protesta e studenteve
Pse dështoi protesta e studentëve?!
Dhjetori i vitit që lamë pas mund të quhet mjaft mirë si dhjetori i protestës së studentëve. Mijëra studentë të universiteteve publike në vend protestuan fuqishëm për plotësimin e një sërë kërkesash, që ia kishin parashtruar qeverisë dhe revolta e tyre ngjau se solli një ndryshim të frymës së reagimit në vend. Protesta u prit pozitivisht nga masa, ndërsa reagimit studentor iu bë jehonë mediatike, jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe atë ndërkombëtare.
Krisja e armaturës*
Në njëfarë mënyre studentët këto dy muajt e fundit ia kanë dalë të detyrojnë klasën politike të provojë medicinën e hidhun që non stop prej 25 vitesh kanë gatuar për të gjithë ne. Refuzimi për të dëgjuar e për të negociuar nuk është një tipar mbizotërues i grupeve sociale që rregullisht janë keqtrajtuar nga kjo qeveri; reagimi më shumë duket si refleks i kushtëzuar i dikujt që duke e pasë lakun në fyt, nuk ka çfarë të humbasë në këtë betejë.