Makronizmi është anti-europianizëm
Shqipëria e vogël, por krenare, me socialistët shqiptarë në krye, mediat e tyre, po denoncojnë Francën dhe presidentin e saj. Është ngritur madje edhe kënga nga Goliku i Tepelenës, industrialisti i polifonisë. Mungojnë vetëm telegramët për Kurvën Plakë që me shpirtngushtësinë e vet nuk po do të respektojë një popull të moçëm që qeveriset nga një elitë europiane.
Çorba ka nisur të trazohet nga e njëjta dorë që kërkon tashmë histerinë e atyre që luajnë rolin e vajtocave profesionale. Që çjerrin faqet e shkulin flokët, nëmin Evropën e ligë. Zoti Rama, kuzhinieri i kësaj loje, ndjek parimin e vjetër: predikuesi duhet të presë rënkimin jo duartrokitjen. Ndaj edhe kryeministri duket njëherë duke aluduar, njëherë duke bërë europianin e fundëm në Ballkanin Perëndimor, njëherë duke folur për destabilizimin, njëherë duke sajdisur Macronin.
Në plotësim të këtij kuadri që po përvëlon dëshirën e shqiptarëve për pak Evropë, z. Rama nuk kurseu as dhuratën e papritur të Akademisë Suedeze që i dha një çmim Peter Handkes. Me një shkrim në “Politico” dhe me statuset në Facebook, kryeministri shqiptar përveçse i ka bërë moral audiencës europiane që me siguri ngërdheshet me këto triblime delirante, u thotë të vetëve mesazhin e vetëm që dekriptohet nga këto akrobaci intelektuale: Në Europë diçka ka ndodhur. Ndaj shqiptarëve ka një plan në lëvizje. Handke pro Millosheviçit dhe tani Macroni i Francës përherë kundër Shqipërisë sinjalizojnë diçka të keqe. Dhe mbas tij vazhdon beriahji i histerikëve.
E gjitha kjo mizaskenë luhet për të hequr vëmendjen nga analiza reale e situatës që është komplekse, që vërtet përfshin arsye të Europës, por ama duhet të konsiderojë edhe gjendjen në vendin tonë. Ne kemi përvojën e vendeve si Sllovenia dhe Kroacia të cilat nuk ishin shumë entuziaste për hyrjen në BE. Dhe kjo ka një arsye elementare: kur një vend ecën dhe funksionon, nuk para entuziazmohet nga kredo apo projekte që në fund sjellin angazhime. Në vende të dështuara si ky yni, ku politika vjedh dhe mbarështon drogën, integrimi është përralla e vetme e besueshme. Përndryshe çdo shqiptar që do të kishte siguri ekonomike dhe juridike në vendin e vet nuk do të presonte as priste shumë nga negociatat.
Ndaj loja e sotme mediatike është jo për shqiptarët, por kundër tyre, verbimit të plotë të arsyes dhe logjikës për ta shndërruar edhe këtë diskutim në një ulërimë stadiumi ku në fund vendos vetëm bilbili i arbitrit. Që është pushteti dhe z. Rama.
Comments
Pensionist
Çfarë asht kjo histeri anti Macron se pari duhet pa nga vetja ... nuk u pranue as Maqedonia e pse... nga zgjanimi Europa u mbush me rumunë e bullgarë filluen zullumet ne shtetet e BE...vjedhje vrasje droge..kërkesa pafund azilantesh shqiptarë ...
Qeveria nuk realizoi asnjenën nga detyrat e vitit kaluem...nuk paraqiti asnji projekt madhor për ekonominë a infrastrukturë... vetēm eufori genjeshtra premtime pa fund e asgja konkrete për rimekambje ekonomie pa sistem primar gjyqsor ...etj e fajin na paska Franca Holanda e Danimarka!
Ky km duhet të iki me vrap e jo të na tregojë pralla.Pergjegjèsi kryesor asht Rama ...!!!
Add new comment