Çfarë roli kanë shkrimtarët/autorët në epokën e influencuesve të rrjeteve sociale?*

Postuar në 03 Nëntor, 2019 23:56
Antonio Scurati

 

Sot shkrimtarët kanë humbur të gjithë ndikimin që kanë pasur dhe gazetat reflektojnë vetëm opinionin. Ndërsa sa u përket shtetarëve, larg drejtimit të turmës, ata përpiqen ta ndjekin. 

Kështu shkruante Gustave Le Bon, në fillim të shekullit XX. Nëse ajo që ai pretendonte ai në të famshmen “Psikologjia e turmave” ishte vetëm pjesërisht e vërtetë, atëherë është plotësisht e vërtetë tani, një shekull më vonë. Polemikat që lindin nga Çmimi Nobel për Letërsinë që iu dha shkrimtarit Peter Handke duhet të udhëhiqen bazuar në intuitën profetike të Le Bon që lidh rënien sociale të intelektualëve me ngritjen e udhëheqësve të rinj populistë, për të cilët na jep një përkufizim të përsosur.

Nuk kam ndërmend të thellohem në "çështjen Handke". Nuk më duket me interes. Pasi idealizoi serbët e Bosnjës si kundërshtarët e fundit të një Perëndimi të korruptuar nga kapitalizmi konsumist dhe imperialist, shkrimtari austriak shkoi aq larg sa të mohojë krimet e tij të luftës. Në këtë formë ekstreme dhe të mjerueshme të verbërisë ideologjike, Handke është një mbetje e fundit të shekullit XX, epokë në të cilën angazhimi shoqëror i shkrimtarit perëndimor u kuptua si një militantizëm ekstrem nën një flamur politik antiperëndimor (pothuajse gjithmonë ai komunist). Edhe mbrojtja e atyre që i dalin në krah, ndarja midis sferës artistike dhe sferës politiko-morale është gjithashtu një mbetje e shekullit XX.

Gardianët e vlerave më të larta të pastërtisë formale të veprës letrare nuk bëjnë asgjë tjetër përveç zgjatjes së një ideologjie avangarde, e cila justifikohet vetëm në këndvështrimin e një arti të kuptuar si parashikim i një bote që do të vijë - një mënyrë më e mirë, natyrisht. "Stili" i kuptuar në këtë mënyrë është bërë shpesh streha e fundit e mashtrimeve. Gjithashtu nga ky këndvështrim, Peter Handke është një shkrimtar i shekullit të kaluar dhe debati për çmimin “Nobel” i dhënë atij në Suedi është një debat i shekullit të kaluar.

Më interesante është të reflektohet mbi atë që ndodhi me çmimin tjetër “Nobel” këtë vit, shkrimtaren polake, Olga Tokarczuk. Për nga natyra e saj, larg provokimeve dhe ideologjive, Tokarczuk iu dha Çmimi Nobel në prag të zgjedhjeve politike dhe menjëherë u pozicionua, me argumente të forta dhe të arsyetuara, kundër partisë në pushtet - një parti populiste e të djathtës nacionaliste, agresive dhe antiberaliste - e cila më pas i fitoi bindshëm zgjedhjet. Polakët e kanë shpërfillur bukur përvetësimin progresiv dhe demokratik të bashkëqytetares së tyre të shquar.

Kjo ngre pyetjen më interesante, e cila ka të bëjë me humbjen e ndikimit shoqëror të shkrimtarit - dhe, përgjithësisht, të intelektualit - në agimin e këtij shekulli të ri.

Figura e intelektualit lulëzon në shekullin XX, madhështor, tragjik, totalitar, shekulli që detyron "të gjithë ata që rrinin në dritare të zbrisnin në rrugë" dhe të bie në të njëzetenjëtin, shekulli i privates, i komikut, demokratik me shtirje, i afruar pranë dritares së ekraneve dixhitale. Për pak kohë, intelektuali mban ende një rol drejtues, më pas paraqitet vetëm si personazh. Mbi të gjitha e magjinalizuar letërsia. Duket se i nënshtrohet konkurrencës historike midis mediave të ndryshme. Nëse në shekullin XIX, romancieri garon me gazetat e mëngjesit, në gjysmën e dytë të shekullit të XX, atij i duhet të garojë së pari me televizionin dhe më pas me internetin. Studiuesi del i mundur nga konflikti mediatik për njeriun, lufta midis mediave të ndryshme dhe strategjitë relative të komunikimit të njeriut

Mediumi i librit, me efektet e tij individuale të frenimit të impulseve erotike dhe agresive të prodhuara nga ushtrimi i heshtur, i zgjatur, i durueshëm dhe introspektiv i të lexuarit, i hap rrugë lëshimit instinktiv të një çlirimi spektakolar nga komplekset. Televizioni dhe interneti gjenerojnë një kozmos autoironik, tepër të eksituar dhe simbolikisht të dhunshëm që zgjat rënien e përgjithshme të figurës publike. Një det i madh komunikimi në të cilin nuk noton, por zhytet. Profesionisti i fjalës së medituar, të arsyetuar, të rafinuar dhe të mençur humbet në mashtrimin histerik, në llafollogjinë narciste, të mbingarkuar nga teatri i mendimeve që i gërryen terrenin verifikimit dhe argumentimit, rrëzon aspektin konceptual të çdo ligjërimi, censuron çdo projektim krijues, bazon fuqinë e fjalës vetëm në kërkimin e efektit dhe lëvizjes së ndikimeve.

Prandaj, pyetja që do të shtrohet, nuk ka të bëjë më me dialektikën e ndërlikuar midis autorit dhe veprës, nganjëherë pa sintoni. Pyetja është një tjetër: çfarë do të bëhet me ndikimin e shkrimtarëve/autorëve në epokën e influencuesve të rrjeteve sociale? 

Me këta profesionistë të ndikimit mediatik, pavarësisht mungesës së plotë të veprave të tyre, në të vërtetë, pikërisht për shkak të kësaj mungese. Të ashtuquajturit influencues janë, në fakt, individë që nuk kanë individualitet - ide, dije dhe fjalë të vetat - në të cilat bëhet vertikal, në majat e grafikut të ndjekësve, rrjeti i pakufishëm horizontal. Ata nuk sjellin njohuri, origjinalitet, risi, thellësi, madje as nuk japin mendim, por e marrin atë. Edhe nëse na shfaqen si udhëheqës, ata janë me të vërtetë - në fushën politike si në atë të kostumeve – thjesht zëdhënës të popullit. Sa më i lartë të jetë numri i ndjekësve tëtyre, aq më shumë influencuesit janë të detyruar t'i ndjekin ata. Ata janë ndjekës të ndjekësve të tyre. 

Çfarë do të bëhet me zërin publik, te i cili rezonon fjala “e rëndë” e letërsisë, de profundis clamavi i saj, në epokën e diskutimeve masive, në ajrin e kohëve moderne, të mbytur nga “fryrjet” vokale?

Por kujdes: mbi këto pyetje çështja hapet- dhe, mendoj se është me rëndësi epokale - nuk mbyllet në një gjykim moral...

Burimi: Corriere della Sera

Përktheu për ResPublica: Gazmira Sokoli

*Titulli origjinal: Çmimi i Handke-s dhe influencuesit që peshojnë më shumë se Nobeli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.