E di ish-ministrja e Mbrojtjes pse e spostuan?
Shumica socialiste po zhvillon një monolog publik për sa i përket një çështjeje të stisur siç është dorëheqja e kryeministrit Rama. Monolog sepse ndonëse shumëkush dëshiron largimin e kryeministrit aktual, askush nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë. Korit të vullnetarëve të detyruar i është shtuar edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e cila në një prononcim për Top-Channel e ka argumentuar kështu se përse Rama nuk ka pse të japë dorëheqjen:
Atëherë më lejoni të shpjegoj të paktën dy ose tre momente për të ju dhënë përgjigje sa më të plotë pyetjes suaj të drejtë. E para: Maqedonia ka pasur një kusht mbi të gjitha kushtet, çështjen e emrit. Çështja e emrit ka qenë edhe viza, stafeta, flamuri i kryeministrit Zaev, pra ndryshimi i emrit sillte automatikisht hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i emrit u realizua, hapja nuk u realizua. Këto ishin një binom i pandarë, nuk ishte ky, nuk ekzistonte ky binom në rastin e Shqipërisë. Ndaj dhe në gjykimin e Kryeministrit Zaev, kjo ka qenë më shumë së sa e mirëpritur në vendin e tij lidhur me një veprim i cili rridhte pikërisht nga ky fakt.
Vijmë tek përgjigjja për opozitën, mendoj që në momentin që opozita kërkon një pushtet në tavolinë, e vështirë që do ta marri këtë pushtet.
Jetojmë në një sistem, kemi vendosur të zhvillojmë një sistem i cili nuk përgjigjet marrjes së pushtetit në tavolinë. Sistemi i përgjigjet zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme
Zonja Kodheli shfaqet këtu si një person i mirëinformuar për çështjet e sistemit dhe mbron shefin e saj në një situatë absurde, por normale tashmë në Shqipëri. Nuk është kjo e rëndësishme, por fakti sesi këta vullnetarë si znj. Kodheli nuk e kanë për gjë të përdoren. Ne pyesim zonjën: a di ajo të shpjegojë, apo të sqarojë se përse nuk iu dha sërish detyra e ministres së Mbrojtjes? Sepse përpara se të flasësh për sistemin, një njeri i politikës duhet të dijë se përse e spostuan pa asnjë arsye publike.
Dorëheqja lidhet me moralin, shton zonja. Sigurisht, ndaj edhe askush nuk pret që z. Rama të bëjë një akt të tillë. Nuk e bëri në vitin 2009, d.m.th publikisht sepse praktikisht e dha dy herë dhe nuk ka për ta dhënë as pas skandaleve që dominojnë qeverisjen e tij. Kujt i duhen atëherë gjoja sqarimet e Kodhelit veç asaj vetë që shpreson se do rrisë kuotat e veta në sytë e shefit?
Add new comment