A u përdor Albin Kurti në Tiranë?
5 orët e takimit informal të Albin Kurtit me Edi Ramën mbrëmjen e së premtes prodhuan më së shumti lajmin se Edi Rama është kundër shkëmbimit të territoreve. Të paktën këtë fragment veçuan mediat në Shqipëri nga deklaratat e kreut të Vetëvendosjes mbi përmbajtjen e takimit mes tyre në kryeministri.
Deklarata nuk duket dhe aq naive, por është hedhur në publik me premisën e garancive që përcjell figura e zotit Kurti si një lider radikal dhe i besueshëm kur bëhet fjalë për integritetin e Kosovës.
Këtu na lind e drejta të supozojmë se në një farë mënyre Kurti mund të ketë pranuar të bëhet një lloj zëdhënesi i Edi Ramës, në kushtet kur kredibiliteti i këtij të fundit ka kapur dyshemenë pas ekspozimit të tij si i përfshirë në një Pazar me Thaçin e Vuciç për shkëmbimin e territoreve.
Por çfarë ka megociuar në këmbim të këtij konçesioni zoti Kurti. Gazeta Monitor shkruan sot se një nga kërkesat e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës në takimin e 25 Tetorit ishte heqja e tarifës së Rrugës se Kombit. Monitor e përforcon lajmin me një paragraf nga deklaratat e Kurtit ku gjithsesi nuk përmendet në mënyrë të drejtëpërdrejtë heqja e tarifës në rrugën e Kombit, por lihet të nënkuptohet se një nga problemet që ka ngritur zoti Kurti janë barrierat mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ne kemi hapur çështjen e bashkëpunimit ekonomik dhe liberalizimit të tregut, dhe heqjen e barrierave tregtare. Dhe unë kam shprehur qëndrimin tonë se ndërkohë që e kemi një kufi të padrejtë administrativ, ta kemi dhe një pengesë shtesë për të cilën duhet të paguash. Është shumë e rëndë për qytetarin shqiptar, prandaj unë angazhohem për një zgjidhje alternative të kësaj. E kemi hapur si temë, por edhe kjo është një temë që nuk e kemi mbyllur”- ka thënë Kurti.
Në rast se një skenar i tillë është hedhur në negociatë dhe vihet në zbatim, pra hiqet tarifa e Rrugës së Kombit sipas kërkesës së Albin Kurtit, atëherë kostot e dëmshpërblimit të kontratës do t’i rëndojnë buxhetit të shtetit, për të mbuluar kostot e një tjetër operacioni, atij të rehabilitimit të zotit Rama.
Në këtë lloj skenari zoti Kurti del i përdorur me vetëdije në një lloj pazari që mund ta kthejë atë përkohësisht në flamurtar të bashkimit, por përvijon një të ardhme me pikëpyetje të mëdha në lidhje me marrëveshjet që ky u fundit i duhet të arrijë me Serbinë.
Add new comment