Pazari i negociatave. Ballkani Perëndimor, opsion për mbajtjen e refugjatëve nga Lindja
Mediat e ndryshme europiane i kanë lënë hapësirë punimeve të djeshme të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në të cilin u vendos shtyrja e hapjes së negociatave për Shqipërinë. Të paktën sipas disa burimeve, për Maqedoninë e Veriut ka patur një lloj dakordësie më të madhe, por kjo nuk i shton asgjë problemit real që është konsensusi i munguar brenda vetë Europës.
Gishti është vënë mbi Francën e cila kërkon reformim të Unionit pastaj zgjerim, për ta bërë më të qartë, më të kontrollueshëm dhe më pak burokratik zgjerimin.
Por kjo është vetëm dukja, pasi secili shtet po niset nga konsiderata të vetat në vendimet që merr. Kështu EurActiv shkruan se Franca po bën tregëti me çështjen e negociatave me Gjermaninë, të cilës i kërkon që të marrë në konsideratë pikëpmajet e veta për reformimin e Unionit. Po kështu Macron sheh edhe nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 dhe vendimet e tij shkojnë kah politikës së mosprovokimit të Rusisë.
Nuk është e qartë megjithatë sesi lidhet kjo politikë me ambiciet për reformimin e BE-së.
Edhe presidenca finlandeze nuk e ka patur të lehtë. Janë përfolur se u hodhën për diskutim disa dokumente dhe asgjë nuk u dakordësua duke zbukuar se Parisi zyrtar po kërkon kohë në vend se të shprehë pikëpmajet e veta. Në këtë koniunkturë ndihmon padyshim dështimi I Shqipërisë që pretendon se ka kryer reforma, por të cilat nuk kanë asnjë produkt real. Shqipëria nuk është as në standardet e rajonit në disa drejtime dhe shihet si vendi më I korruptuar.
Mirëpo edhe qasja e BE-së nuk duket se është europiane. P.sh sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë, Levente Magyar ka deklaruar se ajo që ndodhi me takimin e fundit është shkatërrimtare. Autoriteti dhe besueshmëria e BE-së është dëmtuar rëndë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut dhe se Hungaria do të bëjë çmos që BE-ja të rishikojë vendimin dhe që negociatat me dy vendet e Ballkanit Perëndimor të hapen menjëherë. Por cila është premise hungareze në këtë rast? Këtë e sqaron fare qetë Magyar.
Fuqizimi politikisht i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, krahas Serbisë dhe Malit të Zi do të rriste aftësitë e tyre të mbrojtjes dhe ndihmonte që ato të ndanin peshën e emigracionit që Hungaria mban aktualisht e vetme në BE
është shprehur ai.
Mirëpo këtë thotë edhe Greqia, edhe Italia, pra që emigracioni është problem që po trajtohet prej tyre pa ndihmë.
Ky qëndrim i zyrtarit hungarez të kujton atë proverbin e vjetër që thotë se “nuk u duhet besuar danajve as kur vijnë me dhurata”. Nëse vendet e Europës Qendrore kanë këtë axhendë qartësisht nacionaliste, atëherë edhe vetë integrimi është çështje pragmatike dhe aspak parimore dhe ne jemi naivë dhe viktima që besojmë tek ajo Europë që na është rrëfyer dhe vazhdon të na rrëfehet përditë nga politika.
Nisur nga këto konsiderata të Hungarisë na lind e drejta të pyesim: a erdhi në Shqipëri kryeministri italian Conte pikërisht për çështjen e emigracionit? Pra a do të kërkohet nga Shqipëria që të marrë refugjatë në kushtet kur Erdogan mund të hapë dyert në Turqi tani që po e kërcënojnë me sanksione?
Ky do të ishte fundi i Europës si model dhe përgënjeshtrimi më i keq i një ëndrre të gjatë të shqiptarëe të cilët tanimë kanë nevojë për një klasë të re politike dhe sidomos për një narrativë të re. Përndryshe do të shohim kryeministrin që bën Pazar me zyrtarët duke miratuar kampe refugjatësh për të na shitur negociatat që janë tashmë një vrimë në ujë.
Re.Pu
Add new comment