Sondazhi/Pak njerëz janë penduar për ndryshimet e viteve 1989-1991 në ish-Bllokun Lindor

Postuar në 05 Dhjetor, 2019 14:56

Tridhjetë vjet më parë, një valë optimizmi përfshiu Evropën ndërsa muret dhe regjimet binin dhe shoqëritë filluan të hapen, të integrohen në tregjet e hapura dhe të bëhen pjesë e një Evrope më të bashkuar. Tri dekada më vonë, një studim i ri i Pew Research Center zbulon se pak njerëz në ish-Bllokun Lindor janë penduar për ndryshimet monumentale të viteve 1989-1991. Megjithatë, ata nuk janë plotësisht të kënaqur as me rrethanat aktuale politike ose ekonomike. Në të vërtetë, si homologët e tyre të Evropës Perëndimore, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Evropës Qendrore dhe Lindore shqetësohen për të ardhmen lidhur me çështje si pabarazia dhe funksionimi i sistemeve politike.

Popujt në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që iu bashkuan BE-së, në përgjithësi besojnë se anëtarësimi ka qenë i mirë për vendet e tyre, dhe ka mbështetje të gjerë në rajon për shumë vlera demokratike. Megjithatë, edhe pse në masën më të madhe ata e mbështesin demokracinë, intensiteti i angazhimit të njerëzve ndaj parimeve specifike demokratike nuk është gjithmonë i fortë.

Të pyetur për sistemin shumëpartiak dhe ekonominë e tregut, qytetarët e vendeve të ish-Bllokut të Lindjes i mbështesin ndryshimet. P.sh., polakët e mbështesin kalimin në demokraci dhe kapitalizëm në 85% të tyre. Por kjo mbështetje nuk është e njëjtë për të gjithë popujt, pasi më shumë se 1/3 e bullgarëve dhe ukrainasve nuk mendojnë njësoj, ndërsa në rastin e rusëve kjo shifër shkon në pothuajse 50%.

Një ndryshim i tillë nga vendi në vend mund të shpjegohet me shkallën në të cilën shoqëritë kanë bërë përparim gjatë tre dekadave të fundit. Shumica e polakëve, çekëve dhe lituanezëve, dhe më shumë se katër në dhjetë hungarezë dhe sllovakë, besojnë se situata ekonomike për shumicën e njerëzve në vendin e tyre sot është më e mirë se sa ishte nën komunizëm. Ky qëndrim është i njëjtë në këto 5 vende edhe pas vitit 2009, kohë kur Europa nisi të përballet me efektet e krizës globale financiare. Megjithatë, në Rusi, Ukrainë dhe Bullgari, më shumë se gjysma e qytetarëve  thonë se gjërat janë përkeqësuar në krahasim me epokën komuniste.

Përgjithësisht, qytetarët e Europës Lindore mendojnë se përgjatë 30 viteve të fundit janë përmirësuar standardet e jetesës dhe edukimi. Por ata janë të ndarë kur është fjala për vlerat e familjes dhe mendojnë se shumica e ndryshimeve kanë ndikuar negativisht në kujdesin shëndetësor.

Ka një bindje masive sipas të cilës elitat janë ato që kanë përfituar më shumë nga ndryshimet e mëdha të 30 viteve të fundit sesa kanë fituar qytetarët mesatarë. Shumica e qytetarëve të anketuar në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore mendojnë se politikanët dhe biznesmenët kanë përfituar nga këto ndryshime, ndërsa një pjesë e vogël thotë se përfitues janë njerëzit e zakonshëm.

Në çështje sociale si homoseksualiteti dhe roli i gruas në shoqëri, ka një ndryshim të madh mes opinionit në Lindje dhe atij në Perëndim. Në vendet e këtij të fundit, qytetarët mbajnë një qëndrim më progresiv.

Pikëpamjet janë të ndryshme dhe sa i përket ekonomisë në të ardhmen. Lidhur me perspektivën ekonomike për brezin e ardhshëm, shpresa është disi më e zakonshme në ish-vendet e Bllokut Lindor. Rreth 6 në 10 ukrainas, polakë dhe lituanezë besojnë se kur fëmijët e tyre të rriten, ata do të jenë financiarisht më mirë se prindërit e tyre. Në të kundërt, afërsisht një e katërta ose më pak mendojnë në të njëjtën mënyrë në Greqi, Spanjë, Itali, Britani të madhe dhe Francë.

Sa i përket opinionit mbi gjendjen aktuale ekonomike, ndarja më e madhe është ajo mes Evropës veriore relativisht të kënaqur dhe jugut kryesisht të pakënaqur, ku shumë njerëz nuk e kanë marrë ende veten nga kriza ekonomike e një dekade më parë.

Shtetet anëtare të BE-së janë kryesisht të unifikuara në mbështetjen e tyre për projektin evropian. BE-ja vlerësohet në masë të gjerë, shumica thonë se anëtarësimi ka qenë i mirë për vendet e tyre, dhe shumica besojnë se vendet e tyre kanë përfituar ekonomikisht nga të qenit pjesë e BE-së, megjithëse vlerësimet pozitive për institucionin në vetvete nuk janë kaq të unifikuara. Vlerësimet më të mëdha për BE-në hasen në ish-vendet komuniste si Polonia dhe Lituania, të dyja të anëtarësuara në vitin 2004.

Në pozicion të kundërt me këto dy të fundit qëndrojnë Rusia dhe Ukraina. Dy vendet ish-komuniste e mbështesin më pak kalimin nga demokracia në kapitalizëm dhe janë më pak të kënaqur me jetën sesa qytetarët e vendeve të BE-së.

Këto janë ndër gjetjet kryesore të studimit të kryer nga Qendra Kërkimore Pew në 17 vende, përfshirë 14 vende të BE-së, Rusinë, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara. Studimi është përqendruar në një sërë temash që përfshijnë: kalimin në sistemin shumëpartiak dhe tregun e lirë, vlerat demokratike, BE-në, Gjermaninë, liderët politikë, nivelin e kënaqësisë me jetesën, kushtet ekonomike, barazinë gjinore, grupet minoritare dhe partitë politike.

Sondazhi është kryer me 18 979 personave nga 13 maj-12 gusht 2019. Ky studim bazohet në dy anketa të mëparshme nga Pew Research Center dhe paraardhësi i saj. E para është kryer nga “Times Mirror Center for People & Press” (pararendës i Pew Research Center) nga 15 –prill-31 maj 1991. E dyta është kryer nga Pew Research Center nga 27 gusht-24 shtator 2009, pak para 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. 

Përgatiti: Gazmira Sokoli/ TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.