Vetëçlirimi: Shqipëria pa çlirimtarët e huaj, por jo pa frontet e tyre

Postuar në 10 Dhjetor, 2019 13:08
Sergei.G. Kuleshov - Doktor i shkencave historike, Presidenti i Shoqatës së Miqësisë Rusi-Shqipëri

 

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore de facto u çlirua me forcat e veta. Kjo u bë e mundur si rezultat i kombinimit të disa faktorëve, të brendshëm dhe të jashtëm. Faktori i parë mishërohet tek lëvizja partizane, e cila përfshiu të gjithë vendin, mori përmasat e një dukurie mbarëkombëtare në vitin 1944, si dhe u shoqërua me lëvizje analogjike në vendet fqinje si Greqi dhe Jugosllavi. Ndërsa faktori i dytë nënkupton avancimin e forcave të shteteve anëtare të koalicionit antihitlerian në Ballkan dhe në rajonin e Mesdheut. Mbërritja në Shqipëri në gusht të vitit 1944 e misionit ushtarak sovjetik të kryesuar nga majori K.P. Ivanov, pavarësisht të gjitha vështirësive që shoqëruan dërgimin e këtij misioni, ishte kontakti i parë mes palës sovjetike dhe partizanëve shqiptarë.

Veprimet e forcave ushtarake sovjetike, britanike dhe amerikane në frontet greke, jugosllave dhe italiane, i detyruan forcat okupatore gjermane, të cilat kishin zëvendësuar ato italiane, de facto të përgatiteshin për evakuimin nga Ballkani. Veprimet ushtarake të forcave partizane të Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, të kombinuara me sulmin e aleatëve të koalicionit antihitlerian, i shkaktuan dëme të pariparueshme pushtuesve, të detyruar të kërkonin korridoret e mundshme të tërheqjes nga gadishulli.

Në fund të vitit 1944 situata në Ballkan karakterizohej nga njëra anë me praninë e forcave të forta partizane, të cilat ekzistonin në disa vende – Shqipëri, Jugosllavi, Greqi, ndërsa nga ana tjetër me praninë e forcave të koalicionit antihitlerian, në veçanti në Bullgari, Greqi, Rumani dhe Jugosllavi. Avancimi i trupave ushtarake sovjetike në Perëndim, në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, e ndryshoi dukshëm situatën ushtarako-strategjike dhe politike dhe pikë së pari, krijoi kushte që lëvizja çlirimtare e Shqipërisë të pozicionohej në rolin e forcës së vetme ushtarako-politike në Shqipëri pa praninë e forcave të koalicionit antihitlerian. Kjo i mundësoi këtyre të fundit të mos shpërqëndronin forcat dhe mjetet e tyre për zgjidhjen e detyrave të përcaktuara në Evropë, pasi pavarësisht nga sipërfaqja e vogël gjeografike, si dhe nga vendndodhja “periferike” e Shqipërisë, në rast të zhvillimeve të paparashikueshme të ngjarjeve në aspektin ushtarako-strategjik në të, veprimet e koalicionit antihitlerian do të vështirësoheshin. Për rrjedhojë operacionet e kryera nga Ushtria e Kuqe, më konkretisht operacioni Jask-Kishinjev (20 gusht 1944 – 29 gusht 1944), operacioni Bukuresht-Aradsk (30 gusht-3 tetor 1944), operacioni në Beograd (20 shtator-20 tetor 1944), të kombinuara me veprimet e aleatëve në Itali dhe Greqi, mundësuan një vendosje të re të forcave në rajon.

Gjermania nuk mund të mbështetej më as tek Italia, as tek Bullgaria, as tek Rumania, pasi këto vende nuk ishin më aletatët e saj dhe në Ballkan ajo kishte mbetur e vetme. Pavarësisht faktit se betejat kryesore të karakterit strategjik zhvilloheshin përtej kufijve të Shqipërisë, ato kishin ndikim të drejtpërdrejtë në të, duke krijuar kushtet për vetëçlirimin e vendit.

Një veçanti jo më pak e rëndësishme e çlirimit të Shqipërisë u bënë edhe kundërshtitë e para që u manifestuan në mënyrë të qartë mes aleatëve të koalicionit antihitlerian, pikë së pari mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, duke gjetur pasqyrimin e tyre në situatën e brendshme të krijuar në Shqipëri. Në dallim nga vendet e tjera të rajonit, ku trupat ushtarake të aleatëve kryenin operacione sulmuese strategjike të rëndësisë së veçantë, Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik, ku nuk kishte forca ushtarake të aleatëve, çka shkaktoi iluzionin e krijimit të një “vakuumi” të ndikimit nga ana e anëtarëve të koalicionit antihitlerian dhe i detyroi shqiptarët të kërkonin zhvillimin e ngjarjeve të volitshme për ta.

Rolin kryesor në forcimin e rolit të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri e luajti prania e Ushtrisë së Kuqe në Bullgari, Rumani dhe Jugosllavi, pra kryerja nga pala sovjetike e një serie operacionesh sulmuese në hapësirën ballkanike. Duke marrë parasysh forcimin e pozitave të partizanëve komunistë në Shqipëri, lidhjen e tyre të fortë me lëvizjen kryengritëse komuniste në Jugosllavinë fqinje, si dhe pjesëmarrjen e Ushtrisë së Kuqe në operacionin e rëndësisë strategjike në Beograd, ky zhvillim i situatës së brendshme në Shqipëri ishte i pashmangshëm. Fitroja në “frontin shqiptar” i forcave vendase antifashiste të përfaqësuara nga lëvizja e armatosur partizane, e udhëhequr nga komunistët dhe krijimi më 23 tetor të vitit 1944 i Qeverisë së përkohshme demokratike tre ditë pas operacionit në Beograd dhe një muaj përpara çlirimit përfundimtar të vendit, nuk bënë gjë tjetër vetëm se e forcuan më shumë këtë situatë.

*Fjala e mbajtur në konferencën e organizuar me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.