Nuk ndalen kërkesat për azil nga shqiptarët
Edhe në muajin shtator aplikimet për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë njohur rritje sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Europiane për Azilantët. Gjatë periudhës janar-shtator numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë.
Në total për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për herë të parë edhe 15,469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12,835. Vetëm muaji shtator ka pasur 1,734 aplikime të reja, duke shënuar një rritje prej 14% në raport me muajin e kaluar. Shqipëria renditet në 10 vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Europë, së bashku me vende si Pakistani, Turqia, Iraku, Kolumbia, Irani dhe Nigeria, por vendi i vetëm europian.
Zyra Europiane Për Mbështetjen e Azilkërkuesve raporton se në muajin shtator ishin 12,680 raste në pritje për të marrë një përgjigje. Prej 6430 kërkesa janë të paraqitura në më pak se gjashtë muaj, ndërsa pjesa tjetër po pret të shqyrtohet për një periudhë më të gjatë kohore se aq. Ky është niveli më i lartë i kërkesave që mbeten në pritje për një përgjigje që prej muajit shtator të vitit 2017.
Si më parë, Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit kishin numrin e aplikimeve më të lartë, duke përbërë një të katërtën e të gjitha aplikimeve në Bashkimin Europian.
Add new comment