Bien të ardhurat nga tvsh, buxhetit i mungojnë 11.2 mld lekë
Financave u mungojnë 11.2 miliardë lekë, ose rreth 91 milionë euro nga plani i të ardhurave për këtë vit. Sipas Monitor, zëri me realizimin më negativ është TVSH, që sjell një të tretën e të ardhurave në buxhet dhe që është një tregues direkt i konsumit në ekonomi.
Të ardhurat nga TVSH ranë me 4.3% me bazë vjetore për 10 mujorin, ndërkohë që ishin rreth 11.3 miliardë lekë më pak sesa plani. Të dhënat nuk janë ende të detajuara, por për 9 mujorin efektin kryesor e kishte TVSh e brendshme, me të ardhurta që ranë me 22%, si rrjedhojë e përjashtimit të nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP nga TVSH-ja, rënies së euro, uljes së eksporteve të energjisë, mbylljes së lojërave të fatit, heqja e TVSH-së për imputet dhe makineritë bujqësore.
Performancë negative kishin dhe taksat doganore, që ranë me 7.4%, duke qenë rreth 4.3 miliardë lekë më pak se planifikimi fillestar. Pozitiv në mbledhjen e të ardhurave ishte pushteti vendor, që ka arkëtuar 20% më shumë të ardhurave (+2.5 miliardë lekë mbi planin), si rrjedhojë e hyrjeve të mëdha nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, për shkak të numrit të lartë të lejeve të ndërtimit, kryesisht në Tiranë.
Add new comment