Shqipërisë i mungon Parlamenti...
Sot ka zhvilluar seancë plenare Parlamenti i Shqipërisë. I cili pë rata që nuk e kanë vënë re, ekziston akoma. Mediat e interesuar për këtë punë kanë përcjellë lajmin se punimet e seancës janë ndërprerë sepse deputeti Ralf Gjoni ka kërkuar të flasë ndërkohë që po fliste ministri Eduard Shalsi. Kaq mjafton nga kronika parlamentare për ta kapur derexhenë ku katandisi ky vend dhe institucionet e tij. Anonimi numër një I ndërpret fjalën anonimit numër dy. Ndërhyn anonimja numër tre në krye të Kuvendit dhe jep pesë minuta pushim.
Këtu me anonim nuk duam të fyejmë kënd, por të vëmë në dukje se as z. Gjoni që ka marrë shumë seriozisht veten, as z. Shalsi që ka ca vjet që ka gjetur punë ministër dhe as zonja që drejton seancat në zëvendësim, nuk përfaqësojnë asgjë. Madje as veten në disa raste sa kohë janë aty si të emëruar, nga fati apo lloj lloj rastësisht banale të cilat zënë kaq shumë vend në Shqipëri. Pak muaj më parë nga Parlamenti përcillej zallamahia e sherreve me opozitën e vjetër dhe patjetër që ajo lloj jete parlamentare nuk i shërben kujt. Mirëpo në finale ajo lloj opozite përfaqësonte disa vota dhe numrat e saj ishin pasojë e një aksidenti politik në vitin 2017.
Opozita e sotme përfaqëson në fakt një aksident legjislativ që nuk ka ndodhur më parë dhe si e këtillë ajo me me të gjithë personazhet e vet piktoreskë ofron sot një satirë që rrallë është parë. Parlamentit i mungon opozita, jetës politik i mungon opozita, ndaj edhe çdo shfaqje si kjo e sotmja i ngjan atyre trupave amatore të ndërmarrjeve që improvizionin aty për aty role dhe skenarë si e si për të hequr qafe një detyrim që kishte të bënte me artin e masave. Korrigjimi i kësaj anomalie është detyrimi kryesor dhe çdo shtirje sikur asgjë nuk ka ndodhur vetëm sa dëmton edhe atë pak seriozitet që i ka mbetur shumicës për shkak se ka pushtetin, jo për mënyrën sesi e u shtron atë.
Add new comment