Majtas.net, kosherja dixhitale e së majtës
Është thënë shpesh se një nga armët kryesore të z. Rama në politikë është imazhi, propagandimi i tij dhe mbiprodhimi sasior i prezencës mediatike të arritjeve, sukseseve dhe punëve të bëra. Në gjashtë vjet qeverisje megjithatë, kryeministri Rama ngjan të jetë i pakënaqur me këtë industri propagandistike, të cilës vërtet që i mungon mendja organizative dhe di vetëm të përballet dhe shpërndajë në mënyrë kapilare, por ama fondet dhe strukturat nuk i kanë munguar. Së fundmi ai ka krijuar një televizion online ku përcjell, raporton ato që do, si i do vetë e brenda tij, ka lëvizur fare “majtas” me rubrikën “Të Padukshmit”.
Zoti Rama është tanimë pra në një fazë të re, atë të synimit për të zhvlerësuar mediat, kritikat dhe sulmet acide të tyre, me revistën televizive të vet, plot arritje dhe estetikë. Sidomos estetikë. Nëse sheh postimet e fundit të tij në Facebook sidomos, por edhe në tuiter, ato kanë një numër të madh pëlqimesh, shpërndarjesh, komentesh, shikimesh. Të gjithë të qartë sesi realizohet kjo: në Facebook duhet të provokosh që të ndiqesh. Por zoti Rama nuk e ka edhe aq këtë nevojë. Në dispozicion të tij dhe punëve që ai do të reklamojë funksionon platforma Majtas.net, e cila sugjeron për çdo vizitor këtë mesazh prezantues:
Siç mund të shihet platforma është me kod dhe nuk është e hapur. Mirëpo ajo funksionon edhe si aplikacion në Playstore dhe kushdo mund ta shkarkojë atë. Kush i jep kredencialet për përdorimin e saj? Kush e ka realizuar atë si app dhe kush e menaxhon? Janë disa pyetje që nuk lidhen me ndonjë kuriozitet, por me faktin se kjo platformë, sipas burimeve të besueshme që kanë folur për ResPublica, përdoret gjerësisht dhe me detyrim në administratën publike në funksion të rritjes së audiencës së lajmeve qeveritare, shpërndarjes së tyre dhe mbivendosjes si propagandë ndaj çdo lloj kritike.
Që majtas.net është platformë e menaxhuar nga qeveria shqiptare këtë e provon edhe pamja që shfaqet për përdorimin e saj, pasi aty një përdorues vendos kredencialet e veta.
Siç shikohet majtas.net është një lloj medie sociale në formën e një dispeçeri brenda rrjeteteve sociale globale, ku lajme të ndryshme që postohen nga një qendër operatorësh që thuhet se vepron në Pallatin e Kongreseve dhe drejtohet teknikisht nga një ish-anëtar i Kabinetit të ministrit në Ministrinë e Shëndetësisë, rishpërndahen, komentohen apo pëlqehen, gjithnjë për rritje të audiencës. Kjo është një politikë që vjen në përputhje me logjikën sesi veprojnë mediat sociale.
Është thuajse e pabesueshme sesi një ide që u mendua fillimisht të operohej nga pjesëtarë të kabineteve të ministrave dhe Kryeministrit, rrëshqiti në një instrument detyrues për mbarë punonjësit e administratës publike të cilëve së fundmi, thuhet se u është caktuar detyra e 300 veprimeve në ditë në platformë. Pra çdo punonjës 300 like, share, comment, view…
Struktura e brendshme e platformës shpreh qartë natyrën politike dhe drejtimin proqeveritar dhe për ta vërtetuar këtë, por edhe faktin se suksesi te majtas.net është kthyer në një lloj stresi të përditshëm, ResPublica sjell edhe grafikët që hartohen sipas çdo ministrie për ndërveprimin në të: ‘
Ekzistojnë edhe tabela excel që mbahen nga kabineti i çdo ministri, me performancën e çdo punonjësi dhe vërejtjet e ministrave për më shumë angazhim.
Majtas.net ndryshon nga Shqiperiaqeduam.al e cila është e zyrtarizuar. Ajo nuk dihet ende sot sesi është krijuar, porositur, mbi ç’bazë ligjore dhe si administrohet. Përdor në krye stemën e qeverisë shqiptare, por nuk ofrohet si mundësi apo si dritare në faqet zyrtare siç bëhet p.sh me shqiperiaqeduam.al. Cili ligj, urdhër apo udhëzim justifikon pajisjen me kredenciale të saj të një nëpunësi të administratës dhe mandej e detyron atë të ndërveprojë përmes rrjeteve sociale, të cilat nga ana e tyre kanë angazhime formale për privatësinë etj???
Ky është një investigim që meriton vëmendje dhe patjetër që do ta ketë. Qoftë edhe sepse zbardh hipokrizinë e lojës me administratën dhe studentët ekselentë që ftohen të bëhen pjesë e saj, ndërkohë që puna kryesore që u kërkohet është edhe një Like në Facebook.
P.S. Ka dhe screenshot-e të bisedave në chat të ministrave të ndryshem të cilët i ankohen (me tone të ashpra dhe kërcënuese) stafit të tyre të cilët "nuk kanë bërë sa duhet". Ka dhe prej tyre që u kërkojnë hapjen me detyrim të profileve online kur nënpunësi nuk i ka. Për të mbrojtur personat që kontribuan në dhënien e informacionit zgjodhëm të mos i botojmë.
Add new comment