Mirë censura, po shoqatat e gazetarëve çfarë përfaqësojnë?

Postuar në 16 Dhjetor, 2019 13:07

Sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka organizuar në emër të subjektit që drejton një tryezë kundër të ashtuquajturës Paketë Antishpifje. Zoti Basha është në punën e vet, ai po do të rrëmbejë një flamur dhe mirë bën. Por nuk përjashtohet që edhe ta ketë seriozisht këtë luftë.

Çështja në fakt ka të bëjë me dy aspekte: së pari me akzuën se me draftin e ri po hapet rruga për censurën në MEDIA. Theksojmë MEDIA, pasi censura e gazetarisë është tashmë një nocion që i takon arkeologjisë, përderisa ajo zë fill herët këtu. Nëse ky draft krijon kushtet e censurës në media, pse atëherë asnjë prej pronarëve të mediave nuk ka shprehur interes për të folur në vetë të parë për këtë draft?

Nën domainin .al veprojnë dhe publikojnë të gjitha mediat kryesore në vend, televizionet kombëtare etj., ndaj parimisht ato duhet të ishin të shqetësuara për këtë që po ndodh. Pse asnjë prej pronarëve nuk shfaqet gjëkundi? Kujtojmë se këto media, bashkë me një pjesë jo të vogël të mediave online që janë pranë pushtetit, janë ato që publikojnë tekste dhe kronika të gatshme të gatuara në zyrat e pushtetit. Gazetarët nuk e shohin këtë si formë censure? Ngjan pak e çuditshme në fakt e gjitha kjo.

Aspekti i dytë ka të bëjë me shoqatat që janë prezentë në këto tryeza. Le të marrim katër prej tyre, ndonëse jo të katërta janë juridikisht Shoqatë. Instituti Shqiptar i Medias, Unioni i Gazetarëve, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Shoqata "Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë" APJ Albania.

Përveç Këshillit që është krijuar tani vonë, të trija subjektet e tjera janë përherë prezente kur flitet për mediat. Çfarë përfaqësojnë këto subjekte për gazetarinë shqip dhe si operojnë ato? Këto pyetje kanë rëndësi pasi përpara se t’I bërtasësh pushtetit për transparencë dhe fjalën e lirë, ke detyrimin që të jesh vetë transparent.

Le t’u drejtohemi faqeve online të tyre.

Instituti Shqiptar i Medias:

Në faqen e këtij instituti nuk funksionon faqja në gjuhën shqipe. Është diçka më shumë sesa karagjozllëk sidomos kur lexon se Instituti është themeluar në vitin 1995. Instituti prezanton stafin e vet me në krye Remzi Lanin – ka qenë tjetër përveç tij aty?!!! – historikun dhe publikimet. Të gjitha në anglisht dhe më e pazakonta, publikimet nuk ofrojnë jo vetëm mundësi lexim, po as të një ekstrakti.

Në kolonën e majtë ka një rubrikë: National Media. Nëse klikon aty të shfaqet një listë me mediat që veprojnë në Shqipëri, por e pa përditësuar. P.sh ResPublica listohet me “social media and blogs”, kur ka vite tashmë që nuk është e tillë. Ofrohet lidhje me media që kanë dalë nga tregu prej kohësh p.sh si Tirana Observer, revista Mapo, apo gazeta Agon. Dikush qenka shumë i zënë, 100% të kohës ndoshta. I krijuar dhe dedikuar për median shqip, ky institut që u raportua se mori pjesë në tryezën e organizuar tri ditë më parë nga shoqatat e gazetarëve, ka si lajm të fundit – në anglisht kuptohet – një postim të datës 11 korrik 2019.

Është e qartë se gjuha angleze e faqes lidhet me synimin strategjik dhe interesin publik që problemet e medias shqiptare të bien në veshin e Perëndimit. Por pse nuk raportohet situata e krijuar me draftin e tanishëm për të cilin thuhet se Instituti është përfshirë?(kërkojmë ndjesë nëse nuk kemi kërkuar mirë në faqen online dhe postimi për këtë temë n aka shpëtuar).

Le të kalojmë tek Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Në faqen e kësaj organizate apo shoqate shkruhet shqip. Në rubrikën “Rreth Nesh” thuhet se Unioni i themelua në iks vit pas paraqitjes së kërkesës nga Aleksandër Çipa. Ky union pretendon se ka edhe një Asamble Kombëtare që zgjedh organet drejtuese. Në të njëjtën rubrikë thuhet se Asambleja(nuk sqarohet nëse gazetarët në të zezë mund të jenë pjesë e saj) është mbledhur në vitin 2005 dhe “zgjodhi forumet dhe organet drejtuese te tij ne nivel kombetar”. (Germa “e” është cituar nga shqipja e faqes në fjalë). Pra marrim vesh se ky union ka një Asamble dhe një organ drejtues që është mesa lexojmë një njeri: Aleksandër Çipa. Transparenca e do që të publikohen emrat e drejtuesve, e aq më shumë Organeve Drejtuese që na paskan një mandat nga një Asamble. Në rubrikën “Degët e Unionit” shihet një hartë e Shqipërisë me dy ngjyra, por aty nuk ka informacion tjetër. Kliku bën rikoshet mbi degët e organizatës.

Por t’i lëmë këto sepse punët e vështira duan dorë të fortë. Të merremi me temën. As në këtë faqe nuk shihet gjë për diskutimin e paketës në fjalë. Rubrika “Aktivitetet e Fundit” na çon në datën 13 qershor 2017!!! Në rubrikën në fjalë nuk ka asgjë për paketën antishpifje. Dikush mund të thotë hidh një sy nga Facebook! Pyetja është: Faqja online është vetëm për andresë, siç e thotë një shprehje dialektore?

Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” nuk ka adresë në internet. Ose të paktën nga kërkimi ynë nuk doli gjë. Në Facebook kjo shoqatë ka postuar disa foto, një bio të shkurtër në anglisht ku duket se themelues që në vitin 1993 është Armand Shkullaku dhe asgjë më shumë. Këshilli Shqiptar i Medias ngjan të jetë më seriozi të paktën në prezantim. Debati për paketën antishpifje pasqyrohet sikundër edhe bordi që e drejton Këshillin. 

Mjafton ky vëzhgim sipërfaqësor për të kuptuar fare mirë se shumë prej atyre që kanë vite që bëjnë varavingo në idealin e lirisë së shtypit dhe lirisë profesionale nuk arrijnë dot të jenë përfaqësues të denjë. Nuk kanë folur për problemet reale dhe janë në fakt problemi kryesor. Të sillesh me shoqatën, organizatën, institutin apo unionin në këtë mënyrë të heq besueshmërinë, edhe pse ne e dimë se poltronën jo. Pasi atë ta jep tjetërkush…

Kjo mungesë serioziteti e bën fare të pakuptimtë dhe bosh debatin në fjalë, e vendos qeverinë në pozita komode për shkak se e di shumë mirë se ajo që sot trumbetohet si fitore e gazetarisë – nëse drafti tërhiqet – është asgjë më shumë sesa një gabim i panevojshëm i kryeministrit që i bie murit me kokë. E teksa e bën këtë na lë në derë të gjithë kësi heronjsh që po thinjen me pendë në dorë por duke neutralizuar çdo zgjidhje reale të problemeve që ka sektori. Një prej të cilëve është edhe censura që ky qark i shkurtër shoqatash dhe pseudo sindikalistësh ka krijuar në emër të disa interesave që nuk kanë të bëjnë shumë me gazetarinë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te kater entet e siperpermendura duhet te kene financimet e tyre nga buxheti i shtetit, ose dhe nga jashte, nga Brukseli, sic duket Instituti Shqiptar i Medias, me faqen e tij ne anglisht. Puna e tyre duket allashqiptarce. Unioni i gazetarve shqiptare duket vertet me i rregullt ne internet, por dhe ky nuk sqaron kush merr pjese ne 'te dhe sa here mblidhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.