Opozitë manekine
Opozita e Lulzim Bashës mund të hyjë në analet e shkencave politike si modeli më i padobishëm i ereksionit demokratik që shfaq një shoqëri në periudha të tranzicionit ose dekadencës, pa lënë mënjanë edhe sterilitetin e farës që mbolli në drejtimin e partisë babai politik i PD-së, Sali Berisha.
Luli siç i thërrasin shkurt në parti, i ka mbushur mendjen vetes se serioziteti është çështje tonaliteti dhe kënaje (bojë flokësh pa kimikate) dhe këtu nuk ndryshon shumë nga Edi Rama që qeverisjen e atashon me aftësinë për të përqeshur të tjerët, shto këtu edhe bindjen publiçitare se modeli i mjekrës është paqyrim i pjekurisë politike të një lideri që keqkuptohet nga populli i vet.
Të dy i kanë krijuar komoditetin vetes të bëjnë qeverisjen dhe opozitën duke u krehur para pasqyrës. Por nëse Edi Ramës i mirëkuptohet vetëkënaqësia dhe vetërealizimi pasi kaq vite në politikë arriti të modelojë një vilë pa oxhak sipas gustos së vet, ka përjetuar ndoshta orgazmë gastronomike nga qerasjet me vera të shtrenja, hapi disa ekspozita lart e poshtë dhe në fund votoi me pantallona të shkurtra, Lulzim Basha nuk doli dot nga manekini i programuar për të mos bërë asgjë.
Nuk mori seriozisht asnjë kauzë, nuk cenoi asnjë interes që lidhet me pasuritë e paligjshme të ansamblit qeveritar dhe tradhëtoi rregullisht popullin opozitar. Qershia mbi tortë ishte djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve. Megjithatë Luli vazhdon me fanatizëm opozitën e tij manekine. Ai doli dhe i foli popullit për karizmën që ende shqiptarët nuk e kanë lexuar në sytë e njeri tjetrit. Ky është një fragment nga deklarata për media e ditës së hënë ku ai tha se Edi Rama duhet të largohet se dështoi të hapë negociatat.
Ne jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet nje qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund!
Nëse nisemi nga kjo perspektivë e zotit Basha, se kush dështon duhet të largohet, ai është shembulli më adapt që përligj rregullin e rotacionit. Teoritë mbi talentin e shqiptarëve janë shiriti i një kasete që recitojnë përmendsh vetëm talente të tilla si zoti Basha, i cili ka marrë peng opozitën, duke e kthyer në krizën reale tē këtij vendi.
Add new comment