të hapur për të gjitha opsionet që janë të pranueshme për të gjithë

është shprehur ai, duke nënvizuar se Turqia nuk e njeh si të detyrueshëm juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare. 

E gjithë kjo situatë lidhet patjetër edhe me Shqipërinë e cila duhet thënë se është një vend me politike të cunguar. Në 100 vjet gjoja shtet, vendi ynë nuk arriti asnjëherë t’i japë rëndësinë e duhur ekonomike dhe politike ujërave dhe hapësirës detare që zotëron. Shqipërisë i mungon një politikë detare me të gjitha rrjedhojat dhe rëndësinë e saj. Shqipëria është një vend që ka ndalur në politikën e lejeve të ndërtimit dhe zaptimit të bregdetit me hotele duke refuzuar të kuptojë tjetër gjë në këtë drejtim dhe duke krijuar premisa delegjitimiteti që do të ndikojnë edhe në të ardhmen. 

Por angazhimi i Italisë dhe Greqisë në raport me Turqinë, do apo nuk do shteti i dështuar shqiptar, e prek edhe atë. Ne mund të kujtojmë sesi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes detare me Greqinë, Turqia u investua për bllokimin e saj. Ka një akuzë publike edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha në këtë drejtim. Çështja është se çfarë do të bëjë Shqipëria kur nga njëra anë i kërkohet zgjidhja e problemeve kufitare nga BE-ja dhe nga ana tjetër ka lidhur veten me detyrime me Ankaranë e cila nuk ka interes që Greqia të çlirohet nga kompleksiteti i kufijve të padelimituar me fqinjët pa rënë në ujdi vetë. Së fundmi u raportua se janë ngritur grupe pune të reja, por këto grupe janë ngritur përherë.

Marrëveshja që do të kënaqte zotin Rama në Tiranë nuk është ajo që i intereson Shqipërisë sa kohë që nuk ka një politikë për detin që shkon përtej lejeve për fshatra turistikë për miqtë që sponsorizojnë darka peshku, por ajo që në hartë i jep Shqipërisë qoftë edhe 1 milimetër katror det më shumë sesa marrëvesha e vitit 2009. 

Ndaj ajo që sot duket si marrëveshje e ndërlikuar ngjan të jetë peng i një koniunkture që zhvillohet gjetkë e që pak ka të bëjë me metodën e ndarjes, matjet etj..Dhe është kjo arsyeja, politika e vasalit që ndiqet në Tiranë që shpjegon thirrjet që vijnë nga Athina për shpalljen e 12 miljeve detare si një e drejtë që është njohur nga Shqipëria formalisht, e cila të paktën kaq e bën mirë: bën sikur nuk kupton se çfarë po ndodh.

Comments

Submitted by Dypakaveli (not verified) on

Po pse gjithmonë duhet të bëjë dikush ndonjë gjë, (në këtë rast marrëveshja greko-turke) që të themi edhe ne duam një si ajo.
No deal if not Çamëria included.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.