Pse dështoi protesta e studentëve?!

Postuar në 13 Dhjetor, 2019 21:25

Dhjetori i vitit që lamë pas mund të quhet mjaft mirë si dhjetori i protestës së studentëve. Mijëra studentë të universiteteve publike në vend protestuan fuqishëm për plotësimin e një sërë kërkesash, që ia kishin parashtruar qeverisë dhe revolta e tyre ngjau se solli një ndryshim të frymës së reagimit në vend. Protesta u prit pozitivisht nga masa, ndërsa reagimit studentor iu bë jehonë mediatike, jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe atë ndërkombëtare. Për herë të parë prej gati 30 vjetësh u duk se opinioni publik u sensibilizua, ndërsa për shumëkënd edhe qeveria u vendos në pozita reflektuese, pasi pas këtyre protestave ndryshoi një pjesë të mirë të kabinetit.

Por pavarësisht kësaj fryme, protesta filloi të fashitej, pa plotësuar synimet e saj. Me ardhjen e festave të fundvitit, studentët u larguan dhe premtuan që do të vazhdonin në muajin janar atë çfarë kishin lënë përgjysmë. Në fund, ata u tërhoqën nga sheshi dhe zgjodhën bojkotin e mësimit dhe ngujimin brenda fakulteteve, duke sjellë kështu një lloj dështimi të protestës masive të mijëra studentëve, që mbushën sheshin para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.

Në fund, studentët nuk përfituan ulje tarifash, nuk patën përmirësime në strukturën konviktore dhe as ndonjë lehtësirë të dukshme e të prekshme. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e studentëve u izoluan në vetvete dhe u vunë kundër pedagogëve, duke zbehur kështu natyrën e protestës dhe duke i dhënë mundësi qeverisë të justifikohej e më pas të devijonte kërkesat.

Ndërkohë, reagimi apo përgjigja e qeverisë ndaj kërkesave të parashtruara gjatë protestës mund të cilësohet edhe si tallje ndaj vetë studentëve.

IZOLIM, MUNGESË ORGANIZIMI APO PËRÇARJE POLITIKE?!

Një tjetër gjë që mund të vërehet nga shumëkush është izolimi i protestës, që pavarësisht se u theksua se ishte një protestë jo politike, është e vështirë të jetë e tillë dhe jo në pak raste mbajti larg pedagogët, apo protestuesit e tjerë, siç ishin protestuesit e Unazës së Re.

RIKTHIMI I PROTESTAVE

E vërteta është se një vit pas protestave masive, kushtet në të cilat ndodhen studentët nuk kanë ndryshuar, madje, mund të themi se në disa raste edhe janë përkeqësuar.  Pikërisht situata në të cilën ndodhen, por edhe përvoja e vitit të shkuar, bën që vetë studentët, pedagogë dhe Lëvizja për Universitetin të parashikojnë dhe ideojnë sërish protesta masive të studentëve.

KËRKESAT E STUDENTËVE

Por cilat do të jenë kërkesat e reja të studentëve dhe a do të arrijnë këtë herë të realizojnë atë çfarë nuk arritën një vit më parë?!

Një vit më parë, studentët u duk se dhanë shkëndijën e parë të një lëvizjeje të re në vend, që solli shpresën për ndryshim. Ky ndryshim i shumëpritur nga e gjithë shoqëria nuk arriti të realizohej dhe tashmë me të drejtë, nuk janë të paktë ata që mund të dyshojnë nëse studentët do të arrijnë të jenë sërish të bashkuar. Ajo çfarë gjithkush mund të thotë me bindje është se, nëse studentët duan vërtet ndryshime, nuk duhet ta izolojnë protestën, sikurse bënë vitin e shkuar, por përkundrazi ta masivizojnë atë dhe për këtë duhen ide të qarta dhe organizim.

Përgatiti: Blerina Goce/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.